Pothuajse gjysma e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar lufton me simptomat e alergjisë, sipas një sondazhi nga Allergy UK – gati dyfishi i numrit të menduar më parë. Problemi i njohur gjithashtu si rinitit alergjik sezonal, ndodh kur trupi juaj ka një reaksion alergjik ndaj polenit – zakonisht kur bie në kontakt me gojën, hundën, sytë dhe fytin tuaj.
Më parë ishte vlerësuar të prekë diku mes 10 dhe 13 milion njerëz në MB, ose 20-30% të popullsisë. Por një sondazh i 7,000 njerëzve nga Allergy UK dhe Kleenex zbulon se mund të jenë duke luftuar shumë më tepër njerëz. Ka pasur gjithashtu një “rritje të konsiderueshme” në numrin e atyre me alergji – më shumë se një e treta (37%) thanë se kishin zhvilluar për herë të parë simptoma në pesë vitet e fundit.
Pra, çfarë qëndron prapa rritjes?
Ekzistojnë disa teori. Allergy UK sugjeron që rritja mund të jetë e lidhur ngushtë me rritjen e temperaturave në MB. Amena Warner, kreu i shërbimeve klinike, thotë se testimet sugjerojnë se ndryshimi i klimës dhe rritja e temperaturave mund të kontribuojnë në zgjatjen e sezonit të polenit në Mbretërinë e Bashkuar – dhe poleni është shkaku i shumicës së simptomave të alergjive.
“Aktivitetet njerëzore kanë rritur përqendrimet atmosferike të dioksidit të karbonit (CO2) dhe gazrave të tjerë serë”, shpjegon Warner. “Studimet tregojnë se bimët prodhojnë më shumë polen si përgjigje ndaj niveleve të larta atmosferike të CO2, kështu që njerëzit mund të zbulojnë se alergjia është më agresive kur nivelet e ndotjes janë të larta, veçanërisht në mot të ngrohtë.
“Këta janë faktorët që na bëjnë të presim rritjen e niveleve të polenit në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e ardhshme, duke shkaktuar simptoma të pakëndshme alergjie, për periudha më të gjata”.
Qendra e Alergjisë dhe Imunologjisë në Londër gjithashtu sugjeron se ky mund të jetë rasti – që temperaturat më të ngrohta të shkaktuara nga ngrohja globale po zgjasin verërat tona, që do të thotë që periudhat në të cilat çlirohet poleni janë më të gjata se zakonisht – dhe rrjedhimisht simptomat zgjaten.
Ky është një lajm i keq për ata me alergji dhe për ata që nuk vuajnë prej saj. Profesori Leonard Bielroy, një specialist i alergjisë në Universitetin Rutgers të Qendrës së Parashikimit të Mjedisit, beson se sa më shumë ekspozim të keni ndaj një alergjeni, aq më shumë mundësi do të keni që të sensibilizoheni për të. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse më shumë njerëz po bëhen të ndjeshëm ndaj alergjive të polenit, pesë vitet e fundit.
Imunologu Daniel Altmann, nga Imperial College London, ndan një hipotezë tjetër për rritjen, duke sugjeruar se nuk është e kufizuar vetëm në polen.
“Hipoteza për zvarritjen e vazhdueshme të sëmundjes alergjike gjatë viteve të fundit ka qenë “hipoteza e higjienës”- ideja që sistemet tona imune janë programuar gjatë mijëvjeçarëve të evolucionit për t’u marrë me një planet mjaft të ndyrë, përfshirë infeksionin bakterial dhe infektimet e zakonshme”, thotë ai.
Me gjithë larjen, pastrimin dhe dezinfektimin ndërsa jemi bërë më të pastër, mund të mbetemi me një sistem imuniteti “të programuar në mënyrë jo të duhur”, duke na bërë të ndjeshëm ndaj alergjive dhe astmës, sugjeron ai. “Gjatë këtij viti të kaluar në mbyllje, ne të gjithë kemi jetuar në shtëpitë tona në një mjedis mikrobiologjik më të pastër. Kjo mund të bëjë që ne të shohim edhe më shumë alergji në të ardhmen.”
Studimi i Allergy UK zbuloi ndikimin negativ të alergjisë në cilësinë e jetës së njerëzve. Gati dy të tretat (64%) raportuan lodhje për shkak të cilësisë së dobët të gjumit, ndërsa një e treta (34%) kanë anashkaluar angazhimet shoqërore për shkak të simptomave.
Gjithashtu alergjia ndikon në përqendrimin e tyre (46%) dhe ul produktivitetin e tyre (35%), ndërsa një e treta e të sëmurëve raportuan se kishin siklet dhe ankth për shkak të simptomave të tyre. Përkundër kësaj, 44% nuk janë konsultuar kurrë me një profesionist të kujdesit shëndetësor.
Amena Warner nga Allergy UK tha që ndonjëherë alergjia mund të banalizohet, por hulumtimi i fundit ilustron ndikimin e saj real në miliona njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që e përjetojnë atë çdo vit.
“Ne e dimë që ankthi për gjendjen është përkeqësuar gjatë pandemisë dhe ne i bëjmë thirrje çdokujt që vuan në heshtje të flasë me një farmacist ose profesionist të kujdesit shëndetësor për të ndihmuar në gjetjen e trajtimeve që funksionojnë,” tha ajo.
Burimi / https://www.huffingtonpost.co.uk/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.