Në fokus

October 7, 2016 | 8:24

Pse gratë në vendin tonë vdesin më së shumti prej kancerit të gjirit?

Nga Entela Binjaku Drejtore e Fondacionit “Harriet Martineau”

Nga Entela Binjaku
Drejtore e Fondacionit “Harriet Martineau”

Në këtë muaj, operatorët e shumtë nga fushat e shëndetit bëhen pjesë e veprimtarive, që kanë në qendër, rritjen e ndërgjegjes së shoqërisë për kontrollin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje. Një aktivitet i tillë u mbajt në mjediset e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ku (instituti jofitimprurës) “We speak science – Ne flasim me shkencë” e themeluar në Boston, USA, nga motrat Detina (Harvard University) dhe Argita Zalli (Imperial College London) në bashkëpunim me studentë të këtij fakulteti, bashkëbiseduan me pjesëmarrësit, rreth disa aspekteve të kësaj sëmundjeje.

Në këtë konferencë dr. Argita Zalli që punon në “Imperial College of London”, i informoi të pranishmit për trajtimin e kancerit të gjirit dhe gjetjet e fundit nga fusha e kërkimit shkencor. Për një përfshirje aktive dhe të studentëve të këtij fakulteti, pesë prej tyre mbajtën kumtesa, ku secili shpalosi aftësitë në drejtim të të folurit në publik, trajtimit me përgjegjësi të pyetjeve nga të pranishmit dhe vlerësimin e nevojës për njohjen e thelluar të natyrës dhe të pasojave që krijon kjo sëmundje.

Për një të ri apo të re, që do të diplomohet, këto njohuri shkencore janë me rëndësi në formimin profesional, madje shkëmbimi i këtyre përvojave gjatë viteve të studimeve universitare, marrin një vlerë të rëndësisë së lartë. Përvoja e motrave Zalli, dy profesioniste që konkurrojnë me dinjitet në tregun ndërkombëtar të punës,ishin të vlefshme edhe të nevojshme, për zgjerimin e njohurive profesionale dhe shkencore në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ndërkohë për të krijuar një panoramë më të gjerë rreth kësaj sëmundjeje, Prof.Dr. Lufti Alia tha: “Lufta kundër neoplazive, aktualisht është prioritare në shërbimet shëndetësore, pasi këto sëmundje përbejnë një problem shqetësues mjekësor dhe shoqëror. Neoplazitë e gjirit edhe në këtë fillim shekulli vazhdojnë te mbeten një ndër pesë “big killers” (vrasësit e mëdhenj) në përgjithësi në popullatë, por siç kuptohet në veçanti, janë në vendin e parë për rastisjen dhe si shkak vdekjeje tek femrat. Në dy dekadat e fundit, neoplazitë e gjirit janë shtuar si rastisja, madje janë bërë shqetësuese, sepse konstatohet shtimi i rasteve në moshat e reja 25 – 45 vjeç, një grup popullate që deri tani ishte përjashtuar në programet e “screening” të shërbimeve shëndetësore të vendeve evropiane”.

 

  • Në Evropë diagnostikohen 210 000 raste të reja në vit dhe 74 000 raste vdekje nga kanceri i gjirit.
  • Neoplazitë e gjirit përbëjnë 27 % të gjithë tumoreve të femrave.

 

  • Në Itali, çdo vit diagnostikohen 45 000 raste të reja në vit, nga të cilat:

20 % e rasteve në moshën nën 50 vjeç

60 % e rasteve ndërmjet 51–70 vjeç

20 % e rasteve në mosha te avancuara

Kjo neoplazi prek një në çdo 10 gra

 

Ndërgjegjësimi dhe parandalimi janë dy fjalët kyçe, të cilat lidhen ngushtë më faktorët rrezikues.

Ndër faktorët rrezikues përmendim:

Faktorët rrezikues të pamodikueshëm:

  • moshën: me rritjen e moshës rritet rreziku i shfaqjes të tumoreve të gjirit;
  • ndikimi i hormoneve: rastet me kancer të gjirit shtohen dhe për efekt të veprimit të zgjatur të hormoneve, që prodhojnë vezoret para menopauzës. Gratë me jetë fertile të gjatë rrezikohen nga tumoret e gjirit kur shfaqen para kohe menstruacionet, ashtu dhe menopauza është e vonshme.
  • Aspekti i familjaritetit më këtë sëmundje: karcinoma të gjirit janë të shpeshta në gra që kane pasur pjesëtar të familjes me kancer të gjirit ose të vezoreve (gjyshe, nëna, motra, halla, tezja).

 

Faktorët rrezikues të modifikueshëm dhe stili i jetës

  • Terapi zëvendësuese me hormone, sidomos me medikamente me përmbajtje estrogjeni dhe progresteroni
  • Mos lindja fëmijë është një faktor rreziku, që kërcënon për kancer të gjirit. Sa më shumë shtatzëni aq më i vogël rreziku. Shtatzëni para moshës 30–35 vjeç, duket se mbron nga rreziku për tumore të gjirit. Nëse një grua ka kaluar më parë një karcinome të gjirit, rritet mundësia që tumori të përsëritet si në të njëjtin gji, ashtu dhe në gjirin tjetër.
  • Mbidhjamosja është një faktor rrezikues. Përdorimi i ushqimeve me kalorazh të lartë rrit rrezikun.
  • Pirja e duhanit është i njohur si ndër faktorët më rrezikues.
  • Alkooli. Rreziku i zhvillimit të neoplazive të gjirit rritet në proporcion me sasinë dhe kohën e gjatë të konsumit të alkoolit nga femrat
  • Dieta e varfër me fruta, perime dhe zarzavate
  • Aktiviteti fizik i kufizuar, jeta sedentare

 

Parandalimi lidhet me disa sjellje individuale në jetë, të cilat ndikojnë për mbrojtjen e organizmit nga tumoret.

  • Sot përdoren disa medikamente, të përgatitura nga lëndë natyrale, ose farmakologjike, që ndalojnë ose ngadalësojnë rritjen e tumoreve.
  • Dieta, e pasur me fruta, perime dhe me zarzavate të freskëta.
  • Ndjekja e aktiviteteve fizike, sidomos në menopauzë.

 

Shenjat që sinjalizojnë një kancer të gjirit shprehen:

  • Shenja e parë në 80 % të rasteve është prania e një kokrre (nyje) në gji.

Me përparimin e sëmundjes, gjiri forcohet, lëkura rrudhet e merr pamje si lëvozhga e portokallit, thithësi i gjirit fundoset, deformohet dhe më pas gruaja konstaton shfaqen nën sqetull të një gjëndre, me konsistencë të fortë, çka dëshmon për zhvillimin e metastazave.

 

DIAGNOZA E HERSHME, RRIT MUNDËSITË TE FITOJMË LUFTËN KUNDËR KËSAJ NEOPLAZIE.

  • Për gratë e grupmoshës 40–50 vjeç, sugjerohet të bëjnë çdo vit mamografi, më pas një ekografi, të shoqëruar me vizitën e mjekut senolog.
  • Për gratë e grupmoshës 50–75 vjeç, këshillohet të bëjnë mamografi çdo dy vjet.
  • Për gratë e grupmoshës 40–50 vjeç, sugjerohet të bëjnë çdo vit mamografi e më pas një ekografi, të shoqëruar me vizitën e mjekut senolog.
  • Për gratë e grup-moshës 50 – 75 vjeç këshillohet të bëjnë mamografi çdo dy vjet”.

 

Ndërkohë, në vendin tonë sipas “Institutit të Shëndetit Publik” rastisen 450-500 raste të reja me neoplazi të gjirit çdo vit dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve nga kanceri te femrat.

Shumica e rasteve me kancer të gjirit tek ne, paraqiten me vonesë tek mjeku, në faza shumë të përparuara, gjë e cila e vështirëson mjaft procesin e shërimit. Po sipas “Institutit të Shëndetit Publik”, çdo vit, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) janë diagnostikuar rreth 350 raste të reja me kancer gjiri me një prirje të lehtë rritjeje, me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013. Krahasuar me vitet ‘80, në vitin 2015, numri i vdekjeve në vit nga kanceri i gjirit është rritur më shumë se 3 herë. Kanceri i gjirit nuk është më “sëmundja që nuk më prek mua apo familjarët e mi”, përkundrazi është një ndër patologjitë, që prek një numër të madh femrash. Edhe pse në opinion ka një lloj frike nga vetë emërtimi, përvoja e profesionistëve ka treguar se parandalimi është i mundur falë ndërgjegjësimit për kontroll periodik dhe diagnostikim sa më të hershëm, duke e bërë më të lehtë procesin e kurimit.

Shkaqet pse gratë në Shqipëri diagnostikohen në faza të përparuara, ku rezultatet e pritshme janë kryesisht pezmatuese, lidhen me shumë faktorë të tillë si:

  • ngritjen e pakët kulturore të grave për kontroll periodik shëndetësor
  • frika nga diagnoza dhe për atë që vijon
  • mendimi i stereotipizuar se “nuk mund të më ndodhë mua”
  • mosnjohja me faktorët rrezikues
  • mungesa e vlerësimit të simptomave në kohën kur shfaqen
  • shmangia ose mbajtja larg e përvojave të hidhura shëndetësore të mëparshme në familje etj.

 

Shëndeti ndërthur në një nevojën për shërbime cilësore nga fusha të ndryshme, është i lidhur ngushtë me mjedisin përreth nesh si atë lokal, të shtetit ku jetojmë, po ashtu edhe me atë global. Disa forma të shkatërrimit të mjedisit rrisin rrezikun për shëndetin. Ndaj edhe mbrojtja e mjedisit bën pjesë në programet e mjekësisë parandaluese. Sipas studiuesve “puna në mjediset ku përdoret asbesti rrit rrezikun e prekjes prej disa llojeve të kancerit”, po ashtu “ndotja e ajrit në nivelet larg standardes së lejuar, rrit mundësitë për kancer të mushkërive që përbën edhe llojin më të përhapur të kësaj sëmundjeje”.

Për aq kohë sa shpërndarja e sëmundjeve është e ndryshme midis vendeve, rajoneve dhe shtresave të ndryshme shoqërore, është e qartë se ajo ndikohet nga mënyra e të jetuarit, gjë nga e cila i jep udhë ndikimit të faktorëve shoqërorë. Faktorët shoqërorë ndikojnë tek mundësitë e njerëzve për t’u prekur nga disa lloje sëmundjesh si dhe në natyrën e kujdesit shëndetësor që marrin. Në vendin tonë faktorët e tillë mund të shpjegojnë pse gratë në vendin tonë vdesin më së shumti prej kancerit të gjirit dhe faktorë të tillë flasin për cilësinë që lë për të dëshiruar të shërbimit që marrin këto gra.

Pikërisht për këtë arsye kanceri i gjirit si dhe mjaft sëmundje të tjera, kanë nevojë për një trajtim të kombinuar të profesionistëve nga disa fusha, të cilët duke i ardhur në ndihmë një gruaje që preket prej tij, i kanë ardhur në ndihmë mbarë shoqërisë.

 

Marrë nga: www.voal.ch/fushata-ndergjegjesuese-kunder-kancerit-te-gjirit-nga-entela-binjaku-drejtore-e-fondacionit-harriet-martineau/

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top