Vitet e fundit janë thyer tabu të cilat duket sikur kanë dhe elemente misteri brenda. Disa lloj profesionesh që deri dje konceptoheshin se ishin vetëm për meshkujt, tanimë kanë përmbysur raportin. Sot për shembull, gjithnjë e më shumë shohim femra si shofere. Gjithnjë e më shumë nëpër botë po shohim edhe gra në këto zanate, pra, si drejtuese mjetesh të transportit apo instruktore.
Tashmë makina është një mjet njëlloj i rëndësishëm për të dyja gjinitë. Por a e dini se në cilin qark janë pajisur më shumë gra me leje drejtimi? Në bazë të të dhënave, Durrësi është i pari, më pas vjen Lezha, Tirana, Shkodra, Elbasani, Vlora, Berati, Kukësi, Dibra, Fieri, Gjirokastra, Korça. Megjithatë, ndryshimi midis grave që pajisen me leje drejtimi dhe burrave mbetet akoma i lartë.
Profesioni polic
Kemi parë kohët e fundit një numër të konsiderueshëm femrash police. Forcimi i pozitës së tyre është një përpjekje për të ndërtuar një shërbim policor të balancuar. Ato përmirësojnë aftësitë e tyre menaxheriale dhe operative, dhe shkojnë lirshëm drejt gradave dhe pozitave të larta nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, për të pasqyruar plotësisht larminë e shoqërisë. Gjithë shoqëria e mbështesim krijimin e politikave afirmative për të rritur numrin e grave në këtë profesion dhe për të parandaluar ose eliminuar çdo veprim diskriminues ndaj tyre.
Femra politikane
Ndërsa vitet kanë kaluar, pjesëmarrja e grave në politikë, qeveri ose pushtet vendor është rritur. Femrat politikane shpesh trajtojnë çështje që prekin familjet, si kujdesi për fëmijët, siguria e pensioneve, dhuna në familje, ngacmimet seksuale etj… Shumë tema që kanë hyrë në dialogun publik tani, nuk do të diskutoheshin po të mos ishin gratë në atë sallë. Gratë nuk motivohen nga pushteti apo egoja, por sepse ato vërtet janë më të prirura të sjellin ndryshime pozitive. Gratë janë bashkëpunuese si natyrë. Ato janë të orientuara nga zgjidhja e problemeve. Një studim i vitit 2018 arriti në përfundimin se senatoret gra bashkëpunonin më shpesh me njëra-tjetrën dhe kishin më shumë prirje të punonin me palën tjetër dhe se ishin më aktive sesa homologët e tyre burra.
Boksi dhe mundja i njohim si sporte të rënda për meshkujt, po për femrat?
Një shembull i kohëve të fundit, Donjeta Sadiku, po e trondit botën e boksit. Boksierja e talentuar nga Gollaku i mahniti të gjithë me cilësitë e saj në Kampionatin Evropian që u mbajt në Ordu të Turqisë. Kjo vajzë vjen nga klubi i cili nuk ka shumë vite që është themeluar dhe brenda kësaj periudhe zbuloi e formoi një talente në sportin që përfaqëson. Donjeta ishte e vendosur të merrej me këtë sport dhe tani është në përmasat botërore. Kuptohet që rruga deri te medalja ka qenë shumë e vështirë.
Nëse në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë një skuadër boksi për femra, tashmë shoqata “ALBA” është regjistruar në Federatën Shqiptare të Boksit dhe të Mundjes. Mjeshtëri i boksit Ahmet Golemi thekson se Shqipëria është një nga vendet e vetme që nuk i praktikon këto sporte.
Dëshira dhe iniciativa e ish-mundësit Riza Bregu, dhe vajzës së tij Arzikos, boksiere në Itali, bën të mundur dhe në Shqipëri duke hapur këtë sport për vajza. Boksierja Bregu pas suksesit të saj që ka arritur jashtë vendit, me 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje nga 6 ndeshje të luajtura, dëshiron ta promovojë këtë sport edhe në Shqipëri.
Motorist
Më të rralla janë vajzat me motor.
Asil Özbay, lektore në Fakultetin e Sportit pranë Universitetit Gedik të Turqisë, para disa kohësh vendosi të përshkojë 10 shtete të Ballkanit mbi motor me moton: “Një Grua, Një Motor, 10 Shtete”. Ky ishte një projekt kundër dhunës ndaj grave, kundër vrasjeve si dhe shtypjeve psikologjike dhe fizike ndaj tyre. Në themelin e këtij projekti është liria e femrave. Në vazhdën e këtij projekti ajo përshkoi dhjetë shtete e vetme mbi një motor”.
Özbay shpjegon se udhëtimi i saj zgjati rreth 20 ditë. Udhëtimi filloi nga Greqia, vazhdoi me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë, Bosnje Hercegovinën, Slloveninë, Serbinë dhe më pas duke kaluar nga Kosova dhe përfundoi me Bullgarinë. Në Shqipëri gjithashtu kanë qenë dhe janë shumë të rralla femrat me motor. Ndoshta brezi i ri do të sjellë një risi edhe në këtë fushë.
Kohët e fundit shohim në youtube që qarkullon një këngë dedikuar vajzave me Kawasaki me tekst, muzikë dhe e realizuar nga Iris Mjolli (studente në degën e ekonomikut në një universitet jo publik), e cila i përket brezit të ri të artistëve.
Kufijtë e femrave janë shumë të gjera, prandaj ato kanë nevojë për inkurajim, për të mund të realizuar një diapazon gjërash, sado të vështira qofshin ato.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.