Në fokus

November 1, 2017 | 9:41

Pse duhet t’i besojmë gjykimit të psikologut?

psikolog

Në vend të hyrjes

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Një pasdite, tek vrapoja për të kapur orarin e një takimi, në një nga zonat e populluara të Tiranës, veshi më kapi vrikthi fjalët e një gruaje drejtuar vajzës së vogël: “Ti di vetëm të hash. Vetëm të hash di!” Kishte një përzierje zemërimi dhe zhgënjimi në shikimin dhe zërin e saj. Shtanga dhe ngadalësova hapat, me kureshtjen për të dëgjuar përgjigjen e vajzës, por asnjë fjalë nuk më mbërriti në vesh. Bisedat e njerëzve dhe zhurmat e automjeteve, në sfondin e një muzgu të pazakontë, i morën me vete nënën dhe vajzën e saj. Ndërsa unë shpejtova hapat për të kapur kohën. Skena më përsëritej në mendje, derisa mbërrita në vendtakim. A ishte mirë? Ditët rrodhën me ritmin e tyre të zakonshëm dhe pas një jave, u gjenda sërish përballë një situate të pakëndshme. Me një epror. Pasi kisha përfunduar raportimin për punën, ai filloi të komentonte mbi një ngjarje të rëndë të kohëve të fundit dhe pasi mori frymë thellë, shfryu: “O Zot, mos u bëfshim për psikolog!”, duke i rrotulluar sytë në tavan. E pyeta çfarë donte të thoshte, por ai nuk arriti të përgjigjej, pasi e ndërpreu zilja e telefonit. Gjatë ditës, nëpërmenda fjalët e thëna me aq siguri, duke u munduar të bëj interpretimin e “lutjes” së tij… Epo edhe ai do t’ia ketë ndjerë nevojën psikologut! Çështja është: a e ka pranuar? Dhe nëse e ka pranuar, a ka shkuar? Pse uroi të mos bëhej për psikolog?! Teksa pyetjet vinin rrotull, po mendoja se gjasat më të mëdha ishin që ai të kishte shprehur pikërisht të kundërtën e asaj që mendonte. Pra, kishte thënë me zë të lartë “Mos u bëfshim për psikolog”, por në brendësi mund të kishte frikë se mund të bëhej: “Po sikur të bëhem për psikolog?”. A ishte mirë? 

Të kesh a të mos kesh… besim te psikologu

Tani ju kërkoj të futeni në “Google”. Pyesni në shqip “Pse duhet psikologu” dhe prisni. Do t’ju dalin pak artikuj. Ndonjë faqe këshillimi online, ndonjë artikull që liston shenjat që shërbejnë si “flamuj të kuq” për të kërkuar psikolog. Të tjerë përqendrohen te shërbimet psikologjike në vend: në gjykata, klinika dhe shkolla, duke përkufizuar çfarë bën psikologu në secilin rast. Ka edhe nga ata që thumbojnë me tituj: “Gjithë shqiptarët janë për psikolog”. Në fund, por me rëndësi, mund të gjesh Ligjin për Urdhrin e Psikologut dhe pak artikuj për Urdhrin e Psikologut, i cili u zgjodh më 28 janar, me votim nga Asambleja e Psikologëve të Shqipërisë. Kaq. Nëse e shkruani pyetjen në anglisht, frëngjisht, gjermanisht apo italisht do të gjeni mijëra artikuj, të cilët informojnë me saktësi për praktikën e psikologut (sipas specialiteteve), bëjnë dallimin mes psikologut klinik, psikologut të këshillimit dhe psikoterapistit, paraqesin ligjet dhe rregulloret që rregullojnë profesionin e psikologut në vende të ndryshme të botës, e me radhë. “Google” na shfaq edhe statistika të fundit: një në pesë britanikë shkojnë te psikologu dhe nëntë në dhjetë amerikanë besojnë se zyra e psikologut është vendi i duhur kur kemi probleme. Po shqiptarët? Nuk e dimë, pasi nuk kemi statistika. Nëse pyet profesionistët, ata e pranojnë që roli i psikologut në vend po fuqizohet (dhe ata kanë punuar për t’ia mbërritur kësaj dite). Nga njëra anë, janë shtuar psikologët e specializuar, nga ana tjetër, janë shtuar edhe njerëzit që kanë nevojë për ta. Po sa njerëz që kanë nevojë e dinë që kanë nevojë? Të gjithë ne mund të përjetojmë vështirësi gjatë jetës, madje edhe vështirësi të zgjatura, të cilat mund të bëhen bllokuese. Po në ç’pikë duhet të arrijnë ato, para se të vendosim të shkojmë te psikologu? Praktikuesit kanë identifikuar disa “flamuj të kuq”: Nëse problemi na ndërhyn në funksionimin e përditshëm, nëse gjithçka që kemi provuar nuk na ka lehtësuar dhe njerëzit e afërt janë lodhur nga ankesat tona, nëse abuzojmë me substanca apo rrjetet sociale për të ndryshuar gjendjen e humorit (si përpjekje për t’i ikur problemit), nëse dikush ka vënë re diçka që nuk shkon me ne dhe na këshillon të marrim ndihmë te një profesionist – të gjitha këto janë “alarme” që tregojnë se kemi nevojë për një psikolog. Po sa prej nesh do të trokasin te dera e psikologut për të kërkuar ndihmë? Unë? Ju? Nëna që kritikon të bijën në rrugë? Vajza që po turpërohet? Eprori mohues? Askush nuk e di me siguri, sepse vendimi për të shkuar me vullnet të lirë te psikologu është një proces i brendshëm. Fillimisht duhet të përpiqemi të kuptojmë nëse “jemi mirë”. Të dallojmë shenjat te vetja. Nëse dimë të lexojmë veten dhe të zgjedhim t’i besojmë gjykimit të tij, do të shohim se psikologu ndodhet më afër nesh sesa mendojmë: te dera ngjitur, te pallati ku banojmë, pranë shkollës a vendit të punës. Mund të jetë tre hapa larg. Po ja, e gjetëm! A duhet (dhe sa duhet) t’i besojmë psikologut? Nëse ia tregojmë atij shqetësimet, a do t’i ruajë ai apo do të flasë me njerëz të tjerë?

Sa të sigurta janë sekretet tona? Ky merak i zë të gjithë (sidomos ata që e kanë bërë një hap përpara). Kur njerëzit më pyesin, unë iu shqiptoj një fjalë që qëndron në themel të punës së çdo psikologu: konfidencialiteti – ajo që i thua atij private mes jush. Konfidencialiteti është një parim, një garanci e shërbimit etik psikologjik dhe mund të thyhet vetëm në tre raste: nëse dikush ka mendime serioze dhe mund të ndërmarrë veprime për të kryer vetëvrasje, për të lënduar ose vrarë dikë apo nëse rrëfen për një abuzim fëmije që po ndodh në të tashmen apo ka ndodhur në të shkuarën. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, psikologu është i detyruar nga pikëpamja etike dhe ligjore që ta thyejë konfidencialitetin në emër të jetës. Sërish, nëse kjo ndodh, psikologu u jep autoriteteve aq informacione sa nevojiten. Çdo klient njoftohet në fillim të terapisë për këto skenarë. Psikologët kanë edhe një supervizor, me të cilin diskutojnë rastet e tyre, por sërish e ruajnë privatësinë, duke mos zbuluar identitetin e klientëve. Ata që duan të flasin me një psikolog, a kërkojnë që në fillim të gjejnë dikë, të cilit t’i besojnë veten e tyre? Pikërisht këtë do të gjejnë brenda asaj zyre. Dhe kjo është arsyeja pse terapia psikologjike funksionon: premtimi për besueshmëri lejon që kushdo të mendojë, të ndiejë dhe të flasë gjëra të cilat nuk mund t’i bëjë askund tjetër, me askënd tjetër. Terapia vlen që njerëzit të çlirohen nga sekretet e tyre të thella dhe të errëta. Psikologu është tre hapa larg. Mjafton të pyesim veten: A je mirë?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top