Pushimet në familje përfaqësojnë një përvojë unike, jashtë normalitetit. Janë momente që duhet t’i kaloni së bashku në një mënyrë të ndryshme, për të forcuar marrëdhënien me njëri-tjetrin…
- Rëndësia e pushimeve
Udhëtimet na ndihmojnë në marrëdhënien me familjarët. Duhen vite përvojë për të kuptuar se sa duhet t’u japim apo mohojmë të afërmve. Dhe pushimet mund të na japin mjetet e nevojshme për të kuptuar se kur dhe si duhet të sillemi. Jeta është arti i takimeve, pushimet bëjnë të mundur që të takojmë njerëz të rinj, duke pasuruar dhe zgjeruar horizontet tona.
- Një përvojë në familje
Pushimet dhe udhëtimet i bëjnë mirë fëmijëve, por jo vetëm. Edhe të rriturit përfitojnë. Në pushimet së bashku krijohen kujtime të parrarrueshme, pikërisht sepse ndodh një thyerje e përditshmërisë. Vetë familja vihet në provë, në momentin që ekspozohet ndaj ndryshimit. Për prindërit është një rast i mrekullueshëm: fëmijët i shohin gjërat në një mënyrë kaq inteligjente, surprizuese dhe të pastër, sa t’i dëgjoni e jetoni gjatë pushimeve është një zbulim i vazhdueshëm. Kjo gjë do t’ju bëjë t’i shihni gjërat nga një këndvështrim krejtësisht i ndryshëm, duke ju bërë të shijoni kohën e kaluar së bashku në mënyrë edhe më të thellë dhe të bukur.
Në vend që të bëni programe apo të shkruani në ditar, jepini vlerë pushimeve tuaja nëpërmjet marrëdhënies. Improvizoni së bashku, duke ndjekur fëmijët në zbulimet e tyre, por edhe duke hequr dorë nga programimi dhe duke i besuar instinktit. Gabimi më i madh që mund të bëni gjatë pushimeve është që të stresoheni: gjëja më e mirë për t’i dhënë vlerë pushimeve, është që të shkoni mirë me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh nevojat tuaja, por edhe të të tjerëve. Në këtë mënyrë do të përjetoni një përvojë unike dhe të papërsëritshme, të cilën do ta ruani gjithmonë në zemër.
- Mos programoni asnjë minutë të ditës
Tashmë e kemi në gjak: jeta e qytetit na ka mësuar që të jemi gjithmonë nën presionin e punës dhe të krahasimit me të tjerët. Kur shkojmë me pushime, kemi pothuajse “frikë mos humbasim drejtimin” nëse nuk programojmë çdo gjë në detajet më të vogla. Dhe ja, ku dita mbushet me plane të panumërta: shëtitje me varkë, mësime aerobie, vizita në muze apo shumë e shumë aktivitete të tjera dhe në këtë mënyrë nuk arrijmë të shijojmë pushimin, për të cilin kemi shumë nevojë. Pushimi, në kuptimin etimologjik të fjalës, do të thotë një periudhë ku jemi “bosh”: ndaj nuk duhet të stërmundohemi për të mbushur të gjitha këto hapësira boshe kohe.
Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.