Në fokus

December 4, 2017 | 9:57

Psikologjia e lumturisë

Përgatiti: Manjola Ereqi

Nëpërmjet këtyre teknikave për të përmirësuar optimizmin dhe sjelljen pozitive, jeta mund të ndryshojë vërtet. Si të gjitha praktikat, edhe disiplina e optimizmit ka nevojë për stërvitje. Të bëheni vëzhgues i vetes është një aspekt që mund të ndryshojë jetën tuaj. Rruga më e mirë për të mësuar se si të jetoni mirë, është të jeni objektiv dhe i vetëdijshëm. Çdo qëllim i ri i juaji për t’u përmirësuar do të funksionojë më mirë, nëse do të mësoni të pyesni veten “çfarë mund të bëj unë?”. Në një situatë ku gjithçka duket se po ecën keq, pyesni veten: “si mund të ndryshoj situatën?”. Këshilla më e mirë është të nisni nga vetja për të ndryshuar botën. Mund t’ju duket e ekzagjeruar si këshillë, dhe realisht është, por nëse synoni të zgjoheni të lumtur në mëngjes, të keni detyrime që shtojnë mirëqenien tuaj pa u stresuar dhe të përballeni me qetësi me gjërat negative të paparashikuara, atëherë nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të vini veten në provë dhe të ndiqni sugjerimet tona.

1

Është e domosdoshme që ta konsideroni lumturinë tuaj një përparësi në jetën e çdo dite dhe të qenit të lumtur në detyrimin tuaj më të madh. Gjithnjë e më shumë jepemi pas ndjenjave negative, duke lënë pas dore ato pozitivet. E megjithatë jemi vazhdimisht në kërkim të diçkaje që të na bëjë të ndihemi mirë, që të na bëjë të jemi të lumtur. Por çfarë është lumturia? E vështirë është përgjigjja, nuk është mjaftueshëm e qartë se çfarë përfaqëson lumturia dhe mbi të gjitha duket se nuk është edhe e sigurt se çfarë mund të na bëjë të lumtur dhe çfarë të presim prej saj. Pavarësisht kësaj, vazhdimisht ditë pas dite, mundohemi ta ndjekim këtë ndjenjë, por nëse nuk dimë se për çfarë bëhet fjalë, si mund ta kapim atë? Nëse qëndroni të ngatërruar në mendimet negative, do të merrni rrugën e gabuar të zgjidhjes së problemit, e cila mund t’ju largojë nga realiteti. Njerëzit mund të zgjedhin mënyrën e tyre të të menduarit. Pesimistët mund të mësojnë të jenë optimistë: jo nëpërmjet strategjive banale, por duke mësuar zotësi të reja konjitive.

Ana pozitive e ndjenjës së humorit

Pjesa më e madhe e problemeve ka një aspekt ironik. Një nga teknikat më të efektshme për të përmirësuar optimizmin dhe pozitivitetin është të mësoni të zhvilloni ndjenjën e humorit. Kur ju ndodh një gjë e paparashikuar dhe e pakëndshme ushtrohuni të shihni menjëherë anën tjetër të medalies. Humori ju ndihmon të çdramatizoni situatat negative dhe përshpejton procesin e reagimit ndaj tyre. Veç kësaj, e qeshura ka efekt pozitiv në fizik, ndihmon të qetësoni nervat dhe largon kështu çdo gjë negative që lindin nga ndjenjat e inatit dhe tensionit, si për shembull: ulçera dhe tensioni i lartë. Sigurisht që nuk është mirë të qeshni në të gjitha rrethanat, por sa herë që mund të qeshni me një problem, do të ndihmoni për ta zgjidhur atë, duke u adresuar në drejtimin e duhur. Sa më shumë mësoni të zhvilloni ndjenjën e humorit, aq më shumë do të shtoni sjelljen pozitive.

Ndryshoni mendimet me optimizëm

Fokusoni vëmendjen tuaj në mendime pozitive. Kjo mund të jetë një sfidë e madhe në përditshmëri, ndaj largoni mendimet pezimiste dhe zëvendësojini ato me mendime optimiste. Kaloni kohë duke menduar për gjërat e mira që ju kanë ndodhur dhe po ju ndodhin, jini mirënjohës tani, në vend që të “mbysni” veten për një gabim që keni bërë apo duke qenë në ankth për të ardhmen. Kur të kuptoni se kjo sjellje po ju rrëshket nga duart dhe po ndikon keq në gjendjen tuaj shpirtërore, vihuni në gjendje alarmi dhe mundohuni të ndryshoni qëndrim. Zëvendësojini mendimet negative, duke e përqendruar vëmendjen në diçka tjetër më të këndshme. Në fund të ditës, do të habiteni kur të ndiheni më të çlirët.

Thjeshtoni

Ndër teknikat për të përmirësuar optimizmin dhe mendimin pozitiv, ajo e thjeshtimit mund të përdoret me sukses. Mundohuni të lehtësoheni nga bezdisjet dhe shqetësimet e vogla. Çlirohuni për shembull nga gjërat e panevojshme dhe do ta bëni jetën tuaj më të thjeshtë. Për shembull: keni një makinë që nuk e përdorni asnjëherë dhe shqetësoheni se mos i ka rënë bateria dhe kur t’ju duhet në raste emergjente nuk do të ndizet më? Shiteni! Për rastet e emergjencës ka gjithmonë një taksi, ose një mik a të afërm që mund t’ju ndihmojë. Gjithashtu, nëse ndiheni të “shtypur” nga detyrimet me miqtë, me vullnetarizëm, me tezen, kushëririn dhe kolegët, mësoni, në mos t’i eliminoni, të paktën t’i drejtoni në mënyrë që të gjeni një mbrëmje për veten dhe të çlodheni. Do të ndiheni më pak të frustruar dhe do t’i shijoni më shumë takimet me ta. Njerëzit që janë bujarë me kohën e tyre, kanë tendencën të “shtypen” dhe të bëhen për pasojë lehtësisht të irrituar dhe negativë.

Pasqyra

Kujtoni që sjellja juaj shihet, por për t’u fokusuar në gjithçka që ndjeni, sjellja juaj ndonjëherë mund të shfaqet në mënyrë të tillë sa ndikon ambienin dhe njerëzit që ju rrethojnë. Ushtrimi i pasqyrës shërben që të fitoni vetëdijen se si të shfaqeni jashtë. Nëse jeni të inatosur, do të bëni shpesh gjeste zemërimi, nëse jeni të trishtuar do të qëndroni të mënjanuar gjatë gjithë ditës, nëse keni mendime negative, do të rrezikoni edhe humorin e të tjerëve. Ndaj mundohuni të shihni veten “në pasqyrë” herë pas here, në një pasqyrë të brendshme, por pse jo, edhe në një pasqyrë të vërtetë. Është një mënyrë e mirë për të zhvilluar vetëdijen. Nëse nuk përbën ndonjë problem të shihni para pasqyrës një njeri turivarur, të inatosur apo pesimist, nuk ka asnjë problem, jeni të lirë ta shihni veten dhe ta pëlqeni ashtu siç jeni, por nëse kur shiheni në pasqyrë e largoni shikimin nga vetja, atëherë është mirë të ndryshoni sjellje. Optimizmi krijon një mirëqenie dhe pëlqimi dhe i bën njerëzit më të shkëlqyer edhe fizikisht. Jini gjithmonë vetvetja, por bëni të mundur që kur e shihni veten në pasqyrë të keni një ndjenjë kënaqësie.

Kërkoni ndihmë

Teknikat për të përmirësuar optimizmin dhe sjelljen pozitive, që përfshijnë pranimin nga ana juaj se keni nevojë për ndihmë, janë shumë të fuqishme. Mësoni të kërkoni ndihmë dhe këshilla, kjo nuk do t’i heqë asgjë aftësive tuaja personale, por do t’ju japë një ndjenjë frustrimi dhe pesimizmi se nuk ia dilni dot në gjërat që mundoheni të bëni. Ndonjëherë, të tjerët mund të jenë zgjidhja më e shpejtë e problemeve. Nga ana tjetër, do të ishte mendjemadhësi të mendonit se ia dilni mbanë në të gjitha rrethanat.

Pranoni virtytet e të tjerëve

Përpiquni të jepni sugjerime dhe zgjidhje, në vend që të kritikoni. Optimizmi mund të manifestohet edhe duke pranuar që çdo njeri ka diçka të mirë në vetvete, ka cilësi dhe aftësi, por edhe difekte, të cilat duhet t’i pranoni nëse nuk dëshironi që këto gjëra të ushqejne negativitetin tuaj. Mundohuni të zbuloni cilësitë dhe aftësitë e të tjerëve, duke pranuar përkushtrimin dhe cilësitë që shfaqin në aktivitetet e tyre. Veç kësaj, kur janë të tjerët që tregohen negativë me ju, jini bujarë dhe shfaqini atyre një gjest mirësjelljeje, duke minimizuar kështu sjelljen e tyre negative dhe duke i shtyrë të bëjnë të njëjtën gjë me ju. Është e rëndësishme t’u jepni të tjerëve një mundësi për të rizgjuar optimizmin e tyre. Kjo është teknika e fundit për të përmirësuar optimizmin dhe mendimin pozitiv.

Në fund: Për çdo gjë nevojitet të mundoheni e përpiqeni dhe optimizmi është shfaqja e lumtur e vetvetes. Vetëm duke qenë të lumtur dhe optimistë vështirësitë nuk janë më një peshë dhe nuk e ndikojnë negativisht qenësinë tuaj. Këto teknika të vogla nuk janë formula magjike, por nëse do të mundoheni t’i vini në veprim, magjike do të jetë mënyrë se si do të ndiheni. Sjellja juaj pozitive do të bëjë pjesë në jetën tuaj të re dhe në mënyrën se si i shihni gjërat.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.119

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top