Marrëdhënie

January 24, 2017 | 11:50

Pro apo kundër abortit?

Eshtë folur aq shumë për abortin sa duket sikur të gjithë dinë gjithçka mbi të. Nëse pyesni një pjesë të mirë të njerëzve do e përmbledhin si një akt të shëmtuar, si vrasje, si një padrejtësi që mund t’i bëhet një qënieje që është destinuar të vijë në jetë. Nëse pyesni fetarët do ju thonë se, aborti kategorikisht është i ndaluar, sepse vetëm Zoti merr dhe jep jetë. Ka dhe një grup njerëzish që janë pro këtij veprimi, si një mënyrë që i jep gruas lirinë për të vendosur mbi trupin e saj. Madje këta të fundit nuk e konsiderojnë vrasje, pasi ajo çfarë është ngjizur nuk është qenie njerëzore, por thjesht një embrion. Pastaj është dhe grupi i mjekëve specialistë, të cilët gjykojnë sipas rastit të gjendjes shëndetësore të nënës.

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Po cili grup ka të drejtë dhe cili gabim?

Që t’i japësh përgjigje të saktë, ku të gjithë të binden, duhet të kesh së pari shpirt fetar, të jesh mjek specialist si dhe të jesh i ftohtë në gjykimin tënd. Duke qenë se të gjithë këto elemente nuk bashkohen në një individ të vetëm, nuk japim dot një përgjigje përfundimtare. Por ajo që mund të themi me siguri është që, shoqëria jonë e konsideron të shenjtë familjen dhe janë të lidhur ngushtë me fëmijët. Në pamje të parë duket shumë pozitive, por brenda thirrjeve për pro jetës gjendet e fshehur ndonjëherë hipokrizia.

Për të kuptuar këtë gjë kujtoni dikur familjet kryesisht rurale, të cilat ishin me shumë fëmijë. Qeveria e asaj kohe propagandonte se kishim nevojë për shtim të popullsisë dhe lindjet duhet të ishin në rritje. Nënat zakonisht kishin fëmijë, madje me pak vite diferencë nga njëri-tjetri, sepse kështu donte partia, sepse duheshin për forcë krahu, sepse duheshin për trashëgimi. Kishte familje ku gratë që kishin disa vajza tentonin disa herë për shtatzëni deri kur të lindnin djem. Si familje me tendencë patriarkale, djemtë shiheshin si trashëgimtarë të vetëm, si dhe personat që do kujdeseshin për prindërit gjatë pleqërimit të tyre. Shpesh dëgjoheshin raste për baballarë që zemëroheshin dhe nuk shkonin as në maternitet kur merrnin vesh që u bënë me vajzë.

1Po sot a ndodh kjo?

Edhe kur familja shqiptare po zvogëlohej nga anëtarët e saj, sërish vijonte mentaliteti i lindjes i së paku mbi dy fëmijë. Po ashtu, teknologjia bëri të mundur që fëmija të shihej që në hapat e parë të krijimit. Madje gjinia e fëmijës të shihej në muajin e tretë të shtatzënisë. Por kjo gjë u pasua me abortin selektiv. Jeta e një fëmije vajzë nuk peshonte aq sa e një djali. Kjo na jep një pasqyrim të kundërt të realitetit që na shitet në dritë të diellit. Shoqëri që është kundër abortit, por nëse marrin vesh që presin vajzë s’e kanë problem të bëhet selektim. Edhe pse tendencë në ulje, nuk përjashtohet që është fenomen ekzistues, sigurisht jo vetëm në Shqipëri, por kryesisht edhe në pjesën jugore të Europës si Mali i Zi apo Maqedonia. Aborti selektiv nuk është i vetmi fenomen shqëtësues. Edhe lindja e fëmijëve pa planifikim familjar nënnkupton mosinformim për të drejtën e zgjedhjes për të patur fëmijë apo sa fëmijë. E drejtë e burrit, por edhe e gruas për të vendosur. Megjithatë problem nuk është vetëm aborti, sepse fëmija “vritet” edhe kur rritet pa kushtet bazë. Fëmijët “vriten” çdo ditë rrugëve duke lypur, duke i çuar në befotrof apo duke i mësuar të vjedhin. Fëmijët “vriten” edhe nga prindërit e pasur, që nuk kanë kohë të qëndrojnë me ta apo kur nuk dimë t’i japin edukimin dhe dashurinë e duhur.

Të gjithë këto shembuj më lart a nuk tregojnë një formë hipokrizie që gjendet midis nesh?! Ndaj lind pyetja nëse aborti dënohet vërtet nga shoqëria jonë apo mbetet thjesht një fenomen për të gjykuar të tjerët?! Sepse mund të jesh kundër abortit, por ke dështuar si prind!

Sërish nuk mund t’i japim përgjigje përfundimtare nëse aborti duhet të jetë apo jo legal, por duhet t’i përgjigjemi pyetjeve: A u lind ky fëmijë si pasardhës në kompromis të dy palëve që kur të rritet të jetë një individ i pavarur apo si shkak i përdhunimit, mentalitetit, varfërisë, dhunës apo dëshirave absurde të momentit.

PS: Presidenti i Shteteve të Bashkuar, Donald Trump, duket se ka filluar pa hezitim realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Ai nënshkroi pa hezitim një dekret që ndalon fondet federale të financuara nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare që mbështesin abortin. Menjëherë pas vendimit, kanë ardhur edhe reagimet e para nga aktivistët, të cilët e kanë quajtur bllokimin e financimit të abortit si një sulm mbi shëndetin e grave.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top