FB

February 26, 2022 | 8:24

Pse disa njerëz përjetojnë ankth gjatë një hangover-i?

Mëngjesi pas një nate ‘të çmendur’ nuk është kurrë argëtues nëse keni një hangover. Për shumicën e njerëzve, hangover përfshin një dhimbje koke, lodhje, etje ose vjellje. Por disa njerëz raportojnë gjithashtu se kanë përjetuar atë që shumë e kanë quajtur “ankth”. Sipas disa vlerësimeve, ankthi gjatë një hangover prek rreth 12% të njerëzve dhe mund të ndryshojë në varësi të personit.

dehje

Ndërsa trupi rimëkëmbet nga një natë e pirë, hangoveri krijon një gjendje stresi fiziologjik. Në përgjithësi, stresi fiziologjik ndodh kur trupi është nën presion – si për shembull nga një sëmundje ose lëndim. Hangover jo vetëm që shkakton ndryshime në sistemin tonë imunitar, por gjithashtu rrit nivelet e kortizolit (shpesh i quajtur “hormoni i stresit”), presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës – ndryshime që ndodhin edhe me ankthin.

Truri gjithashtu përjeton ndryshime të shumta. Studimet tregojnë se aktiviteti i trurit që përfshin dopaminën (një lloj neurotransmetuesi) është më i ulët gjatë një hangover. Kjo është e rëndësishme, pasi dopamina luan një rol kryesor në rregullimin e ankthit. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit përjetojnë një ndryshim negativ në emocionet e tyre gjatë një hangover.

Ndiheni në ankth?

Pse disa njerëz përjetojnë ankth, ndërsa të tjerët jo? Dhimbja është pjesë e pothuajse çdo hangover-i , qoftë dhimbje koke apo dhimbje muskulore. Por studimet tregojnë se njerëzit që “katastrofojnë” dhimbjen (një tendencë për të ekzagjeruar dhimbjen ose për të pritur më të keqen) kanë më shumë gjasa të përjetojnë ankth. Studimet tregojnë gjithashtu se ky grup ka më shumë gjasa të përjetojë hangover të rëndë. Kjo mund të shpjegojë pse disa njerëz përjetojnë ankth, ndërsa të tjerët jo.

Ngjarjet negative të jetës, depresioni ose zemërimi gjatë pirjes, janë të lidhura gjithashtu me ndryshimet e humorit gjatë një hangover. Madje, ankthi është raportuar të jetë më i lartë tek njerëzit që thonë se janë shumë të turpshëm. Ndryshimet e humorit gjatë një hangover nuk janë vetëm të pakëndshme, por mund të lidhen edhe me rritjen e konfliktit me të tjerët dhe uljen e produktivitetit në punë.

Por, kjo gjë mund të zgjidhet nëse ju provoni disa mënyra për të shmangur një natë ‘dehëse’. Kjo mund të përfshijë meditimin, praktikimin e vëmendjes dhe kujdesin e përgjithshëm për veten. Natyrisht, mënyra më e mirë për të shmangur përjetimin e ankthit është të hiqni dorë plotësisht nga e pira – ose të paktën të pini me ‘karar’.

 

Përgatiti K.I / Burimi theconversation.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top