Në vëzhgimet dhe studimet e tyre në literaturën rreth mirënjohjes, psikologët Emmons dhe McCullough kanë vëzhguar një lidhje të mundshme midis mirënjohjes dhe një sërë ndjenjash pozitive, si: kënaqësia, lumturia, krenaria dhe shpresa. Kjo veprimtari e fortë e ndjenjave pozitive, që ka lindur nga mirënjohja, ndikon në ndjenjën e kënaqësisë dhe në lumturinë personale të kujtdo. Një tjetër rast ku mirënjohja jep efekte pozitive është interpretimi në mënyrë sa më pozitive i përvojës së kujtdo në jetën e përditshme.
Edhe kjo strategji psikologjike mund të kontribuojë në përmirësimin e mirëqenies sonë. Emmons dhe McCullough kanë bërë tri studime me grupe të ndryshme pjesëmarrësish.
Pjesëmarrësit në ‘grupet e mirënjohjes’ në të gjithë studimet kanë dhënë përgjigje më të mira për sa i përket jetës së tyre, me më shumë optimizëm dhe më pak shqetësime fizike. Ndaj, psikologët konfirmojnë se mirënjohja është një faktor që lidhet drejtpërdrejt me nivelet e mirëqenies shpirtërore dhe fizike.
A mund të jetë mirënjohja çelësi i lumturisë?
Aktorja Elizabeth Carter në një intervistë deklaroi se “të jesh e lumtur, do të thotë të jesh mirënjohëse”. Dhe është e vërtetë se zakonisht i harrojmë mijëra arsyet që kemi për të qenë mirënjohës, si kundrejt të tjerëve, ashtu edhe kundrejt jetës. Zakonisht, kur njerëzit ndihen të palumtur, fillojnë dhe ankohen, sepse nuk gjejnë një arsye për të qenë mirënjohës. Megjithatë, a keni arritur ndonjë gjë në jetë duke u ankuar? Ankesat ju kanë mundësuar gjetjen e motivimit, të jeni më të lumtur dhe të përmirësoni marrëdhëniet ndërpersonale?
Me shumë gjasa, përgjigjja juaj është negative, sepse ankesat shkaktojnë vetëm nivel më të lartë depresioni, inat dhe veç kësaj u japin bezdi edhe njerëzve që na rrethojnë. Sido që të jetë, nëse në secilin prej këtyre momenteve sjellim ndër mend qoftë edhe një arsye të vetme për të qenë mirënjohës, i gjithë inati do venitet si me magji. Në fakt, një studim i zhvilluar me tri grupe njerëzish, tregon fuqinë e madhe që ka mirënjohja. Pjesëmarrësve të grupit të parë të studimit iu kërkua të shkruanin çdo ditë pesë gjëra për të cilat ishin ndjerë mirënjohës.
Pjesëmarrësve të grupit të dytë iu kërkua të shkruanin pesë probleme me të cilat do të përballeshin çdo ditë, ndërsa pjesëmarrësve të grupit të tretë iu kërkua të shkruanin pesë ngjarje të zakonshme që do t’u ndodhnin çdo ditë.
Në përfundim të dhjetë javëve të këtij eksperimenti u bë një test për të vlerësuar gjendjen shpirtërore të pjesëmarrësve dhe kështu psikologët mundën të kuptonin se grupi i parë ishte 25% më i lumtur sesa grupet e tjera.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.