Me kalimin e viteve vijne edhe problemet me shëndetin. Çrregullimet e traktit tretës bëhen më prezente pas të 50-ve. Albana Daka, mjeke laboratori dhe nutricioniste, vë në dukje se shumë të moshuar përdorin medikamente anti-inflamatore për të kontrolluar dhimbjet si artriti apo dhimbje të tjera kronike. Përdorimi i rregullt i këtyre medikamenteve rrit riskun e gjakderdhjeve dhe ulcerës në stomak. Por cilat janë disa nga problemet më të zakonshme të traktit tretës dhe si mund të parandalohen ato përmes një mjekimi, bazë e të cilit është mënyra e të ushqyerit?
Sipas doktoreshës, polipet dhe sëmundja e refluksit gastro-ezofagal janë dy nga patologjitë që hasen më shpesh te të moshuarit. Për polipet shkaktarët shihen te regjimi ushqimor dhe faktori gjenetik. Ato mund të jenë kancerogjene që në momentin e shfaqjes ose mund të bëhen të tilla me kalimin e kohës. Sa i takon sëmundjes së refluksit gastro-ezofagal, ndodh atëherë kur acidi i stomakut kthehet mbrapsht në ezofag, duke shkaktuar urth dhe simptoma të tjera.
“Ngrënia vonë në darkë dhe ngrënia e ushqimeve të gabuara mund të shkaktojë refluks. Edhe medikamente të caktuara që marrin të moshuarit si p.sh.: ilaçet për presionin e gjakut shkaktojnë të njëjtat simptoma”, thekson Daka. Me rëndësi janë edhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar shfaqjen por edhe avancimin e këtyre problemeve që shfaqen në stomak. Konsumimi i sa më shumë frutave, perimeve, drithërave dhe i lëngjeve, si dhe mbajtja nën kontroll e peshës janë disa prej këshillave që sugjeron mjekja nutricioniste, Albana Daka.
Mosha e tretë ka pluset dhe minuset e veta. Një gjë pozitive është që keni më shumë kohë në dispozicion për t’u relaksuar dhe për të shijuar jetën. Ndër gjërat negative mund të përmendim sfidat që paraqet shëndeti në këtë moshë, duke përfshirë këtu një rritje të çrregullimeve të traktit tretës. Sigurisht, problemet me stomakun mund të ndodhin në çdo moshë, por janë më të shpeshta në moshën e tretë. Shumë të moshuar përdorin medikamente anti-inflamatore për të kontrolluar dhimbje si artriti apo dhimbje të tjera kronike. Përdorimi i rregullt i këtyre medikamenteve rrit riskun e gjakderdhjeve dhe ulcerës në stomak. Disa nga problemet më të zakonshme të traktit tretës janë: POLIPET Pas moshës 50-vjeçare rritet risku për zhvillimin e polipeve. Këto polipe mund të mos jenë kancerogjene, por mund të bëhen kancerogjene me kalimin e kohës apo mund të jenë kancerogjene që në fillim. Mendohet se shkaktohen nga regjimi ushqimor, plus faktorët gjenetikë.
SËMUNDJA E REFLUKSIT GASTRO-EZOFAGAL
Ndodh kur acidi i stomakut kthehet mbrapsht në ezofag duke shkaktuar urth dhe simptoma të tjera. Ngrënia vonë në darkë dhe ngrënia e ushqimeve të gabuara mund të shkaktojë refluks. Edhe medikamente të caktuara që marrin të moshuarit si p.sh: ilaçet për presionin e gjakut shkaktojnë të njëjtat simptoma. Obeziteti rrit gjithashtu riskun për sëmundjen e refluksit gastro-ezofagal, kështu që nëse shtoni peshë mund të keni më shumë refluks.
PARANDALIMI DHE MJEKIMI
Ashtu si me çdo problem tjetër shëndetësor, parandalimi është mjekimi më i mirë. Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë të mbroni traktin tretës dhe shëndetin tuaj në përgjithësi: kontrolloni dozën e medikamenteve me mjekun tuaj. Nëse merrni mjekim antiinflamator bini dakord me doktorin që të merrni dozën më të ulët efektive. Qëndroni aktivë, ecni të paktën 40 minuta për 5 herë në javë. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni shumë probleme shëndetësore që lidhen me moshën. Hani më shumë fibra. Ushqimet e pasura me fibra, duke përfshirë frutat dhe perimet, drithërat dhe fasulet, thjerrëzat janë të pasura me vlera ushqimore dhe nuk kanë tepricë yndyrash. Pini shumë lëngje. Pini ujë, çajra pa kafeinë etj. E rëndësishme është të mos ndjeni etje gjatë ditës. Mbani nën kontroll peshën. Mbajtja e një peshe të shëndetshme ju ndihmon të parandaloni shumë probleme shëndetësore që lidhen me moshën të tilla si: sëmundjet e zemrës, diabeti dhe presioni i lartë i gjakut. Duke shmangur këto probleme shëndetësore mund të reduktoni numrin e ilaçeve që ju duhet të merrni, çka ju ekspozon më pak ndaj efekteve anësore të traktit digjestiv. Pakësimi i yndyrave, zgjedhja e ushqimeve të shëndetshme dhe porcioneve të duhura do t’ju ndihmojë të mbani peshën nën kontroll. Balanca alkaline dhe acide e trupit, e njohur ndryshe si pH mund të ndikojë në mirëqenien tuaj. Të gjitha ushqimet kanë aftësi për të ndryshuar pH e trupit, i cili vazhdimisht lufton për balancë. Sëmundjet shkaktohen kur trupi has shumë ushqime acide dhe shumë stres. Kështu, këshilla është të konsumoni sa më pak ushqime acide dhe të fokusoheni në ushqimet alkaline./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.