Këshilla & Arsye

July 23, 2016 | 10:05

Pushime për herë të parë me bebe!

Për prindërit e rinj, pushimet e para me bebe janë me të vërtetë një aventurë. Ankth, pasiguri, përgatitje, frikë se mos ndoshta nuk do të jenë në gjendje të përballojnë ndryshimin e ambientit dhe a janë siguruar mirë për gjërat e domosdoshme që një bebe duhet të ketë me vete, sidomos atëherë kur do të jetë për disa ditë larg shtëpisë. Për disa çifte, hera e parë me pushime me bebe ka qenë si të zhvendosje të gjithë shtëpinë në vendin e pushimit! Dhe pikërisht, për një çift të ri që ka krijuar disa rituale pushimesh, mes njëri-tjetrit, të afërmve apo miqve, me mbërritjen e një bebeje, nisja e pushimeve nënkupton rishikim të zakoneve, pasi ardhja në jetë e një fëmije kërkon përshtatje në shumë aspekte. Si të harrojmë zgjimet e vona në mëngjes, netët e vona në lokale nate në shoqërinë e alkoolit, plazhi në oraret më të nxehta etj. Për të gjitha këto aktivitete jeni të detyruar të tërhiqeni dhe t’u përkushtoheni në maksimum nevojave dhe ritmeve të bebes suaj. Pavarësisht kësaj, nuk do të thotë se jeni të destinuar të kaloni pushime të mërzitshme tashmë. Për prindërit nuk ka kënaqësi dhe emocion më të madh sesa kur të shohin që fëmija i tyre do të prekë për herë të parë me këmbët e vogla rërën, detin; kur të shijojnë gëzimin dhe buzëqeshjen e fëmijës që ia fal vetëm atmosfera e krijuar gjatë ditëve të gjata e të ngrohta në prani të prindërve tashmë me kohë të plotë, atmosferë të cilën përditshmëria nuk ia mundëson sikurse prindërit janë të angazhuar me punë dhe detyrime të ndryshme.

Si mund ta përballojmë stresin e pushimeve të para me bebe

Përshtatja me ritmin e fëmijës nuk është e pamundur. Ashtu si keni vepruar në kushtet e shtëpisë, do të veproni edhe në vendin e pushimeve që keni zgjedhur. Mjafton të bëni zgjedhjen e duhur, ku kushtet higjienike, klima, vendndodhja të jenë së pari zgjedhja më e mirë për beben dhe për vetë ju prindërit. Nëse prindërit janë të qetë dhe të sigurt se kanë çdo gjë nën kontroll, edhe fëmija do të ndihet i qetë, i sigurt dhe i lumtur pranë familjes së tij në ambientin e ri.

Pushime në det

Pavarësisht rreziqeve të diellit dhe dehidratimit, mjafton të keni me vete mjetet e domosdoshme si kremi i diellit me faktor të lartë mbrojtës, rroba të lehta pambuku, çadër, kapele, syze dielli etj. Ajri i detit, jodi, janë tonifikues për bebet, shëtitjet buzë detit në orët e para të mëngjesit dhe në perëndim, por kini kujdes në rastet kur fëmija juaj është ende i vogël, pasi klima mund t’i bëjë nervozë ata duke pasur vështirësi me gjumin. Nëse fëmija juaj është më pak se 6 muajsh, një orë plazh në ditë është e mjaftueshme.

Pushime në mal

Nëse preferoni të planifikoni pushime në mal, këshillohet të mos ngjiteni shumë lart, mbi 1500 m lartësi, pasi fëmija juaj mund të ketë problem me veshët për shkak të ndryshimit të presionit atmosferik gjatë një ngjitjeje apo zbritjeje të shpejtë. Në dimër, temperatura trupore e fëmijëve bie në mënyrë të menjëhershme dhe për këtë arsye duhet treguar kujdes me veshjet që përdorim për shkak të lagështisë, temperaturës së ulët etj. Pushimet në mal këshillohen për ajrin e pastër, gjelbërimin dhe fëmijët mund të jenë më aktivë e të gjallë, ndryshe nga pushimet në det ku dielli është mjaft i fortë. E megjithatë, edhe në mal duhet treguar kujdes në ditët e forta me diell në rastet e pushimeve verore.

Pushime në fshat

Fshati është destinacioni ideal me një fëmijë të vogël. Nëse bebja juaj është disa muajsh dhe fle pjesën më të madhe të kohës, ka nevojë për një ritëm të rregullt. Dhe fshati ofron klimën dhe qetësinë e dëshiruar për dy prindër të rinj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top