E vërteta merr rëndësi të madhe për ne si individë dhe shoqërinë në tërësi: të qenit të sinqertë nënkupton që mund të rritemi dhe maturohemi duke mësuar nga gabimet tona e për shoqërinë, vërtetësia jep besimin për të krijuar lidhje shoqërore e intime. E lidhur me etikën dhe moralin, e vërteta instalon një paqe shpirtërore tek ne duke na bërë t’u besojmë atyre me të cilët lidhemi e për më shumë na ndihmon në vendimet tona për të bërë gjënë më të mirë.
Përgatiti Rudina Koromani, psikologe Klinike
Të gjithë duam e rendim për të vërtetën për ata që na rrethojnë e gjykojmë ashpër gënjeshtrën, hipokrizinë, mashtrimin duke dënuar e përjashtuar ata që mendojmë me bindje se janë të tillë. Por sa të vërteta mendojmë se dimë? Sa herë e keni parë veten të gjykoni padrejtësisht dikë? Ashtu si loja me “telefonin e prishur”, e vërteta shprishet rrugës e përfundon e tjetërsuar, pavarësisht se pjesëmarrësit e lojës pretendojnë se thanë atë të vërtetë që kishin dëgjuar. “Gënjeshtra bredh gjysmën e botës para se e vërteta të veshi pantallonat”, thotë Çurçill, teksa nënkupton vështirësitë për identifikimin e të vërtetës. Pse ndodh kjo?
Bindja e verbër e individit dhe shoqërisë që pretendon se di një të vërtetë mbart shumë problematika bashkëshoqëruese që vijnë si pasojë e gjykimeve të nxituara, thashethemeve telefon i prishur, të menduarit sipërfaqësor, zilisë, inatit, nivelit të ulët intelektual të individit që pretendon se di të vërtetën duke gjeneruar anatemime ekstreme me gishtin para.
Sa prej jush kanë drejtuar gishtin? Sa burrave e grave u është shkatërruar jeta nga paragjykimet e të pavërtetat e thëna për të vërteta? Perspektiva e të parit të gjërave, paragjykimet dhe niveli ynë mendor e intelektual i kufizuar janë disa nga faktorët që na ngatërrojnë, njësoj si çështjet filozofike mes realitetit e iluzionit të botës që jetojmë. “Po nuk e pashë me sytë e mi nuk e besoj”, por edhe kur e shohim me sytë tanë gabojmë si në rastin kur themi “Qielli është blu”.
Qielli është blu për ne njerëzit: e shohim me shqisat tona e themi është blu, ndërkohë që e dimë se është një iluzion optik: drita e diellit arrin atmosferën e Tokës dhe shpërndahet në të gjitha drejtimet nga të gjitha gazrat dhe grimcat në ajër…drita blu shpërndahet më shumë se ngjyrat e tjera sepse udhëton në valë më të shkurtra dhe më të vogla duke na bërë të shohim një qiell blu shumicën e kohës.
Megjithatë, ky shpjegim shkencor për iluzionin tonë optik nuk na ka penguar ta quajmë blu e madje ta duam. E për çfarë na duhet ky fakt shkencor? E lexojmë dhe e vendosim në një cep të mendjes këtë informacion e sërish për ne qielli mbetet blu, duke refuzuar të prishim iluzionet tona të bukura me një fakt shkencor: jo po grimcat, vala e shkurtër… Por përtej çështjeve filozofike madhore për dilemat, reflektimet e kompetencat që shfaqim për të vërtetat iluzive ose jo, për çështjet që afron realiteti ynë jetësor duket sikur bëhemi më konfuzë e gabojmë shumë. “Ndonjëherë njerëzit nuk duan të dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.” Një vajzë e dashuruar, nuk do të besojë se djali që ajo do aq shumë dashuron dikë tjetër, sepse nuk do të prishi ëndrrat që ka ndërtuar për të ardhmen e saj. Dy prindër nuk duan të dëgjojnë elementë dyshimi mbi orientimin ndryshe seksual të fëmijës së tyre ndoshta sepse nuk duan të prishin ëndrrat që kanë për të ardhmen e tij/saj… Një djalë nuk mund të besojë faktin se babai i tij i adhurueshëm është vrasës, sepse një fakt i tillë do i shkatërronte imazhin perfekt të babait model. Shembujt më sipër lidhen me disa vështirësi të së vërtetës për tu thënë e për tu dëgjuar nga palët, ku të gjitha rastet lidhen me ngjarje jo të këndshme, traumatike e delikate, të cilat krijojnë tensione psikologjike edhe për rastet kur ruhet si sekret edhe për rastet kur zbulohet aksidentalisht apo me qëllim.
“Nuk ta thamë se ti nuk mund ta përballoje të vërtetën “, “të gënjej se nuk e mban dot të vërtetën” janë fjalët që dëgjohen nga dikush që fsheh një të vërtetë të hidhur. Secili nga ne është ndodhur para dilemave për të treguar të vërtetën (nga e cila rrezikojmë të penalizohemi) apo një gënjeshtër që na zgjidh punë menjëherë. Marrim skenarin e kundërt për shembujt më sipër, kur e vërteta thuhet e provuar me fakte: në të tre rastet thënia e të vërtetës mund të shkatojë trauma e dhimbje të madhe tek secili, por do të mundësonte një marrëdhënie më reale e të vërtetë mes palëve e mbi të gjitha çlirimin e peshës së rëndë që një gënjeshtër mbart. Sa e dhimbshme dhe sa pasoja ka e Vërteta, përbën elementin kyç që bën diferencën në thënien ose jo të saj.
Ndonëse jo të gjithëve u ndodh një goditje fatale nga mbajtja e një sekreti, shumë njerëz e konsiderojnë të nevojshme mbajtjen e sekreteve, pavarësisht nëse fshehin diçka nga partneri i tyre romantik, familja apo miqtë. Pavarësisht se pretendojmë se duam të vërtetën, të gjithë kemi sekrete e themi gënjeshtra nga mëngjesi deri në darkë, por i quajmë gënjeshtra të bardha, të mira kur i justifikojmë për të mirën e dikujt, që lidhen me jetën tonë personale e me pjesë të errëta të sjelljeve tona: në fund të fundit na duhet të jetojmë e disa gënjeshtra na ndihmojnë. Një studim i 2017- s, nga Universiteti Kolumbias, Slepian et.al. zbuloi se një person mesatar ruan rreth 13 sekrete në të njëjtën kohë, 5 prej të cilave janë sekrete që nuk ia kanë thënë askujt, që lidhen me çështje si: tradhtia, përdorimi drogës, aktivitete të paligjshme, orientim seksual, dhe jeta familjare.
Njerëzit mbajnë sekrete për shumë arsye: frika mos paragjykohen, mos turpërohen , për të evituar telashet me ligjin ose me një person, mendimi se marrëdhënia e tyre me dikë mund të shkatërrohet nëse zbulohet sekreti i madh, etj. Përtej çështjes: ta themi apo mos ta themi të vërtetën, çështje që është përgjegjësi dhe vendim tërësisht personal për secilin nga ne, mbajtja e sekreteve dhe thënia e gënjeshtrave lidhet me një mirëqenie të ulët ezauruese psikologjike, ku ndjenja e fajit, turpit rëndon psikologjikisht mendimet dhe emocionet duke gjeneruar frikë e ankth. Personat që e vuajnë më shumë janë ata të akuzuarit padrejtësisht. Nuk është thuajse kurrë e këndshme të anatemohesh e as të gënjehesh apo të mbash një sekret. Thënia e gënjeshtrave është një Stres 24 orë në 7 ditë të javës që në një moment shpërthen në forma të paparashikuara psikopatologjike kur e vërteta zbulohet.
E vërteta për marrëdhëniet tona duhet thënë për të evituar rëndesën personale psikologjike por dhe jetën e gënjeshtërt të dikujt që vuan pasojat. Por kjo gjë nuk është aspak e lehtë. Disa individë kanë vërtetë nevojë për tu ndihmuar në momente të tilla për të përballuar vuajtjen e hidhur të së vërtetës me të cilën përballen, një proçes i dhimbshëm ashtu sikurse një ndërhyrje kirurgjikale, por i domosdoshëm për të mos jetuar një jetë të gënjeshtërt. Ndërhyrjet psikoterapeutike për të ndihmuar njerëzit të përballen me thënien e të vërtetave vlerësohen përmes shumë faktorëve: sa dëm po shkakton thënia e gënjeshtrave? A është gati personi të dëgjoj të vërtetën e hidhur e të përballet me të? Nga ana tjetër shoqëria duhet të jetë më kujdesshme në drejtimin e gishtit teksa kupton se disa të vërteta nuk mund t’i marrë vesh kurrë.
Disa të vërteta që lidhen me kutinë e Pandorës nuk duhen hapur teksa iluzioni i të vërtetës na ndihmon të jetojmë, duke mos harruar përgjegjësitë morale për të shmangur e ndalur pasojat e ngjarjeve të pakëndshme përmes të vërtetave që mund dhe duhet t’i themi e duke evituar gjykimet e nxituara e paragjykimet kur drejtojmë gishtin. Pavarësisht se faktet shkencore më thonë se qielli nuk është blu në të vërtetë, mua më pëlqen ta quaj blu sa kohë pafundësia dhe ngjyra e tij më bën të ëndërroj e të ndihem mirë, duke pranuar me buzëqeshje pretendimin tim iluziv.
E si mund të krahasohet një ëndërr e pafundme me një fakt të izoluar shkencor?
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.