FB

July 1, 2023 | 7:35

Profesori i Harvard-it: Paraja nuk e rrit lumturinë, por vetëm e zvogëlon atë

Arthur C.Brooks është shprehur se nuk është një njeri i lumtur dhe se kjo është arsyeja pse e bëri lumturinë fushën e tij të studimit. Në moshën 31-vjeçare, ai braktisi karrierën e tij si instrumentist për t’u doktoratuar në analizën e politikave publike. Tani, ai jep mësime rreth lumturisë dhe udhëheqjes në Harvard Business School (HBS), një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.

“Çfarë do të thotë lumturia për ju?”

Kur unë i pyes studentet e mi në ditën e parë të leksioneve, ata më thonë se është një ndjenjë. Por unë mendoj se e kanë gabim: nëse jeni duke kërkuar një ndjenjë të tillë, atëherë do të jeni vazhdimisht të zhgënjyer. Lumturia nuk është një destinacion; por një drejtim, një projekt.

Çdo gjë që vlen në jetë është një projekt; dhe jo diçka që e keni. Për më tepër, në këtë rrugë duhet të shkoni kundër rrymës, kundër botës dhe kundër natyrës. Natyra do nga ne vetëm 2 gjëra: të mbijetojmë dhe të kalojmë materialin gjenetik.

Nuk ka rëndësi nëse jemi apo jo të lumtur. Dhe nëse dëgjoni mantrën “Nëse ndihesh mirë bëje”, siç bënë hipitë, do të përfundoni duke e shkatërruar jetën tuaj. Ju duhet të shkoni kundër valës së ekonomisë, kulturës dhe veçanërisht kundër Nënës Natyrë…

Si i qaseni marrëdhënies mes parasë dhe lumturisë me ta?

Paga mesatare pas diplomimit në HBS është 200.000 dollarë në vit. Klasa ime është më e pëlqyera, sepse studentët e mi e dinë se gjithçka që kanë bërë prej vitesh nuk do t’i bëjë të lumtur. Disa njerëz mendojnë: “Nëse kam sukses, para, kënaqësi dhe famë, do të jem i lumtur”.

Por kjo është një qasje gabuar. Unë u them se paraja nuk ka asgjë të keqe në vetvete, por ata duhet të kuptojnë marrëdhënien e saj me lumturinë: paraja nuk e rrit lumturinë; ajo vetëm e zvogëlon pakënaqësinë, dhe deri në një pikë mjaft të ulët, rreth 100.000 dollarë. Përtej kësaj shume, nuk ka rëndësi se sa para keni.

Cili është ndryshimi midis reduktimit të pakënaqësisë dhe rritjes së lumturisë?

Lumturia dhe pakënaqësia nuk janë të kundërta; ndodhin në pjesë të ndryshme të trurit. Kur mendojmë se po kalojmë një ditë të mirë, do të thotë se përzierja e këtyre dy grupeve është pozitive. Ka katër gjëra që mund të bëni me paratë: t’i shpenzoni për gjëra, t’i shpenzoni për të pasur më shumë kohë, t’i shpenzoni për të blerë përvoja ose t’i dhuroni ato. Natyra thotë se ju dëshironi të keni më shumë gjëra, por kjo nuk do ta rrisë kurrë lumturinë tuaj. Megjithatë, nëse e investoni atë në familjen dhe miqtë tuaj, kjo do të rrisë lumturinë tuaj, si dhe duke e përdorur atë në mënyrë filantropike. Në fund të fundit, sekreti është dashuria.

Ndërkohë edhe familja po bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme. Problemi i vetmisë është me pasoja katastrofike. Kompanitë kanë vetëm liri veprimi në shtyllën e punës duke e ndihmuar punonjësin të ketë një qëllim, por ato nuk mund të bëjnë asgjë për besimin e punonjësve apo për familjen e tyre. Prandaj them se problemi është kulturor dhe jo ekonomik.

Pakënaqësia në punë ka të bëjë shpesh me punonjësit që nuk ndihen të përmbushur nga puna e tyre. Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që do të hyjnë në tregun e punës?

Zakonisht në ceremoninë e diplomimit, folësi kryesor i këshillon gjithmonë të rinjtë “Gjeni një punë që ju pëlqen, dhe nuk do të punoni asnjë ditë në jetën tuaj”. Por kjo është një këshillë e keqe. Sepse nuk do të gjeni asnjëherë një punë që është gjithmonë argëtuese. Këshilla e dytë që ju japin është “Të shpëtoni botën”, të cilën nuk do ta arrini kurrë. Ju duhet të gjeni diçka interesante, e cila nuk do të jetë gjithmonë argëtuese apo do të ketë një ndikim në botë, por do të jetë gjithmonë e juaja. Gjëja më interesante për ju është profesioni juaj nëse mund të siguroni jetesën me të.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi / Iconstyle

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top