Pyetja që bëjmë të gjithë është se çfarë t’u dhurojmë njerëzve që i duam fort? Ndonjëherë, pavarësisht dashurisë që na lidh me të tjerët, nuk është e lehtë të gjejmë dhuratën perfekte, jo me çdo kusht të shtrenjtë, por thjesht dhuratën e përshtatshme për të gjithë.
Bukuri, gëzim, dëlirësi, festa dhe mijëra ngjyra nga dritat e vitrinave: këto dhe shumë gjëra na njoftojnë se ka ardhur koha të festojmë mbylljen e një viti të vështirë dhe shpresën për një vit më të mirë.
Pyetja që shumë njerëz shtrojnë në një moment ku duket se po i rikthehemi një karantine të dytë është: A duhet të heqim dorë nga festat e fundvitit? Fatkeqësisht, përgjigjja është pjesërisht po!
Festat do të jenë ndryshe
Pa e humbur shpirtin e gëzueshëm, të rilindjes që secili prej nesh mund të rigjejë brenda vetes, duke ndjerë fort në zemër atmosferën magjike që çdo festë sjell me vete, Krishtlindja dhe nata e ndërrimit të viteve do të jetë me disa mundësi më pak. Nuk mund të dalim në shesh, nuk hyjmë dot nga një dyqan në tjetrin me atë shpërqendrimin dhe pakujdesinë e zakonshme, dhe do të ndihemi të privuar nga një sërë kushtëzimesh dhe rregullash, të cilat duhet t’i respektojmë dhe zbatojmë.
Megjithatë, shpirti i festave nuk mund dhe nuk duhet të ndalet as përpara pandemisë. Dëshira për t’i bërë një dhuratë njerëzve të dashur, miqve, të afërmve dhe kolegëve duket të kalojë çdo vështirësi, duke u përshtatur me momentin dhe mbi të gjitha me ndryshimet që na ka rezervuar kjo kohë. Pikërisht për këtë arsye, një dhuratë nuk duhet të mungojë asnjëherë.
Në psikologjinë e dhuratave, një dhuratë nënkupton cilësi, një nderim ndaj ndjenjave (dhe jo ndaj personit) dhe për këtë arsye do të jetë gjithmonë më e rëndësishme dhe kuptimplotë sesa objekti që dhurojmë, pavarësisht vlerës së saj financiare.
Në këtë rast, kriza financiare që po kalojmë nuk ka rëndësi. Edhe me pak lekë në dispozicion, nuk kushtëzohet aftësia për t’i dhuruar njerëzve të dashur një simbol gëzimi dhe dashurie. E dinit se dhuratat kanë “gjuhën” e tyre? Në psikologji, shprehin nevojën tonë për lidhje. Me anë të tyre shpërndajmë dashuri dhe presim të njëjtën gjë në këmbim.
Dhuratat përmbajnë mendime, motivime, ndjenja, të vetëdijshme ose jo, të cilat i japin atyre një kuptim. Kanë cilësi simbolike (për shembull një çantë për ta shtyrë personin që e merr të bëjë një udhëtim) dhe përfaqësojnë një shtrirje tonën: është njësoj sikur të kishim një lidhje me atë që i ka zgjedhur. Të pranojmë një dhuratë (të paktën pjesërisht) do të thotë të pranojmë një aspekt të tjetrit.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.