Në fokus

June 22, 2018 | 9:16

Prof. Dr. Pajtim Lutaj: Telefoni dhe televizori nuk dëmtojnë sytë e fëmijëve!

Flet për “Super Shëndeti”, mjeku oftalmolog, Prof. Dr. Pajtim Lutaj: Televizori dhe telefonat mund të ndihmojnë të nxjerrin në pah defektet që kanë fëmijët me shëndetin okular…

Prof. Dr. Pajtim Lutaj

Prof. Dr. Pajtim Lutaj

A duhet të shqetësohen prindërit, në momentin që marrin vesh se fëmija ka nevojë për syze?

Absolutisht jo! Madje është totalisht e kundërta. Sa më shpejt të identifikoni problemet e syve të fëmijëve tuaj dhe sa më shpejt t’i korrigjoni problemet e tyre me syze, aq më mirë është për shëndetin okular të fëmijës tuaj, në atë moment. Por, nëse ju e neglizhoni mund të jetë fatale, madje mund të mbetet një problematikë gjatë gjithë jetës.

Ju prindër të rinj, nëse vini re një shtrembërim apo një mos përgjigje të shikimit të fëmijës tuaj, duke nisur nga mosha 1 vjeç, duhet urgjent të paraqiteni te okulisti. Kjo pasi, minimalja fëmija juaj mund të ketë një sy dembel dhe ka probleme me pamjen binokulare, e cila pas moshës 6 vjeç nuk zhvillohet më…

“E ndesh përditë, por kjo është shumë, shumë dëmtuese për syrin, pasi pamja binokulare zhvillohet që në vitin e parë të jetës, vitin e dytë, vitin e tretë. Kështu, që sa më shpejt të kapet, të trajtohet aq më shumë rezultate kemi. Aq e rëndësishme është, sa që pas moshës 6-vjeçare, sipas shkencës pamja binokulare, tredimensionale, nuk zhvillohet më”.

Prof. Dr. Lutaj, do të kishte një interes në lidhje me atë çfarë po ndodh vitet e fundit në Shqipëri. Do të doja të dija se, cilat janë problematikat më të shpeshta, që hasni ju në punën tuaj, përsa i përket dëmeve që i kanosen syve. A ka probleme të shtuara apo janë të njëjtat që kanë ekzistuar gjithnjë?

Patologjitë e syve, si them unë shëndeti okular! Sot është mirë të përdorim termin, shëndeti okular. Është një term, që përdoret edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë edhe nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, sepse patologjitë e syve kanë dy veçori:  E para patologjia e organit të syrit, që janë: sëmundja, infeksioni dhe e dyta kanë anomalitë e shikimit apo siç quhet në gjuhën e popullit, nevoja për syze.

Sipas konceptit tuaj, duhet ndarë syri, si organ nga dëmet e shikimit?

Patjetër, d.m.th është i vetmi organ, që është tjetër gjë të trajtosh patologjinë dhe tjetër gjë të trajtosh një nevojë komplementare për shikimin: Siç janë syzet, lentet e kontaktit.

Vendosja e syzeve, vjen si problem i dytë?

Për mua të dyja janë të rëndësishme, por atë të parën e trajton mjeku që bën patologjinë, që vendos diagnozën, që bën kirurgjinë, që bën trajtimin, këtë të dytin më tepër e trajton ai sektor që ne e quajmë OPTIKA.

Ndërsa, në lidhje me pyetjen tuaj, lidhur me sëmundjet që ka shtuar globalizmi, avancimi i teknologjisë, është një e vërtetë që vitet e fundit shihet më shumë në atë që ne e quajmë anomalitë e refleksionit apo nevoja për syze, që ndahet në miopi, hipermetropi dhe astigmatisma.

Ka shumë ide, përse janë rritur këto.

Unë nuk mendoj se këto janë rritur për shkak të kushteve, nuk mendoj se këto janë rritur për shkak, ashtu siç është futur shumë në mentalitetin e popullit, se përdoret më shumë telefoni, se përdoret më shumë ekrani i kompjuterit, apo televizori.

 Po, në fakt në një prononcim në gazetën “Super Shëndeti” të pak kohëve më parë ju keni mbrojtur idenë se ekranet e teknologjisë nuk i prishin sytë e fëmijëve, ndërsa ne jemi mësuar të dëgjojmë të kundërtën. Si e mbroni ju qëndrimin tuaj?

Unë do të jap idenë time, në lidhje me këtë çështje dhe atë që shkruan shkenca sot. Teorikisht shkenca nuk i lidh ndryshimet e refraksionit të syrit me përdorimin e ekranit, kompjuterit, i-pode, telefonit, por indirekt, kjo ndikon në zbulimin e kësaj anomalie.

Për t’u shpjeguar më mirë me publikun! 

Në qoftë se një fëmijë lexon afër për një kohë më të gjatë, ai e realizon më mirë, refraksionin e syrit, pra thyerjen e dritës.

Kjo ndihmon sipas jush?

Po. Kjo do të thotë, që qëndrimi gjatë para teknologjisë, ka zbuluar defektet e syrit. Një fëmijë që përdor ipode apo telefon, por në fakt ka lindur me një numër, plus 2, plus 3, lodhet më shpejt, se sa norma apo moshatarët e vet. Kështu, pulit sytë, fërkon sytë, jep disa shenja që me të drejtë prindi shqetësohet dhe i drejtohet okulistit për vizitë të specializuar. Dhe gjatë ekzaminimit zbulohen këto, që quhen defekte të refraksionit, të cilat vendi ynë futet te rreth 30 apo 40 %. Unë kam bërë dhe një artikull dhe një emision televiziv disa vite më parë. Dhe, e mbroj edhe me studimet shkencore.

P.sh, shkenca sot nuk thotë se është rritur miopia, për shkak të teknologjisë.

Më ka bërë shumë përshtypje edhe një artikull i një profesori anglez, i cili e justifikonte në një mënyrë, shumë shumë origjinale. Në pyetjen që i bëhet: “A e dëmton televizori syrin”? Ai iu përgjigj shumë thjesht.

I tha: Shikoni prospektusin kur blini televizorin! Shkruan gjë aty: “Televizori dëmton sytë”. Nuk besoj, nuk besoj…

Unë do të thosha që këto, ekrani i TV, indirekt ka ndikuar në zhvillimin e një sëmundjeje, që sipas studimeve të mia personale dhe në botë është në rritje e sipër. Kjo është një sëmundje e xhamit të syrit apo e kornesë, që quhet keratokon, të cilin shikojmë që vitet e fundit po vjen shumë duke u rritur, por që e lidhin indirekt me televizorin.

P.sh një fëmijë që ka një problem, i fërkon shumë sytë, duke e bërë këtë veprim deformohet ‘xhami i syrit’, kornea dhe merr formën e konit. Dhe, prandaj quhet keratokon.

Po, në momentin kur jemi te vendimi për t’i vënë syze fëmijës. Cilat janë vlerësimet parapake që bëhen?

Nuk ka vendim për të marrë. Problemi i syzeve apo ato që thashë në fillim, të metat e refraksionit është një defekt i syrit, që përthyerja e dritës mund ta bëjë në një pikë ‘x’, që është retina, që quhet përthyerja normale, nuk e bën dot. Kur kjo përthyerje është më e madhe, pra është përpara retinës, pacienti quhet miop dhe duhet t’i vëmë xhama negative. Kur kjo përthyerje është mbrapa syrit, pra nuk e përthyen ta sjellë te retina, përthyerja është më e vogël, duhet ta forcosh, duhet t’i vësh xhama pozitivë. Pa u futur, më tej, pasi janë terma profesionalë.

Pra, ky vendim, nuk ka të bëjë me një vendim, sesa një problem për t’u zgjidhur, që nuk quhet trajtim, por quhet korrigjim.

Marrim një fëmijë, që ka një problem me shikimin dhe do ta diagnostikojmë, nëse është hipermetrop plus, 100 % janë të lindura.

Në qoftë se është miop, këto fitohen kryesisht në pubertet, mundet të jenë dhe të lindura dhe duhet ta korrigjojmë.

Sa më mirë ta korrigjojmë, aq më shumë kemi shanse që ky shikim të zhvillohet, sepse drita e syrit, duke qenë se nuk ngacmohet, nuk zhvillohet dhe te fëmija zhvillohet ajo që quhet ambiopi apo dembelizëm.

Një sy nuk shikon sa syri tjetër, është truri që i zgjedh. Natyra na ka bërë dy sy, jo kot. D.m.th na ka dhënë dy sy për të realizuar disa funksione të rëndësishme, që është pamja tredimensionale. Me një sy nuk shikojmë dot në 3D.

Janë disa profesione të veçanta, që nuk zhvillohen pa pamjen binokulare. Dhe duke qenë se ne nuk e korrigjojmë mirë, atëherë truri zhvillon syrin, që jep pamjen më të mirë. Ndërkohë, syri që nuk jep pamjen më të mirë, nuk zhvillohet dhe zhvillohet syri dembel.

Kjo është shumë e rëndësishme të dihet, të theksohet në të gjitha fushat. Sepse, prindi ka një mentalitet, se shiko se duhet të presim moshën 13 vjeç apo 16 vjeç që ta vizitojmë. E ndesh përditë, por kjo është shumë, shumë dëmtuese për syrin, pasi pamja binokulare zhvillohet që në vitin e parë të jetës, vitin e dytë, vitin e tretë.

Kështu, që sa më shpejt të kapet, të trajtohet aq më shumë rezultate kemi. Aq e rëndësishme është, saqë pas moshës 6-vjeçare, sipas shkencës pamja binokulare, tredimensionale, nuk zhvillohet më.

Janë gati 10 % të fëmijëve që janë kështu, që kanë dy sy, por truri u përdor vetëm një sy.

Nuk është një handikap shumë i madh, por te këta sy, ambiopë siç i themi ne, vijnë edhe problemet e tjera. Duke qenë se është një sy që nuk përdoret dhe lëviz, shtrembërohet, edhe ndikon edhe në anën estetike.

Prandaj, trajtimi i kësaj, quhet trajtimi funksional. Të fitojmë shikimin dhe pastaj, nëse ne fitojmë shikimin. Pasi, kjo ka tre shkallë.

Shkalla e parë është që të fitojmë që të dy sytë, t’i vendosim të barabartë në numër, pra të vendosim syze. Pastaj sytë, t’i vendosim të barabartë në shikim në tabelë, me qëllim që truri të bashkojë figurat dhe të na japë atë që quhet pamja tre dimensionale.

Këto pastaj, mund të korrigjohen me rritjen e fëmijës me lente kontakti, mund të korrigjohen me operacionet e famshme me laser, që heqin numrat e syzeve.

Heqja e syzeve i bie që të jetë problem më i vogël, kur nisim të shqetësohemi për sytë?

Është problemi i fundit dhe është estetik. Për mua si mjek, që pacienti mban syze, mban lente kontakti apo bën ndërhyrje për të hequr syzet, quhet i korrigjuar. Se çfarë zgjedh pacienti është dëshirë e tij…

 

Burimi / http://supershendeti.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top