Në fokus

July 1, 2019 | 11:37

Psikologjia e mirënjohjes

Në përgjithësi kur dëgjojmë fjalën mirënjohje, mendojmë për atë ndjenjë falënderimi që ndjejmë kundrejt dikujt (ose diçkaje). Sidoqoftë, mirënjohja nuk është vetëm kjo, por mund të jetë edhe një gjendje e mirëfilltë veprimi. Kohët e fundit e dëgjojmë shpesh këtë fjalë dhe shpesh lidhet me një lloj lumturie të pastër që duhet të ndjejmë ndaj gjërave, ngjarjeve dhe situatave pozitive të jetës.

Mirënjohja, si fushë studimi ka hyrë në psikologji rreth 20 vjet më parë, sidomos falë studimeve të Robert Emmons, profesor i departamentit të psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë.

Gjëja më kurioze është që Emmons filloi të interesohej mbi këtë temë, vetëm sepse i ishte caktuar si detyrë: universiteti organizonte një konferencë. Drejtuesit donin që të ishte një ekspert i literaturës shkencore mbi mirënjohjen dhe i caktuan Emmonsit si detyrë që të studionte mbi këtë temë. Kështu ai zbuloi se literaturë shkencore mbi këtë temë ekzistonte fare pak, për të mos thënë aspak dhe vendosi që do të ishte ai që do ta inauguronte këtë fushë studimi.

Që nga ajo kohë kanë dalë në pah studime që tregojnë se sa e rëndësishme mund të jetë mirënjohja për mirëqenien tonë: ul stresin, përmirëson cilësinë e gjumit, na bën më optimistë. Me pak fjalë, mirënjohja na bën më të lumtur.

BAZAT E MIRËNJOHJES

Në një libër mbi këtë temë Robert Emmons shpjegon se mirënjohja nuk është një ndjenjë e thjeshtë: ka shumë sfumatura dhe dimensione. Nuk është e saktë as ta përcaktojmë si një ndjenjë. Është ndjenjë, por jo vetëm: është edhe një aspekt i karakterit, por edhe një dimension i gjendjes shpirtërore në të cilën ndodhemi. Mirënjohja është edhe virtyt dhe kjo gjë është interesante, sepse na thotë një gjë shumë thelbësore: mund ta kultivojmë, pra mund të stërvitemi të jemi më mirënjohës dhe të përfitojmë edhe ne nga kjo gjendje shpirtërore kaq pozitive për mirëqenien. Emmons e përcakton mirënjohjen si një proces falënderimi, i ndërtuar në dy shtylla themeli:

  1. E pranoj se në jetën time ka diçka të bukur. Do të thotë t’i thuash ‘po’ jetës, duke nxjerrë në pah çdo gjë, e cila ia vlen të jetohet.
  2. E pranoj se në jetën time ka diçka të kënaqshme, të pasur, të denjë për t’u jetuar, vjen si pasojë – të paktën pjesërisht – nga një burim i jashtëm.

Të dyja këto dy shtylla themeli janë të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për mirënjohje: pranojmë gjërat e bukura të jetës sonë dhe zbulojmë se shumë gjëra na janë dhuruar.

KULTIVONI MIRËNJOHJEN

Të hapeni ndaj ndjenjës së mirënjohjes nuk mund të jetë e lehtë. Na vjen më e natyrshme të arsyetojmë në termat e të drejtave: ndjejmë që na pret diçka. Shëndeti, mirëqenia, mirënjohja, vetë-realizimi. Nëse nuk është kështu, kemi tendencën të ndihemi sikur na kanë grabitur. Nuk jemi gjithmonë gati të pranojmë një të vërtetë deri në fund, dhe që jeta nuk na detyrohet asgjë.

Të gjithë kemi të drejtë të votojmë, të drejtë që prindërit të kujdesen për ne deri në njëfarë moshë, të drejtë të kemi mbështetjen e duhur nga partneri. Duke qenë të punësuar, kemi të drejtë të mos na shfrytëzojnë, të marrim shpërblimin e duhur për atë të bëjmë. Kemi të drejtë të arsimohemi dhe të marrim shërbimin mjekësor. Por këto të drejta janë frut i marrëveshjeve që ka bërë shoqëria. Janë kushtet historike, sociale dhe gjeografike që i kanë ndërtuar, për fat, këto të drejta.

Kjo gjë nuk përjashton faktin që do të mund të kishim lindur në një tjetër kohë ose në një tjetër vend, dhe që, gjithsesi, vetë jeta nuk na garanton të drejtat për të qenë të lumtur, të shëndetshëm, të kënaqur: janë të gjitha objektiva të dëshirueshme, por nuk janë gjëra që dikush na i ka borxh vetëm sepse jetojmë në këtë botë. Kuptoni që, në fund, jeta nuk na detyrohet asgjë. Mund të mos ju pëlqejë kjo gjë, por sidoqoftë ia vlen që të arsyetoni, sepse më pas shumë gjëra ndryshojnë këndvështrim. Çdo gjë që keni, nuk do ta merrni më si të mirëqenë, por do të fillojë të duket nën një tjetër këndvështrim.

Ndaj tulla e parë për të ndërtuar një praktikë mirënjohjeje është kjo: filloni të vini re të gjitha gjërat e bukura të jetës për të kuptuar se ato ekzistojnë dhe që nuk mund t’i merrni si të mirëqena.

Një mënyrë për t’u stërvitur ndaj kësaj praktike është të bëni thjesht lista. Merrni një fletore dhe stilolaps dhe filloni të bëni një listë me të gjitha gjërat që e bëjnë jetën tonë të bukur, të kënaqshme, të plotësuar. Çdo gjë është e pranueshme, nga gjërat më të rëndësishme deri tek ato në dukje të parëndësishme. Fëmija, familja, puna, një pasion, shtëpia, dushi i ngrohtë në fund të ditës, kafshët shtëpiake, një libër nga autori i preferuar, deti në verë… Është një ushtrim i thjeshtë, por me ndikim shumë pozitiv, sidomos nëse jeni duke kaluar momente të bezdisshme, të cilat ju bëjnë të përfshiheni nga pakënaqësia.

Mund ta bëjmë një herë, duke nxjerrë gjithçka që na vjen në mendje, e më pas mund ta shndërrojmë në një praktikë të përditshme: për shembull, duke shkruar çdo mbrëmje një listë të vogël me tri, katër ose pesë gjëra të bukura që na kanë ndodhur gjatë ditës. Sidomos nëse nuk jemi të mësuar ta shqyrtojmë jetën nga ky këndvështrim, bërja e këtij lloj ushtrimi mund të ketë një ndikim të madh transformimi. Nuk bëhet fjalë që të duam të ndryshojmë mendimin pozitiv, as për të parë me çdo kush jetën tonë të lulëzojë.

Bëhet fjalë vetëm për të stërvitur vëmendjen – që është natyrshëm e stimuluar nga e kundërta, për t’i dhënë shumë rëndësi problemeve dhe vështirësive – për të vënë re edhe gjërat pozitive, të gjitha ato bekime të vogla e të mëdha për të cilat jemi objekt. Me këtë lloj praktike mund të punojmë në njërin nga dy themelet e mirënjohjes: të pranojmë të mirat e jetës sonë.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top