Dëshmi

February 2, 2021 | 8:40

Psikoterapistja shqiptare në Suedi, “shqetësuese dhuna social-ekonomike”. I mangët informacioni ndërgjegjësues

 

Intervistoi Kaltrina Jashari

 

Kriminologia dhe psikoterapistja shqiptare që jeton dhe vepron në Suedi, Aurora Pirraku, ka një qasje sa i takon dhunës në familjet suedeze. Ajo jep një shpjegim të plotë mbi rastet kur ndodh kjo dhunë, çfarë e shkakton atë dhe masat që duhen ndërmarrë me përgjegjshmëri të plotë nga organet kompetente. Ajo që thekson Pirraku, nisur nga përvoja suedeze, thotë se ajo që ende prodhon dhunë të gjithëfarëlloji, është mungesa e informacionit që duhet të transmetohet nga burime të ndryshme.

Aurora Pirraku, kriminologe, psikoterapeute

Aurora Pirraku, kriminologe, psikoterapeute

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në Suedi, sipas kriminologes dhe psikoterapeutes Aurora Pirraku, 20% e grave përjetojnë dhunë nga partneri apo nga ish-partneri i tyre.

Çfarë mund të llogaritet dhunë apo si ndahet ajo?

Duhen dalluar disa lloje të dhunës, sepse nuk është dhunë vetëm ushtrimi fizik i saj ndaj një personi. Pra, përveç dhunës fizike, dhunë mund të llogaritet edhe dhuna psikike, seksuale, financiare apo ekonomike dhe dhuna sociale. Secili prej tyre ka pasojat e veta dhe varet nga shumë faktorë. Në vendin ku unë punoj e banoj, pra në Suedi, dhuna financiare apo ekonomike diskutohet shumë, gjë që nuk bëhet në intensitetin e njëjtë edhe në Kosovë. Në Suedi, kur viktima e dhunës në familje nuk kanë mundësi të mira ekonomike, atëherë ajo ndihmohet financiarisht nga shteti. Me dhunë sociale nënkuptohet kur personit i ndalohet që të dalë jashtë shtëpisë, të shoqërohet me të tjerët dhe për të gjitha veprimet që bën ajo kontrollohet nga dikush tjetër, pra nga personi që ushtron dhunë sociale.

 

Cilat janë mënyrat më të mira për t’i bindur viktimat e dhunës në familje për t’u rrëfyer?

Gjëja më e rëndësishme në takimet që zhvillohen me viktimat ose të dyshuarit si viktima të dhunës së familje është t’i dëgjosh dhe të mos t’i gjykosh. Disa nga pikat kryesore të trajtimit të këtyre rasteve është që të zbulojmë arsyet se pse ka ndodhur dhuna, të mbështetim viktimat, sidomos në raportimin e këtyre rasteve në organet kompetente si dhe t’i këshillojmë që të kërkojnë ndihmë profesionale qoftë nga psikologu apo terapistët tjerë.

1

Sa është numri i viktimave gra të dhunës në familje në Suedi?

Sipas një hulumtimi të realizuar së fundi, 20 për qind e grave në Suedi kanë përjetuar dhunë psikologjike sistematike nga partneri aktual ose ish-partneri. Megjithatë nuk janë vetëm partnerët ata që ushtrojnë dhunë, sepse atë e bëjnë edhe familjarët tjerë si: babai, vëllai, motra apo kunati si dhe kushërinj e farefis. Kjo shifër mendoj që është shqetësuese dhe duhet që shteti të punojë më shumë në zbutjen e këtij fenomeni.   

 

Sa investon shteti suedez në rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje?

Suedia për dallim prej Kosovës investon më shumë në rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Në vit shteti paguan 3 miliardë krona ndihmë për viktimat e dhunës. Instituti Evropian për Barazi Gjinore ka vlerësuar se kostoja e rehabilitimit dhe e trajtimit të viktimave të dhunës në familje në Suedi mund të arrijë deri në 2 miliardë euro në vit.

 

Nga përvoja juaj, cilët mendoni se janë treguesit që mund të konstatojnë se dikush po përjeton dhunë?

Janë disa indikatorë që tregojnë se dikush e veçanërisht gratë po përjetojnë dhunë në familje. Zakonisht ne mund ta vërejmë këtë kur gratë i shkëpusin kontaktet me familjen e tyre ose me kolegët apo shoqërinë e saj, ose kur nuk u bashkëngjitet kolegëve ose shoqërisë për festa ose ftesa të tjera. Pastaj kjo vërehet edhe kur partneri apo burri i saj është xheloz dhe ajo mendon që ai është duke u kujdesur për të në momentin kur partneri e kontrollon e që në fakt nuk kjo nuk ka të bëjë me kujdes.

 

Si e shihni dhunën në familje si fenomen, a mendoni se është e vështirë të largohet?

Dhuna në familje është mjaft komplekse, sidomos në shoqëritë që kanë probleme me ligjin. Është kaq komplekse sepse dhuna shpeshherë arsyetohet nga shoqëria nën pretekstin e “mbrojtjes së nderit”. Ndër problemet kryesore është që viktimat kanë frikë të flasin për dhunën që e përjetojnë e lëre më ta raportojnë tek organet kompetente, sepse e konsiderojnë turp diskutimin për këto përjetime.

 

Si mund të parandalohet dhuna në familje?

Parandalimi fillon që nga familja, e cila duhet të edukojë fëmijët që të jenë të barabartë dhe të mos bëjnë dallime në baza gjinore ndërmjet fëmijëve. Po ashtu, duhet që të jemi të vëmendshëm ndaj shenjave që mund të identifikojnë dikë që po përjeton një dhunë të tillë, andaj ato gra duhet ndihmuar. E në këto raste e rëndësishme është që viktima duhet dëgjuar dhe lejuar që të rrëfejë përjetimin e saj. Mbi të gjitha gishti asnjëherë nuk duhet të drejtohet kah viktima, sepse dhuna nuk arsyetohet. Në Suedi, 89 për qind e të dënuarve për dhunë në familje janë burra.

Ndërsa, në Kosovë duhet që të krijohen fushata vetëdijësuese, të cilat mund të përmbajnë informacione për viktimën si: dokumentimi i dëmtimeve, ruajtja e kërcënimeve, lajmërimi i organeve kompetente e të tilla hapa. Sepse, mos të harrojmë se nga dhuna në familje nuk dëmtohet vetëm viktima, por e gjithë shoqëria.

 

Pse është e vështirë të ndërpritet kjo?

Dhuna zakonisht zhvillohet brenda në shtëpinë e vetë viktimës. Sa ma gjatë që qëndron ajo në atë shtëpi, rritet intensiteti i dhunës. Dhuna fillon me gjëra të vogla si: ‘po dukesh keq’, ‘nuk ma ke përgatit kafen’, dhe komente të tilla.

Është e vështirë të ndërpritet sepse ka shumë gra që nuk janë mjaftueshëm të informuara dhe të gatshme që të hulumtojnë më shumë për të drejtat e tyre. Mirëpo, është jetike që televizionet të informojnë gratë për dhunën dhe mënyrën se si duhet të mbrohen ato.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top