Kur nisa karrierën time si një copywriter u ndjeva tërësisht rehat – nuk ndihesha aspak e frikësuar – zgjohesha çdo mëngjes, gati për t’u përballur me ditën. E dija 100 për qind se do të kisha sukses.
Unë shpresoj që ju të më kundërshtoni se gjithçka thashë më sipër janë një mal me gënjeshtra.
Sigurisht që kisha frika. Sigurisht që pyesja veten nëse do të kisha ose jo sukses. Natyrisht, përgjatë këtij rrugëtimi, vetëbesimi im është rritur. Por nuk ka qenë gjithnjë e thjeshtë. Unë vazhdoj të kem ditë të këqija. Ka sërish ditë që ndihem e frikësuar apo kam dyshime tek aftësitë e mia.
Por gjithashtu kam mësuar se si ta kapërcej këtë frikë. Kam mësuar se si të arrij suksesin dhe të gjej lumturinë përballë frikës. Tani dua të ndaj me ju disa gjëra që kam mësuar gjatë viteve…
Cila është gjëja e parë që ju pengon të arrini suksesin? Justifikimet…
“Unë nuk jam mjaftueshëm ende…”
“Unë nuk kam mjaftueshëm para për t’ia nisur…”
“Unë nuk kam kohë…”
Çdo shprehje që fillon me “Unë nuk…” është vetëshkatërruese. Sa herë që e kapni veten duke menduar “unë nuk” zëvendësojeni më mirë me “unë mundem”
“Unë kam mjaftueshëm njohuri për të hedhur hapin e parë…”
“Unë e di se si ta programoj kohën time…”
Frika është e natyrshme, por…
Ne nuk duhet ta lëmë frikën të na ndalë. Ky është çelësi. Ky është ndryshimi midis atyre që arrijnë suksesin dhe atyre që nuk ia dalin mbanë të jenë të suksesshëm. Është e natyrshme që të keni frikë. Por ju nuk duhet ta lini frikën t’ju diktojë se si ta jetoni jetën tuaj dhe të krijoni biznesin tuaj.
Pra, pse kemi kaq shumë frikë nga suksesi ynë?
Shumë prej nesh janë rritur me një përkufizim të rreptë të suksesit. Kur ishim të vegjël na treguan se cilët hapa duhet të bënim për të arritur qëllimit. Dhe kështu ne u bëmë perfeksionistë. Shqetësoheshim se nëse do të bënim ndonjë hap, do të ishte i gabuar. Dhe pastaj çfarë? Mund të dështojmë. Por ka një sekret të vogël. Njerëzit e suksesshëm e hedhin hapin e parë edhe nëse nuk janë gati 100 për qind.
Kjo është e drejtë. Kur nisim diçka, ne nuk kemi nevojë për një plan biznesi të përsosur. Madje nuk kemi nevojë as për versionin më të mirë të produktit tonë. Këto janë gjëra që do t’i kuptojmë gjatë rrugës sonë të sipërmarrjes.
Sot thjesht na duhet vetëbesim për të hedhur hapin e parë.
Ja dy gjëra që mund të bëni sot për të kapërcyer frikën nga suksesi.
Kërkoni mbështetje.
Mos kini turp të kërkoni ndihmë. Nëse keni nevojë për diçka, kërkoni ndihmë. Suksesi nuk do të thotë të punoni i vetëm. Nuk do të thotë se keni dështuar. Do të thotë se njihni limitet tuaj dhe jeni aq i zgjuar sa të dini si të veproni.
Meqë ra fjala se si të veproni….
Përgatisni një plan veprimi
Nuk po them nesër. Por sot. Në këtë moment. Shkruani në një copë letër planin tuaj të veprimit.
Po ndieni ndërkohë frikë? Nuk ka gjë, është normale që të ndieni frikë.
Sidoqoftë, tani vazhdoni të ecni përpara.
*Ashley Stahl
Burimi: Forbes/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.