Natyrisht që intervistat e punës nuk janë gjithmonë të lehta, sepse bëhet fjalë për një lloj “testimi” apo vënieje në provë. Po të sjellim në mend procesin e testimeve dhe provimeve nëpër të cilin kalojmë të gjithë që nga koha e arsimit fillor, me shumë gjasa do të kujtojmë dhe ato ndjesitë që i shoqëronin; një lloj frike, ankthi, apo padurim.
Këto emocione në fakt lidhen me merakun apo shqetësimin që kemi përsa i përket performancës dhe rezultatit. Duke u kthyer në moshën e rritur e po të bëjmë një analogji, do të kuptojmë se e njëjta gjë ndodh me ne kur shkojmë të japim intervistat e punës. Pra, në një mënyrë sigurisht më të moderuar, kur përballemi me intervistuesin, ne do të përjetojmë emocione të ngjashme të ankthit e frikës mbi sesi do të paraqitemi. Nën këtë këndvështrim, mund të arrijmë në përfundimin se është e natyrshme të kemi hezitime dhe frikëra, por në një masë të caktuar, aq sa të mos përbëjë pengesë apo problema për ne.
Në raste të tjera, hezitimet për t’u përballur me një intervistues, zgjojnë tek ne ndjenjat se po “testohemi” apo po “vlerësohemi”. Kjo është një pozitë që sigurisht nuk është komode dhe e këndshme, por ajo që mund t’i kujtojmë vetes janë pikat e forta tonat. Që do të thotë, se kur aplikojmë për një vend pune, duhet të mbajmë mirë parasysh arritjet dhe cilësitë që kemi, në mënyrë që të ndihemi të sigurt e t’ia parashtrojmë sa më mirë intervistuesit.
Merak tjetër mund të jetë frika nga dështimi apo refuzimi. Ndodh që mund të mos pranohemi në një punë të caktuar, për dhjetëra arsye. Por më i rëndësishëm se suksesi në disa raste, është insistimi, këmbëngulja e vazhdueshme e të mos dorëzohemi. Kështu që cdo herë që nisesh për në një intervistë pune dhe mendon se “cfarë do të ndodhë pas saj?”, mos harro që nuk humb asgjë, se nuk është fundi i botës dhe kur marrim një përgjigje jo.
Madje, të besuarit në arritjen e një objektivi të caktuar, shpesh është më i rëndësishëm sesa aftësitë që mund të kërkohen për një punë të caktuar. Nuk është klishe që, të besosh fort e të mos heqësh dorë ndihmon të tejkalohen vështirësitë më të shumta, por është një e vërtetë e madhe.
Krahas vetëbesimit, vetë-dijësimit mbi pikat e forta, edukimit të vetes për të qenë këmbëngulës, një rëndësi të veçantë në çastin e dhënies së intervistave për punë, zë dhe përgatitja e vetes për intervistën. Shpesh, na duket një proces shumë i komplikuar e i panjohur, pikërisht sepse nuk dimë se çfarë pyetjesh do të na drejtohen, si duhet të përgjigjemi, çfarë qëndrimi të mbajmë, si të vishemi, si rrimë e me radhë. Për t’u mësuar me procedurat e intervistimit, lehtësisht mund të gjenden online video dhe këshilla me orientimet përkatëse.
Burimi / https://humanum.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.