FB

March 8, 2023 | 9:10

Psikologjia e të qenit një nënë e mirë…

Kultura në të cilën jetojmë ka ndërtuar rreth figurës së nënës një mit të mirëfilltë të nënës së mirë, pra një model ideal të nënës ku të gjitha femrat synojnë të arrijnë me të gjitha forcat. Por shumë shpesh nënat kanë një bindje të qartë se nuk janë nëna të mira. Kjo ndodh sepse modeli i tyre është absolutisht shumë ambicioz dhe ndonjëherë edhe i paarritshëm.

Të qenit “nënë e mirë” varion sipas personit që e pyet. Sidoqoftë, të gjithë biem dakord me faktin se gjëja më e rëndësishme është t’ia duam fëmijët dhe të sigurohemi që ata të ndihen të dashur. Nuk ekzistojnë rregulla unike dhe të veçanta për të qenë një nënë e mirë. Shpesh e lidhim mëmësinë me imazhin e një nëne që kujdeset për fëmijën e vogël, e shoqëron në shkollë, e ndjek gjatë rritjes. Nëna mbetet një figurë e rëndësishme edhe kur fëmija shkon të jetojë vetëm ose bëhet prind vetë”, thonë ekspertët. Natyrisht, të jesh një mama e mirë kur fëmija është i vogël është ndryshe nga të qenit nënë e mirë e një të rrituri. “Raportet ndryshojnë, modifikohen nevojat dhe pritshmëritë reciproke’’

1.Në fëmijërinë e hershme

Shndërrimi në nënë është një moment unik në jetën e çdo gruaje, që nënkupton një ekuilibër delikat midis vëmendjes kushtuar fëmijës dhe nevojës për pavarësi. Muajt e parë të jetës janë tejet të rëndësishëm, si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Nëna në këtë fazë i kushton kujdes dhe dashuri të vazhdueshme fëmijës. Kontakti është themelor pasi i jep atij siguri. Me t’i kaluar muajt e parë të jetës, nëna duhet të fillojë t’i japë kohë edhe vetes dhe duhet ta bëjë këtë gjë pa u ndier aspak në faj. Shumica e nënave përpiqen që t’i bëjnë fëmijët të kuptojnë se cila është sjellja e duhur. Por pas tekave të panumërta, shpesh janë para dilemës mos duhet të jenë më të rrepta dhe më autoritare. Sipas psikologëve, tekat janë një fazë e rëndësishme e rritjes së fëmijës. Janë momente në të cilat fëmijët ‘debatojnë’ me prindërit, kërkojnë të bëhen të pavarur. Ama, është themelore që në familje të ketë disa rregulla.

2.Në moshën e shkollës

Ka marrë një notë të keqe, në shkollë nuk sillet siç duhet. Si duhet ta ndihmoni që të jetë më i përgjegjshëm? Detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjë vetëm. Të kalosh gjithë pasditen duke u marrë me shpjegimin e problemeve të matematikës, nuk është një metodë e mirë për të ndihmuar fëmijën në përmirësimin e rezultateve të tij shkollore. Fëmija duhet t’i drejtohet nënës nëse nuk kupton një ushtrim, por kjo nuk duhet të kthehet në normë, pasi nëna do të shndërrohej në një “mësuese të dytë”, duke e ndryshuar marrëdhënien mes tyre. Sidomos kur përballeni me botën e shkollës duhet të jeni objektivë. Një nënë e mirë duhet ta mbështesë fëmijën e vet edhe kur kthehet në shtëpi me një notë të keqe, por nuk duhet ta marrë në mbrojte nëse ka bërë një faj.

3.Në adoleshencë

Në adoleshencë fëmijët shfaqin për herë të parë prirjen e theksuar për pavarësi. Një mama e mirë është gjithnjë e pranishme, por nuk i kushtëzon fëmijët në zgjedhjet e tyre. Ndërhyn vetëm kur është e nevojshme, duke pritur që vetë fëmijët t’i kërkojnë ndihmë… Vjen një kohë ku çdo prind do të përballet me adoleshencën. Papritur fëmija do të dalë, të shkojë në diskotekë, të shëtisë me shokët, por nuk është mjaftueshëm i rritur sa të dalë vetëm. Sigurisht, jo të gjitha kërkesat e tyre duhet të plotësohen. Në këtë fazë delikate të marrëdhënies prind-fëmijë, nëna duhet të vendosë rregulla dhe të presë që ato të plotësohen.

4.Në rini

Tashmë ai fëmija i vogël është rritur, ka mbaruar shkollën e lartë, por ende nuk është stabilizuar profesionalisht, pasi ndërron shpesh punë. Një nënë përballë një realiteti të tillë ndihet e shqetësuar, pasi do të donte që aftësitë e fëmijës të vlerësoheshin edhe jashtë familjes. Zhgënjimet janë pjesë e jetës, shpesh na ndihmojnë të rritemi. Një nënë nuk mund të bëjë shumë për të shmangur vuajtjen e fëmijës në situata të tilla. Por mund t’i japë mjetet për të mësuar dhe për të ecur përpara. Për shembull duke i folur për të kaluarën e saj, për dyert e përplasura pas krahësve dhe për ato që i janë hapur papritmas. Duke i bërë të ditur se jo gjithnjë arrihet një qëllim me tentativën e parë, por duke mos reshtur së provuari. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top