FB

June 26, 2024 | 7:05

Pushimet, butoni që i jep fund stresit

Ktheni për një çast kohën prapa dhe përpiquni të sillni ndër mend pushimin tuaj të fundit. Çfarë ndjenjash ju pushtojnë teksa kujtoni ditët e bukura pranë të dashurve tuaj në një vend larg të përditshmes, pluhurit dhe stresit në punë! Më së fundi erdhi koha të lexoni librat e blerë me aq dëshirë, të luani pa kufi me fëmijët, të shijoni rrezet e diellit ulur në shezllog, të notoni në ujin e kripur dhe të shëtisni në ajrin e pastër, të vizitoni muzetë dhe vendet e panjohura, të lidhni kontakte të reja dhe mbrëmjeve të bëni biseda të këndshme duke shijuar shishen e verës me miqtë e mirë… Stop. Ishte vërtetë kështu?

1

Përpiquni tani t’i jepni përgjigje pyetjes se sa përkoi realiteti i pushimeve të fundit me ëndërrimet, parashikimet dhe pritshmëritë tuaja? A u shuan vërtetë si me një të rënë të butonit zënkat me pjesëtarët e tjerë të familjes, a ju la të qetë shefi apo të tjerët me telefonat dhe SMS-të, a ju dha vërtet kënaqësi hoteli dhe personeli i tij, a patët kohë për të realizuar gjithçka që i kishit vënë qëllim vetes dhe në fund të fundit, a u ndjetë vërtet i çlodhur dhe i përtërirë kur u kthyet në shtëpi? Për t’ju ndihmuar pak në reflektimin tuaj, le të hedhim një vështrim në botën “e vërtetë” të asaj që një pjesë jo e vogël e pushuesve ndjen dhe përjeton gjatë pushimeve. Ndoshta pas leximit të këtyre rreshtave mund të gjeni tek-tuk vetëveten…

NË PUSHIME – I SËMURË DHE I STRESUAR

Më së fundi erdhi dita e parë e pushimeve të merituara, e javëve më të bukura të vitit! Por jo rrallë qëllon që në vend të shëtitjes në natyrën e mrekullueshme, larjes në ujin e kripur të detit apo vizitës në një vend të panjohur, të gjendesh në shtrat me temperaturë dhe dhimbje të forta koke. Një fat ky që fakt prek jo pak njerëz, të cilët përjetojnë stres në punë. Arsyeja e këtij fenomeni është se shpesh, stërmundimi fizik dhe shpirtëror nuk vlerësohet apo merret seriozisht nën presionin e punës. Vetëm pas largimit të faktorit të jashtëm (stresi në punë), arrijnë të dalin në plan të parë pasojat e tij (stërmundimi fizik dhe shpirtëror). Studime të ndryshme kanë treguar se pikërisht në fillim të pushimeve rezistenca e sistemit imun të organizmit ulet ndjeshëm, duke rënë kështu pre e infeksioneve të ndryshme. Por kjo histori nuk mbaron këtu. Shumë pushues nuk arrijnë të gjejnë qetësi dhe të çlodhen sa duhet, edhe kur ata nuk shfaqin shenja të dukshme të ndonjë sëmundjeje. Pa dashur, stresi i përditshëm ushtron një presion të madh psikik, duke rritur pritshmërinë individuale të asaj që duhet të ndodhë gjatë pushimeve. Brenda dy javëve, trupi duhet të gjejë me domosdo qetësinë e duhur dhe të rifitojë energjitë e shteruara nga puna e gjatë, familja dhe hobet duhet të kalojnë në planin e parë e plot të tjera si këto. Nëse këto parashikime dhe pritshmëri nuk realizohen, atëherë ato ia lënë vendin një zhgënjimi të thellë, duke bërë që të ndiheni shpirtërisht edhe më të stresuar sesa përpara fillimit të pushimeve. Si rrjedhojë, pushimet nuk përbëjnë më një oaz të ripërtëritjes trupore dhe shpirtërore. Statistikat perëndimore tregojnë se gati gjysma e pushuesve nuk e arrijnë shkallën e dëshiruar të ripërtëritjes, duke u ndjerë të deprimuar dhe në gjendje jo të mirë fizike. Nga ana tjetër, një e pesta e pushuesve e konsiderojnë pushimin e vitit të kaluar si shumë stresant. Një e dhënë edhe më interesante është ajo që dëshmon se rreth një e treta e çifteve e kanë dërguar letrën e divorcit në gjykatë pak kohë pas kalimit të pushimit të përbashkët.

FAZA “PARAPUSHIMORE” – PORTA QË HAP DYERT E NJË PUSHIMI OPTIMAL

Pushimi nuk funksionon me një të rënë të butonit. Madje për organizmin mund të jetë e rrezikshme që nga një gjendje stresi të madh në punë, t`i hipësh makinës apo avionit në darkë dhe të nesërmen të kalosh orë të tëra nën diellin e nxehtë veror. Ky ndryshim i madh nga 100% aktivitet në një vlerë zero për një kohë kaq të shkurtër, është i ngjashëm me atë që ndodh kur një motorr aktiv pushon papritur së punuari. Më e mira do të ishte që përpara fillimit të pushimeve organizmi “të mësohet” dalëngadalë me gjendjen e re. Kjo arrihet duke i rezervuar vetes një distancim të mundshëm mendor nga puna, si p.sh duke i dhuruar vetes kënaqësinë e të menduarit për afrimin e ditëve të relaxit. Edhe ideja se kjo apo ajo gjë duhet të mbarohet patjetër përpara nisjes së pushimeve është e gabuar. Një orientim i ngadalshëm drejt ditëve të pushimit është më i shëndetshëm dhe ul shkallën e nervozitetit apo të mungesës së durimit, si dhe ndikon në rritjen e qetësisë shpirtërore aq të dëshiruar gjatë pushimeve. Kjo këshillë gjen mbështetje edhe nga statistikat mjeksore të cilat kanë vërtetuar se rreziku i një infarkti në zemër apo i një “depresioni të shezlongut” është më i lartë menjëherë pas ditëve të para të pushimit. Koha e duhur në përgatitjen e pushimeve është porta që çel dyert e një pushimi optimal, por mos harroni: kjo gjë nuk vlen kur valixhja përgatitet në sekondën e fundit dhe në aeroport apo në makinë të duhet t´i japësh përgjigje SMS-ve apo Emailave që të dërgojnë kolegët apo shefat.

“POST-PUSHIME” DHE PLANE TË REJA

Dhe në fund të fundit mos harroni: pushimi është vetëm një largim i përkohshëm nga e përditshmja. Ai që ëndërron për pushime dhe parajsë duhet të kuptojë se dy apo tre javë pushime nuk do të mund të balancojnë kurrë 49 apo 50 javë të punës stresante. Ndaj dhe është mirë që edhe jeta juaj post-pushimit të përmbajë brenda elemente të tij: një drekë apo darkë jashtë shtëpisë me familjen dhe miqtë, një shëtitje, një aktivitet sportiv, apo qoftë edhe duke i hedhur herë pas herë një vështim nostalgjik albumit fotografik. E nëse nuk ndihmon asgjë, askush nuk ju pengon të planifikoni pushimin e ardhshëm … të paktën në kokën tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top