FB

October 18, 2021 | 8:19

Punojmë për të jetuar apo jetojmë për të punuar?

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

 

Sot jetojmë në kohëra ku gjithçka vërtitet rreth parasë. Shumë individë, që gjenden në këtë vorbull, përballen çdo ditë me presionin dhe stresin që lidhet me fitimin e tyre, atë që në gjuhën e përditshme e quajmë “Punë”. Disa nga stresorët më të zakonshëm në vendin e punës si: paga e ulët, ngarkesa e tepërt e punës,  mundësi të pakta për rritje, një punë që nuk na pëlqen, mungesa e mbështetjes, kërkesat e paqarta për performancën etj, çojnë në gjendje fizike e psikologjike të rënduar shumëkënd.

Puna citohet si një burim i rëndësishëm stresi nga shumica e studimeve. Efektet e stresit të pakontrolluar, mund të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë. Një mjedis pune stresues mund të kontribuojë në probleme të tilla si dhimbje koke, dhimbje barku, shqetësime të gjumit, reagime agresive impulsive dhe vështirësi në përqendrim.

Stresi kronik nga puna mund të rezultojë në ankth, pagjumësi, presion të lartë të gjakut dhe një sistem imunitar të dobësuar. Mund të kontribuojë gjithashtu në kushtet shëndetësore të tilla si depresioni, obeziteti dhe sëmundjet e zemrës. Duke e komplikuar problemin, njerëzit që përjetojnë stres të tepruar shpesh e trajtojnë atë në mënyra jo të shëndetshme, të tilla si ngrënia e tepërt, ngrënia e ushqimeve të pashëndetshme, pirja e cigareve ose abuzimi me drogërat apo alkoolin.

Puna është e rëndësishme për arsyet që i dimë të gjithë, por nuk duhet ta lejojmë që të na kushtojë shëndetin dhe marrëdhëniet tona sociale e personale. Për të menaxhuar stresin që krijon puna, rekomandohen disa strategji nga specialistët e fushës:

245446214_10159903502583521_2779011460619880943_n

1-Mbani shënime për një ose dy javë për të identifikuar situatat që ju krijojnë stres dhe mënyrën se si reagoni ndaj tyre. Shkruani mendimet, mënyrën si ndiheni, informacion rreth mjedisit, përfshirë njerëzit dhe rrethanat e përfshira, mjedisin fizik dhe mënyrën se si reagoni. A e ngritët zërin? Marrja e shënimeve mund t’ju ndihmojë të gjeni modele midis stresorëve dhe reagimeve tuaja ndaj tyre.

2-Zhvilloni përgjigje të shëndetshme ndaj stresit. Në vend që të përpiqeni të luftoni stresin me ushqim të shpejtë ose alkool, bëni çmos për të bërë zgjedhje të shëndetshme kur ndjeni që tensioni po rritet.

Ushtrimet janë çlirues të shkëlqyer. Gjithashtu gjeni kohë për hobi dhe aktivitete të preferuara. Pavarësisht nëse lexoni një roman, shkoni në koncerte ose luani lojëra me familjen tuaj, sigurohuni që të lini kohë për gjërat që ju sjellin kënaqësi. Gjumi i mjaftueshëm me cilësi të mirë është gjithashtu i rëndësishëm për menaxhimin efektiv të stresit. Ndërtoni zakone të shëndetshme të gjumit duke kufizuar marrjen tuaj të kafeinës gjatë ditës dhe duke minimizuar aktivitetet stimuluese, të tilla si përdorimi i kompjuterit dhe televizorit, gjatë natës.

3-Vendosni kufij. Në botën e sotme dixhitale, është e lehtë të ndjeni presion për të qenë në dispozicion 24 orë në ditë. Vendosni disa kufij punë-jetë për veten tuaj. Kjo mund të nënkuptojë bërjen e një rregulli për të mos kontrolluar emailin nga shtëpia në mbrëmje, ose mos përgjigjen në telefon gjatë darkës.

4-Karikoni energjinë tuaj.  Për të shmangur efektet negative të stresit kronik dhe lodhjes, na duhet kohë për të rimarrë veten….Ky proces i rimëkëmbjes kërkon “fikje” nga puna duke pasur periudha kohore kur as nuk përfshiheni në aktivitete të lidhura me punën, as nuk mendoni për punën. Kjo është arsyeja pse është kritike që ju të shkëputeni herë pas here, në një mënyrë që i përshtatet nevojave dhe preferencave tuaja. Mos lejoni që ditët e pushimeve tuaja të shkojnë dëm.

Për ata që janë të punësuar, të folurit hapur me punëdhënësit tuaj ndihmon në menaxhimin më të mirë të Stresit, pa harruar dhe mbështetjen e familjarëve dhe miqve tuaj. Qëllimi kryesor është që të zhvilloni aftësi sa më të mira për të përballuar stresin dhe mbilodhjen e panevojshme.

Mos harroni: punojmë për të përmirësuar cilësinë tonë të jetesës e jo për ta përkeqësuar atë….

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top