Marrëdhënie

January 27, 2018 | 9:12

Psikoterapia e çiftit, vlerësimi i situatës të vuajtjes dhe zgjidhja me ekspertë

Ka gjithnjë e më shumë çifte që ndahen apo që jetojnë situata shqetësimesh të dukshme, pa e ditur as çfarë të bëjnë për t’iu larguar kësaj situate, dhe as nuk e pranojnë se një ndarje e mundshme është pjekuri. Prandaj bashkëshortët bëjnë një jetë të kushtëzuar, të përbërë nga disa momente pozitive dhe të tjera momente negative, me pasoja mbi humorin, mbi vetëbesimin, mbi dëshirën për të vepruar ose jo, mbi aftësinë për të menaxhuar shtëpinë, familjen, punën. Shpesh, edhe marrëdhënia seksuale ndikohet, ashtu siç ndikohet rëndshëm edhe klima e përgjithshme në familje.

Vështirësitë e të jetuarit bashkë kanë shkaqe të ndryshme dhe të shumta. Mund të jenë që nga motivimi socio-kulturor deri te motivimet “karakteriale” dhe të personalitetit. Ose mund të lindin probleme përgjatë jetës: episode të natyrave të ndryshme, që bartin vuajtje dhe ndërlikime të marrëdhënies në çift, si ndryshimi i punës, zitë familjare, humbja e sigurisë financiare, rënia në dashuri dhe pasojat e saj, si në aspektin psikologjik, ashtu dhe atë sjelljes, debatet mbi stilin e jetës familjare, mbi shpenzimet apo edukimin e fëmijëve. Ose edhe probleme të abuzimit me alkolin dhe narkotike, bixhozi kompulsiv, e kështu me radhë.
Duke bërë një hap pas, kuptohen më mirë problemet e çiftit, nëse të dy partnerët kanë në mendje se cilat kanë qenë qëllimet e krijimit të kësaj lidhjeje. Pra, të dy e dinë se ku e ka pasur pikënisjen çifti, nga vlerat dhe marrëveshjet, të ndërgjegjshme e jo, të cilat kanë qenë baza e zgjedhjes reciproke. Në këtë pikë, është mirë të saktësojmë që krijimi i një lidhjeje dashurie është gjithmonë një proces i pandërgjegjshëm, përveç rasteve kur dy persona janë martuar, sepse partnerja priste një fëmijë. Edhe në këtë rast ka vlerë reflektimi mbi arsyet e pandërgjegjshme, të cilat e kanë bërë një individ të dashurohet pikërisht me atë person dhe jo me një tjetër.

Nëse kjo zgjedhje, e ndërgjegjshme apo jo, gjithsesi ka gjetur një ekuilibër të vetin në fillim të historisë së çiftit, gjatë rrugëtimit të tyre, ngjarjet që kanë ndodhur kanë sjellë ndryshime. Këto ndryshime mund të ndikojnë në ndryshimin e njërit prej partnerëve: njëri nga partnerët është “më i shpejtë” të përqafojë risitë, apo është më i trembur nga rutina, ndërsa tjetri nga ndryshimi, etj., e kështu ekuilibri që ishte ndërtuar ngadalë-ngadalë gjatë viteve fillon e përkeqësohet.


Kriza është një fjalë me origjinë greke, që do të thotë zgjedhje. Pra, kriza na vë përballë një udhëkryqi, na detyron të zgjedhim. Bëhet fjalë për një gjë që, jo detyrimisht është negative. Përkundrazi, nga një krizë mund të lindë një ndryshim pozitiv dhe i kënaqshëm që përmirëson ekuilibrin e humbur. Ndaj duhen përqafuar aspektet pozitive të krizës. Është shumë e rëndësishme ta përcaktoni sa më mirë krizën – kur është e mundur – si dëshirë për ndryshim, si një dëshirë për jetë më të mirë, për të gjithë dhe jo vetëm individualisht. Megjithatë, duhet të tregoni kujdes, sepse në disa situata ka shumë agresivitet të shprehur, dëshirë për t’u shpaguar, dëshirë për ta bërë partnerin të ndihet keq. Edhe në këto raste mund të ketë një tregues të mirë për një terapi në çift, sepse agresiviteti tregon gjithsesi interes dhe lidhje. Nëse situata e një çifti është e tillë, e kanë arritur tashmë në vijën e finishit, një terapi në çift mund të jetë e nevojshme për të bërë disa llogari, për të marrë përgjigje, që çifti të ndahet në mënyrë civile dhe t’i japë një kuptim pakënaqësive të veta. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen, sidomos nëse kanë dhe fëmijë. Ndarja, duke pasur një përgjigje mbi gjithçka që ka ndodhur, ka një vlerë terapeutike, pasi nxjerr në pah sjellje në nivel “keqdashësie” dhe i zhvendos ato në një nivel vuajtjeje, pamundësie, problematikash, etj.

Terapia në çift, i shtyn të dy partnerët që të vlerësojnë situatën aktuale të vuajtjes, duke u ndalur te pritshmëritë e të dyve. Terapia në çift është një terapi “e shkurtër”. Me këtë nënkuptohet një terapi, e cila ka një strukturë klasike, 70 përqind përbëhet nga konsulencë dhe vlerësim dhe 30% takime terapie. Si për terapinë familjare, ashtu edhe për atë në çift është veçanërisht e këshilluar prania e dy ekspertëve që punojnë së bashku, njëri në kontakt të drejtpërdrejtë me çiftin dhe tjetri “pas pasqyrës”, për të bërë supervizimin.

Përgatiti: Manjola EREQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top