Në fokus

October 13, 2020 | 8:12

Pse disa njerëz nuk shërohen plotësisht nga covid-19

Për shumë njerëz, Covid-19 është një sëmundje e shkurtër dhe e lehtë, por disa të tjerë kanë mbetur duke luftuar me simptoma që përfshijnë lodhje të vazhdueshme, dhimbje dhe marrje fryme për muaj të tërë.

Deri më tani, fokusi ka qenë shpëtimi i jetës së pacientëve por tani ka shumë pacientë që ankohen se po përballen me pasoja afatgjata. Gjithashtu, edhe pyetje të tjera të tilla si: pse njerëzit vazhdojnë të jenë të infektuar edhe mbas shumë kohësh ose nëse të gjithë do të shërohen plotësisht, vazhdojnë të mos marrin asnjë përgjigje.

Çfarë do të thotë të mos shërohesh nga Covid-19?

Nuk ka simptoma të njëjta për të gjithë dhe dy pacientë që kanë virus ka shumë kohë dhe vazhdojnë të kenë simptoma, mund të kenë simptoma të ndryshme. Gjithsesi, simptomat më të shpeshta janë lodhja fizike dhe dhimbjet e kyçeve. Simptoma të tjera përfshijnë marrje fryme, kollë që nuk largohet, dhimbje muskulore, probleme me shikimin dhe dëgjimin, humbje shije dhe nuhatjeje. Gjithashtu janë vënë re dhe probleme mendore siç janë depresioni dhe ankthi.

Sa njerëz po i vuajnë këto simptoma?

Një studim i 143 personave në spitalin më të madh të Romës, i botuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, ndoqi pacientët pasi dolën nga spitali doli në përfundimin se 87% kishin të paktën një simptomë gati dy muaj më vonë dhe më shumë se gjysma kishin ende lodhje.

Nga ana tjetër, një aplikacion që ndjek dhe regjistron simptomat e Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, i përdorur nga rreth katër milion njerëz zbuloi se 12% e njerëzve kishin ende simptoma pas 30 ditësh. Të dhënat e fundit, të pabotuara tregojnë se një në 50 njerëz (2%) e të gjithë njerëzve të infektuar kanë simptoma të Covid-19 pas 90 ditësh.

A keni nevojë për Covid të rëndë për të pasur simptoma që zgjasin?

Duket se jo. Gjysma e njerëzve në një studim në Dublin kishin ende lodhje 10 javë pasi ishin infektuar me koronavirus. Një e treta nuk ishin fizikisht në gjendje të ktheheshin në punë. Në mënyrë thelbësore, mjekët nuk gjetën asnjë lidhje midis ashpërsisë së virusit dhe lodhjes. Chris Brightling, pedagog në Universitetin e Leicester dhe shefi  i projektit “PHOSP-Covid” i cili po ndjek shërimin e njerëzve, beson se njerëzit që kanë kaluar pneumoni mund të kenë më shumë probleme për shkak të dëmtimit të mushkërive.

Si po shkakton virusi simptoma që zgjasin?

Ka shumë ide, por nuk ka përgjigje përfundimtare. Virusi mund të jetë pastruar nga pjesa më e madhe e trupit, por vazhdon të mbetet në disa “xhepa” të vegjël. “Nëse keni diarre për një kohë të gjatë, atëherë ju keni një pjesë të virusit në zorrë. Kështu mund të shpjegohet dhe arsyeja pse ju vazhdoni të keni disa simptoma edhe mbas shumë kohësh.” thotë Tim Spector, pedagog në Kolegjin “King’s” në Londër.

Një mendim është se sistemi imunitar nuk kthehet në normalitet pas Covid-it dhe kjo shkakton probleme në shëndet. Infeksioni gjithashtu mund të ndryshojë se si funksionojnë organet e njerëzve apo dhe metabolizmin. Ka pasur raste të njerëzve që luftonin për të kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak pas shfaqjes së diabetit si rezultat i Covid. Madje Sars çoi në ndryshime në mënyrën se si trupi përpunonte yndyrnat për të paktën 12 vjet.

Lodhja post-virale ose një kollë post-virale janë të dokumentuara dhe të zakonshme pasi me siguri të gjithë kemi pasur një infeksion që na është dashur kohë për tu rikuperuar plotësisht. “Covidi duket se ka më shumë simptoma por për aq kohë sa nuk kemi një numër se sa njerëz janë infektuar nuk do të dimë saktësisht se sa të zakonshme janë këto simptoma.” thotë Brightling.

A do të shërohen plotësisht njerëzit?

“Ne kemi kërkuar, qëllimisht, të ndjekim njerëzit për 25 vjet, unë sigurisht shpresoj që vetëm një numër shumë i vogël do të ketë probleme që tejkalojnë një vit, por mund të gaboj për aq kohë sa nuk ka të dhëna afatgjata.” tha Brightling.

Gjithashtu ekzistojnë shqetësime që edhe nëse njerëzit duket se shërohen tani, ata mund të përballen me rreziqe gjatë gjithë jetës. Për shembull, njerëzit që janë ndjerë shumë të lodhur gjatë periudhës që kanë qenë me covid, mund të ndjejnë prapë lodhje në të ardhmen edhe kur thjesht po kalojnë një grip.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se inflamacioni i përhapur i shkaktuar nga koronavirusi mund të bëjë që njerëzit të kenë probleme me zemrën në një moshë shumë më të re.

 

 

Burimi / gazetasi.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top