Prof. As. Monika Fida
Departamenti i Dermatologjisë, Universiteti i Mjekësisë Tiranë
Sot kudo në botë, por edhe në vendin tonë, po flitet për rënie në peshë në mënyrë të shpejtë nëpërmjet injeksionit të preparativave të ndyshme si p.sh. Ozempik (semaglutide) preparat që përdoret për të trajtuar Diabetin tip 2. Faktikisht përdorimi i këtij preparati mund të realizojë rënie në peshë, por nga ana tjetër alarmi është ngritur nga mjekët në të gjithë botën për efektet anësore gjatë dhe pas përdorimit të Ozempik. Unë sot do doja të diskutoja me ju se çfarë efektesh mund të ketë përdorimi i preparatit Ozempik në lëkurë, efektet anësore, dhe si mund t’i parandalojmë ose trajtojmë.
Në vendin e aplikimit / injeksionit ju mund të vëreni këto efekte anësore:
1. Reaksione në vendin e aplikimit si skuqje, enjtje, të krojtura dhe dhimbje të lehtë. Këto efekte janë të lehta dhe mund të kalojnë shpejt.
2. Rash medikamentoz / alergjizim nga medikamenti, që mund të vërehet në tërë trupin si rezultat i alergjizimit dhe kjo situatë është një emergjencë mjekësore dhe kërkon trajtim të alergjizimit dhe ndërprerje të preparatit ozempik.
3. Urtikaria/ reaksion alergjizim medikamentoz që është urgjencë mjekësore dhe kërkon trajtim nga mjeku dermatolog, alergolog, por këshilla e parë është, ndërprit medikamentin shkaktar.
4. Irritimi në lëkurë në vendin e injeksionit, duke çuar në tharje dhe parehati në vendin e injeksionit.
Si mund t’i minimizojmë këto efekte?
Teknika e duhur për injektimin e Ozempic:
- Ndryshoni vendet e injeksionit: Ndryshoni vendin e injeksionit çdo herë për të shmangur irritimin. Zonat më të zakonshme janë barku, ije ose krahu i sipërm.
- Përdorni gjilpërën e duhur: Sigurohuni që të përdorni gjilpërën e duhur sipas këshillave të mjekut tuaj. Injektimi duhet të jetë ngadalë dhe me kujdes për të minimizuar parehatinë.
- Mbani lëkurën të hidratuar: Nëse ndjeni thatësi ose irritim, aplikoni një krem hidratues pa aromë pas injeksionit.
- Vëzhgoni reagimet alergjike: Nëse vini re skuqje, ënjtje ose skuqje të lëkurës, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj. Shmangni gërvishtjen për të parandaluar përkeqësimin e irritimit.
- Menaxhoni reaksionet e vendit të injeksionit: Përdorni kompresë të ftohtë për të zvogëluar ënjtjen dhe dhimbjen pas injeksionit dhe lini lëkurën të shërohet ndërmjet injeksioneve.
- Konsultohuni me mjekun tuaj: Nëse keni probleme të vazhdueshme me lëkurën, si irritime ose reagime alergjike, diskutoni me mjekun tuaj për mundësinë e ndryshimit të vendit të injeksionit ose rregullimit të dozës.
Ozempik face, si mund ta parandalojmë?
Efektet në lëkurë nga humbja e peshës me Ozempik:
- Laksiteti i lëkurës (varje)
Humbje e shpejtë peshe: Sa më shpejt të humbni peshë, aq më shumë ka mundësi që lëkura juaj të ketë vështirësi për t’u përshtatur me formën e re të trupit tuaj. Lëkura mund të humbasë elasticitetin e saj, duke çuar në varje, veçanërisht në zonat ku ka më shumë yndyrë (si barku, këmbët, apo krahët). E sidomos nëse një person ka qene mbi peshe për një periudhë të gjatë kohore. Me kalimin e kohës, kjo mund të çojë në shpërbërjen e kolagjenit dhe elastinës, që janë proteina kryesore që mbajnë lëkurën të fortë dhe elastike.
- Ndryshimet në lëkurën e fytyrës
Reduktimi i vëllimit të fytyrës: Humbja e peshës mund të shkaktojë një reduktim të indit subkutan në fytyrë, e cila mund ta bëjë lëkurën të duket më e zbrazët, veçanërisht rreth faqeve, linjës së nofullës dhe qafës. Reduktimi i vëllimit të fytyrës gjithashtu mund të theksojë pamjen e vijave të imta ose rrudhave, sidomos për ata që janë më të moshuar.
- Strijat
Edhe pse Ozempic shkakton humbje peshe, strijat mund të zhvillohen nëse humbja e peshës është e shpejtë. Lëkura sforcohet si përgjigje ndaj ndryshimeve të shpejta dhe kur ajo nuk kthehet në formën origjinale, mund të formohen strija, veçanërisht në zona si barku, këmbët ose krahët.
Si t’i minimizojmë këto efekte të padëshirueshme?
Humbja e peshës ngadalë dhe qëndrueshëm: Humbja e peshës graduale është më e mirë për të ruajtur elasticitetin e lëkurës. Kjo i jep lëkurës më shumë kohë për t’u përshtatur me formën e re të trupit, duke mundësuar minimizimin e varjes.
Aktivitet fizik dhe ndertim i mases muskulare: Angazhimi në ushtrime fizike (si ngritja e peshave ose stërvitje me rezistencë) mund të ndihmojë për të tonifikuar dhe ndihmuar në ndërtimin e muskujve nën lëkurë, gjë që mund të ndihmojë për ta tendosur lëkurën, veçanërisht në zonat që humbin yndyrë më shpejt.
Hidratimi: Hidratimi i lëkurës duke pirë shumë ujë dhe përdorur kremra mund të ndihmojë në ruajtjen e elasticitetit të lëkurës. Lëkura e hidratuar ka më shumë mundësi të ruajë fortësinë dhe elasticitetin e saj. Aplikimi i kremrave që përmbajnë përbërës si acid hialuronik, retinoidë ose peptide mund të mbështesin elasticitetin e lëkurës dhe prodhimin e kolagjenit, duke mundësuar reduktimin e pamjes së lëkurës së varur.
Procedura Kozmetike: Për të pasur një lëkurë me më pak rrudha dhe një paraqitje sa më të re, rekomandohen që krahas injeksioneve të Ozempik të fillojnë dhe injeksionet e mesoterapive të ndryshme veçanërisht në fytyrë, qafë dhe dekolte. Mund të pasohet me injeksione të acidit hialuronik, vitaminave dhe exosomeve për të ruajtur freskinë e lëkurës dhe për të pasur një vitalitetit të lëkurës. Nëse ndodhin ndryshime të konsiderueshme në laksitetin e lëkurës pas humbjes së konsiderueshme të peshës, disa njerëz mund të zgjedhin procedura kozmetike si trajtime për tendosjen e lëkurës (p.sh., radiofrekuencë, lazer, fije) ose madje kirurgji (p.sh., abdominoplastikë) për të adresuar lëkurën e tepërt.
Këshilla përfundimtare: Edhe pse Ozempic është efektiv për humbjen e peshës, është e rëndësishme që ta balanconi atë me një stil jetese të shëndetshme që përfshin ushqim të mirë, hidratim dhe ushtrime për të mirëmbajtur shëndetin e lëkurës. Mjeku dermatolog mund t’ju aplikojë disa procedura për ruajtjen e vitalitetit dhe freskisë në lëkurë.
Adresa: Rr. “Don Bosko”, Pll. 2, Hyrja 1, Sh. C, Ap. 6
Tel: +355 4 240 4060, Cel: +355 67 20 33 624
Ueb: www.aderma.al
e-mail: [email protected]
Facebook: Klinika Dermatologjike A Derma
Instagram: klinikaaderma
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.