Do ta kishit menduar vallë këtë gjë? Stili “Ghibli”, krijimet fotografike të të cilit, po shfaqen kudo së fundmi nëpër rrjetet sociale, e merr emrin nga një avion antik italian luftarak.
Në rrjetet sociale është aktualisht në delir një “modë” e re: shndërrimi i fotove vetjake të personave apo ato të konteksteve të ndryshme, në stilin “Ghibli.” Tiparet e fytyrës zbuten, sytë zmadhohen, dritat dhe tërë mjedisi rrethues bëhen të ngrohtë, pezull, poetikë.
Por, nga vjen ky krijim imagjinar dhe mbi të gjitha nga vjen vetë “Ghibli?”
Referimi vjen nga “Studio Ghibli”, Shtëpia e Filmave me Kartona e mirënjohur japoneze, e themeluar nga Hayao Miyazaki e Isao Takahata më 1985 – ën. Autori i kryeveprave të tilla, si “Qyteti magjepsës”, “Fqinji im Totoro”, “Kështjella endacake e Howl”, ka ripërtërirë mënyrën e rrëfimit të botës: Përkujdesje detajeve, magji mbi të përditshmen, lidhje me natyrën, histori intime apo universale.
Por, përse pikërisht ky emër, “Ghibli?”
Emri i kësaj studioje artistike ka origjinë italiane. Madje, aeronautike.
“Ghibli” ishte mbiemërimi i Caproni Ca.309, avion luftarak italian, i prodhuar në vitet ’30, i projektuar për operacione ushtarake në shkretëtirën e Libisë.
Arabisht, “Ghibli” do të thotë: “Era e ngrohtë e Saharasë.” Prej këtu merr shkas emri vlerësues dhe krahasues, i zgjedhur për mjetin e luftimit ajror në fjalë.
Mjeshtri Miyazaki, i pasionuar ndaj avionëve që prej fëmijërisë, kishte mbetur i mahnitur nga design i avionit italian të lartpërmendur, nga ëndrra italiane e fluturimit. Që në moshë të re, ai pati studiuar punën e inxhinierit italian Gianni Caproni, ndërtues pionier i aeronautikës, i cili shfaqet madje edhe si një personazh i filmit të tij “Ngrihet era.” Ky nuk është gjithsesi një homazh i izoluar. Edhe mjeti hidrovolant në një tjetër krijim, “Derri i kuq”, mban emrin “Ghibli” në pjesën e përparme të motorit, tregues i një lidhjeje të thellë ndërmjet mjeteve fluturuese italiane dhe stilistikës miyazakiane.
Në filmin “Ngrihet era”, principi i inxhinierit italian, Caproni, citohet në një nga fjalitë kyçe: “Artistët janë krijues vetëm për dhjetë vjet. Po ashtu edhe inxhinierët.”
Një mirënjohje e qartë ndaj madhështisë së brishtë të ëndrrës njerëzore.
“Dora” e ChatGPT
Sot, ky krijim i tërë imagjinar, kthehet me një jetë të re falë teknologjisë. Shumë nga imazhet online janë të prodhuara nga versioni i fundit i ChatGPT, në gjendje që të shndërrojë një fotografi të thjeshtë, në një skenë që duket e dalë nga filmat me kartona.
Në këtë mënyrë, pas këtyre prirjeve të fundit dhe trend-it të rrjeteve sociale, fshihet një histori, që përshkon Mesdheun dhe lidh fushat inxhinieri, art e dëshirë për fluturim.
Pak ashtu si ndodh edhe në vetë filmat e mjeshtrit Miyazaki: të lehtë në dukje, të thellë në substancë.
Përktheu e përshtati Adela Kolea
Burimi revista Focus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.