FB

February 15, 2023 | 9:46

Pse nuk mund t’i kujtojmë ëndrrat që shohim?

Edhe në ato ditë fatlume kur zgjoheni me kujtimin e ëndrrës që sillet ende nëpër mendjen tuaj, ka shumë të ngjarë që kjo të zgjasë vetëm një minutë edhe ky kujtim të zhduket. Nëse kjo gjë do të ndodhte gjatë ditës, të harruarit kaq shpejt të përvojave më të fundit, do t’iu nxiste me siguri të shkonit të vizitoheshit tek mjeku.

Megjithatë, të mos mbajturit mend të ëndrrave që shohim në gjumë është normale. Pse? “Ne kemi prirjen t`i harrojmë menjëherë ëndrrat, dhe ka të ngjarë që njerëzit që raportojnë rallë ëndrrat që shohin, i harrojnë ato më lehtë”- thotë Tomas Andrilon, neuroshkencëtar në Universitetin Monash në Melbërn, Australi.

Sipas një studimi kur flemë jo të gjitha rajonet e trurit ç’aktivizohen në të njëjtën kohë. Studiuesit kanë zbuluar se një nga rajonet e fundit që “fle” është hipokampusi, një strukturë e lakuar që ndodhet brenda çdo hemisfere të trurit, dhe që ka një rol shumë të rëndësishme për zhvendosjen e informacionit nga kujtesa afatshkurtër në atë afatgjatë.

Nëse hipokampusi është i fundit që bie në  gjumë, ai mund të jetë edhe i fundit që do të zgjohet, thotë Andrilon. “Pra, ju mund të keni kujtesën e një ëndrre në kujtesën tuaj afatshkurtër, por duke qenë se hipokampusi nuk është ende plotësisht i zgjuar, truri juaj nuk është në gjendje që ta bartë gjithë atë kujtesë”- vijon më tej ai.

Ndërsa kjo mund të shpjegojë arsyen pse të  kujtuarit e ëndrrave ndodh kaq shpejt, kjo nuk do të thotë se hipokampusi juaj ka qenë joaktiv gjatë gjithë natës. Në fakt, ky rajon është shumë aktiv gjatë gjumit, dhe duket se ruan dhe kujdeset për kujtimet ekzistuese që t’i konsolidojë ato, në vend se të regjistrojë përvoja të reja.

Pas zgjimit, trurit mund t’i duhen të paktën 2 minuta për të filluar aftësitë e tij të kodimit të kujtesës. Në një studim të vitit 2017 studiuesit në Francë monitoruan modelet e gjumit tek 18 njerëz që raportuan se mbanin mend ëndrrat e tyre thuajse çdo ditë dhe 18 të tjerë që rrallë  i mbanin mend ëndrrat e tyre.

Ekipi zbuloi se krahasuar me ata që  arrinin t`i kujtonin më  pak ëndrrat, ata të  cilët i kujtonin më shumë zgjoheshin më shpesh gjatë natës. Këto zgjime të mesit të natës zgjasnin mesatarisht 2 minuta për ata që mbanin mend më shumë ëndrrat, ndërsa zgjimet e atyre që  i rikujtonin shumë pak ëndrrat që kishin parë zgjatën mesatarisht 1 minutë.

Aftësia jonë e dobët për të koduar kujtime të reja gjatë gjumit, lidhet gjithashtu me ndryshimet në nivelet e 2 neurotransmetuesve, acetilkolinës dhe noradrenalinës, të cilët janë shumë të rëndësishëm për ruajtjen e kujtimeve. Kur biem në gjumë, nivelet e acetilkolinësdhe noradrenalinës bien shumë.

Më pas, ndodh diçka e çuditshme kur hyjmë në fazën e gjumit të lëvizjes së shpejtë të syve (REM), ku ndodhin edhe ëndrrat më të gjalla. Në këtë fazë, acetilkolina rikthehet në nivele të ngjashme me kohën kur jemi zgjuar, por nivelet e noradrenalinës mbeten të ulëta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top