Paraja nuk të bën të lumtur, por sigurisht të ndihmon shumë. Ky është mendimi i shumë personave, të cilët, ndërsa pranojnë rëndësinë e të mirave materiale, e dinë mirë se nuk mund të shkojnë deri në fund të muajit pa të ardhurat e përshtatshme. Këto mendime kanë bërë që shumica e njerëzve të bëjnë dy punë për të marrë një pagë më të lartë, shpesh në kurriz të shëndetit të tyre. Në këtë mënyrë ne punojmë më shumë sesa mund të durojë trupi ynë, pa e kuptuar që shëndeti ynë mendor dhe fizik dobësohet çdo ditë gjithnjë e më shumë. Puna nuk është gjithçka në jetë, mirëqenia dhe shëndeti mendor i një personi nuk kanë çmim.
Çdo ditë mendimet tona janë të mbushura me pyetje se çfarë do të hamë, si do të vishemi dhe si do të paguajmë faturat ose këstin tjetër të kredisë – të gjitha shqetësime që rrisin ndjeshëm nivelin e stresit dhe që, për fat të keq, nuk mund t’i injorojmë. Nga ana tjetër, pa para nuk mund të jetosh dhe është fryti i punës sonë që na lejon të ecim përpara dhe të kemi jetën që kemi. Natyrisht, ne nuk jemi të gjithë njëlloj dhe përveç atyre njerëzve që janë të detyruar të punojnë kaq shumë për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre, ka edhe nga ata që ndjehen vazhdimisht të pakënaqur dhe priren të synojnë gjithmonë e më lart, duke punuar dy herë më shumë. “Të bësh më shumë” nuk është gjithmonë keq, sepse shpesh na shtyn të kapërcejmë kufijtë tanë, me pasoja të jashtëzakonshme.
Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shmangim përfundimin në një situatë klaustrofobike, ku ndalojmë së punuari për të jetuar dhe fillojmë të jetojmë për të punuar. Shpesh, ne kalojmë një jetë të tërë duke punuar dhe kalojmë shumicën e kohës, në kompani që nuk janë as tonat, por që bëhen pjesë integrale e jetës sonë. Në një kontekst të tillë, është shumë e lehtë të mos mund të gjesh kohë për veten dhe të kultivosh pasionet e dikujt, duke nxitur një rreth të mbrapshtë që vazhdon të helmojë jetën tonë.
Lodhja kronike, stresi, çrregullimet e të ngrënit dhe vështirësia për të mbajtur një marrëdhënie të qëndrueshme janë të gjitha pasojat e një rutine pune shteruese, e cila nuk na lë vend për të jetuar. E megjithatë, ne kemi shumë nevojë për aktivitete argëtuese si të shkojmë në kinema apo koncert ose thjesht të dalim me miqtë.
Puna është thelbësore, por nëse kuptoni se po dëmton jetën tuaj, atëherë është ndoshta e përshtatshme të bëni një hap të vogël prapa. Shpesh ne dështojmë të bëjmë punën e ëndrrave tona dhe kjo perceptohet si një nga dështimet e para në jetën e një personi, por kjo nuk duhet të na dekurajojë shumë ose të na irritojë. Çështja kryesore është të gjejmë një ekuilibër mes punës dhe kohës së disponueshme për veten tonë, në të cilën të kultivojmë hobi dhe pasione, t’i përkushtohemi partnerëve, miqve dhe familjes. Paraja është e rëndësishme, por shëndeti juaj mendor është edhe më i rëndësishëm.
Burimi / https://www.guardachevideo.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.