Dashuria ime për geishat fillon dhe mbaron te kimonoja ime!
Geishat më kanë tërhequr gjithmonë. Figura misterioze, të heshtura, diskrete, të përulura, magjike. Në Japoni, në Kyoto kam ndaluar në Gijon për të parë “okiat” – shtëpitë e geishave të kthyera në qendra për vizitorët tashmë. Por pjesa e veshjeve të kimonove është një atraksion më vete, veçanërisht në Kyoto. Dhe sigurisht që entuziazmohesh kur sheh aq shumë “geisha” të improvizuara nëpër rrugët e këtij qyteti, i cili është ndër më interesantët në botë (dhe jo vetëm për këtë fakt).Në Kyoto zgjodha të fle në një “roykan” – hotel i stilit tërësisht japonez, ku e zonja e hotelit, një grua e mrekullueshme me një bukuri të pashoqe, rreth të 50-ve, ishte ajo që për herë të parë më mësoi si të vesh kimononë time dhe si të lidh obin. Si dhe ku t’i vendosja lulet në kokë dhe madje më shpjegoi të gjitha llojet e ushqimeve (sepse roykani ofronte një larmi ushqimesh japoneze, që për hir të së vërtetës është ndër ushqimet më të shijshme në botë). Por meqë më intrigonte shumë figura e geishave, kam lexuar edhe shumë libra apo materiale për to. Një kuriozitet që më ka bërë përshtypje? Geishat lyejnë fytyrën dhe qafën tërësisht me të bardhë, por pas qafës shpesh ato lënë një pjesë të palyer. Kjo pjesë për burrat japonezë është aq joshëse sa është minifundi për burrat europianë. Interesante, ëëë?! Fakt tjetër interesant rreth tyre është që dikur geishat i lyenin dhëmbët me bojë të zezë. Dhe ajo që përsëri më ka bërë përshtypje është që geishat janë të tilla edhe 60 vjeç! Pastaj se çfarë janë në të vërtetë ato dhe se çfarë përfaqësojnë, do doja të flisja aq shumë, por që hapësira duhej të ishte më e madhe. Ajo që dua të theksoj është vetëm kaq që: “Dashuria ime për geishat fillon dhe mbaron te kimonoja ime”.
Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ
Gjithçka është udhëtim. Në një lëvizje energjike e të pandërprerë, sa rraskapitëse aq dhe ëndërruese. Sepse vetëm duke lëvizur në vazhdimësi do të mund të arrish në stacionet që ke regjistruar në memorien tënde me kode të veçanta. Janë stacione fillestare, dytësore…, shtigje ku trysnia e jetës të udhërrëfen se si dilet nga ngushtica e çasteve të vogla për në hapësirën e gjerë kozmike. Është pikërisht ky udhëtim alternativash, menaxhimi i kujdeshëm i sfidave të vazhdueshme që të mëson shumë më tepër sesa pikëtakimi fillestar me botën, çelësi që hap derën nga ku vjen drejt teje gjithçka ke trasmetuar më parë si paradhënie për jetën.Në ditë-natën njerëzore udhëtimet janë të domosdoshme. Funksionojnë agjencitë që të çojnë deri në skajin më të largët të botës, por dheShqipëria Turistike është po aq e bukur për t’i rënë kryq e tërthor, gjë e cila të jep dhe adrenalinën e munguar. Ndaj ajo vetë, e ka ndarë kohën e saj në mënyrë krejt racionale, për të qenë në udhëtimin e saj të vazhdueshëm, sa në qytetet më mahnitëse të botës, aq edhe në zonat më mbresëlënëse të vendit. Dhe udhëtimin e saj, lëvizjen e pashtershme po aq sa dhe formula bazë mbi të cilën gjallon universi, nuk ka mundur ta ndalë askush. Madje as pandemia që tronditi botën dhe kufizoi gjithçka lëvizte në tokë e fluturonte në ajër. Dhe kjo ka bërë që të vazhdojë t’i marrë jetës gjithçka të bukur si një i rritur edhe pse më të shumtin e kohës e kalon mes fëmijëve. Sepse veç hobit për udhëtime të pandërprera, Edlina Losha, personazhi ynë i kësaj here në radiografi, administron dhe një sipërmarrje siç është kopshti ‘Princi i Lumtur’, dhe që është kënaqësia e saj po aq e madhe.
Ritakohemi pas një bashkëpunimi më herët me ju. Një intervistë e plotë në dimensionin e një gruaje në karrierë, me këndvështrime, pritshmëri dhe emocione akoma më me pasion për të ardhmen. Duhet thënë se pjesë e kësaj pasurie shpirtërore e juaja ishin (dhe janë) udhëtimet. Por, pa ditur e pritur, u gjendëm në një periudhë si pandemia dhe shumë prej nesh u përballën me një rrugë të papërvojë. Cila ishte sprova juaj?
Secili pati përjetimet e tij dhe jetës sonë iu shtua edhe një eksperiencë e re, ajo e “pandemisë”. Na kapi të papërgatitur në fakt. Personalisht gjendesha në cepin tjetër të globit, pikërisht në Honolulu. Por të gjendeshe atje ndërkohë që bota dita-ditës fliste për “mbyllje” ishte diçka emocionuese. Jam tip shumë i qetë në kësi rastesh, një nga vetitë e mia është që i superoj me optimizëm dhe sportivitet sfidat e jetës. Dhe ndërkohë që bënim rrugën e kthimit nga Honolulu me aeroplanin bosh mbi Paqësor, stjuardesa teksa shihte që tentonim të ndërronim vendet, na bërtiti: -“Do rrini në vendet tuaja apo t’ju nxjerr të gjithëve jashtë!” Kujtimet janë interesante, dhe pasi kalojnë kohët, të vijnë të ëmbla, por derisa u kthyem në Shqipëri, kaluam shumë peripeci, i ramë përmes një Bote të ndryshuar dhe të trishtë tashmë.
Tani që i kthehesh pas këtyre kujtimeve, të brishta, sfiduese, emocionuese, cili është mesazhi që mund të përcjellësh?
M’u përforcua një shprehje e dëgjuar diku që: “Ne bëjmë plane, Zoti qesh me ne!” Asgjë nuk është e parashikueshme. Cila është gjëja e parë që bëre kur shkele tokën shqiptare? U kënaqa dhe u vetëkarantinova. Isha aq e lumtur asokohe sa fëmijët e mi më thanë: -“Na surprizove sepse prisnim një njeri që të bënte “uf-buf” gjithë kohës duke u ankuar që mbeti në shtëpi!” Qesha dhe u thashë: -“Mos harroni që unë jam shenja e peshqve dhe ne “peshqit jemi shenja më e përshtatshme e zodiakut”. Shkurtimisht, e shijova edhe atë pjesë kohe ashtu siç di unë t’i shijoj gjërat.
Duke qenë tek i njëjti përjetim, ju pengoi pandemia të realizonit udhëtimet e planifikuara?
Të thuash që “s’më pengoi”, do gënjeja, dhe nuk është kjo natyra ime e “rrëfimit”. Pandemia paralizoi gjithë jetën në të gjithë Botën dhe jo vetëm kaq! Sa arritët të realizonit prej tyre dhe cilat ishin vështirësitë? E megjithatë, nuk ndenja pa lëvizur, sepse gjithsesi kishte opsione, kuptohet jo në vendet që kisha planifikuar, por veten e kënaqa me Italinë, Dubain, Turqinë, Beogradin, Prishtinën, Shkupin. I shijova me qetësi sa kurrë më parë të gjitha këto, dhe veçanërisht iu riktheva Shqipërisë.
Tani, me vaksinimin dhe çlirimin e masave, do t’i përmbushni pritshmëritë e vonuara? Cili do të jetë udhëtimi i radhës?
Sigurisht që planet e renditura bukur në fletore kanë një vit që presin në sirtar. Më i afërti është një vizitë në Alaskë, të cilën pres ta realizoj së shpejti.
Pse kanë kaq rëndësi udhëtimet për ty?
Udhëtimet janë ato që më ripërtërijnë dhe më mbushin shpirtin me liri dhe optimizëm.
Të udhëtosh për ty do të thotë të jetosh? Mendon se është një nga aftësitë e falura pë e falura për t’ia zgjatur jetën vetes?
Epooo, po!
Në verë zgjidhni udhëtime në vende me det, mal apo kudoqoftë?
Destinacionet e verës janë të ndryshme. E sigurt është se edhe nëse zgjedhja është deti apo oqeani, unë asnjëherë nuk e shpenzoj kohën (shiko? – më duket edhe si shpenzim kohe) – të rri dhe të kaloj ditët duke u nxirë në Diell! Jooo, nuk është stili im i pushimeve ky lloj! Menjëherë filloj e bëj plane, do studioj harta, do marr informacione ose do kërkoj guidë nga hoteli e më pas do mbath këpucët dhe do filloj të eksploroj rreth e qark.
Jeni pro pushimeve të gjata apo të shkurtra?
E pra, ju e dini që unë kam si prioritet punën. Do kisha shumë dëshirë që, p.sh, për një vit rresht të lija gjithçka dhe vetëm të udhëtoja. Por kjo hëpërhë është e pamundur, sepse dashuria ime kryesore dhe impenjimi im parësor është pikërisht puna!
Je ti timonierja e pushimeve familajre, apo dkush tjetër aty është edhe më i apasionuar se ty?
Sigurisht që unë jam timonierja e udhëtimeve tona; jam një organizuese e mirë, planifikuese e zonja dhe kam shumë intuitë, tre veti që s’më lënë asnjëherë në baltë.
Këtë ‘ushqim’ ti e ke ndërfutur gjithaq në programin edukativ-arsimor në kopshtin “Princi I Lumtur”, të cilin administron. Shoh shpesh mes fotosh tuajat, fëmijë të qeshur, të lumtur që eskplorojnë vendin e tyre në destinacione të ndryshme. Ia ke arritur qëllimit të induktosh këtë kulturë njohjeje tek të vegjlit?
Kam futur disi frymën time dhe shpirtin tim aventuresk te mënyra e drejtimit që bëj në kopshtin tim. Kam vënë në qendër të vëmendjes argëtimet, lojërat, eksplorimet dhe udhëtimet me fëmijët e vegjël, dhe më besoni, janë gjëra që fëmijët i kanë shumë qejf dhe zbaviten pa masë. Zbavitem edhe unë bashkë me ta. Ndërkohë që edhe kështu, pra nëpërmjet lojës dhe argëtimeve mësojmë shumë të dy palët, do të thosha.
Cili mendon është ndryshimi midis një fëmije që e prek nga afër natyrën me dike që vjen nga një ambient qëndruar mbyllur në shtëpi?
Rrallë sheh ndonjë fëmijë “të mbyllur në shtëpi”, sot, për hir të së vërtetës. Sepse prindërit kujdesen shumë në këtë drejtim dhe nuk u lënë gjë mangët. Por ama do citoja ndryshimin midis një fëmije social dhe të mësuar në kopsht me një fëmijë “asocial” që megjithëse ndoshta e ka prekur natyrën, por nuk ka “prekur” fëmijë të tjerë pa praninë e prindërve, apo të gjyshërve që i mbajne si zogu në kafaz. Fëmijët e kopshtit më duken më të çlirët, më të kalitur, më “fëmijë”, kënaqem dhe krenohem teksa i shoh! Ata kanë ç’të mbajnë mend dhe do kenë ç’të kujtojnë nga vitet e tyre të fëmijërisë së hershme të kaluar në kopsht! Dhe ju flet këtu një person të cilit kujtimet e kopshtit i vijnë të freskëta si të ishin dje! Sot e përgjithnjë zgjidhja dhe zgjedhja e duhur për fëmijët janë kopshtet! E them me bindje të plotë këtë. I këshilloj edhe prindër të ndryshëm që takoj. -“Mos e sillni detyrimisht në kopshtin tim, por zgjidhni kopshtin si opsionin kryesor për ta!”- u them.
Në verë kopshtet dhe çerdhet nuk mbyllen. Një garanci më shumë për prindërit që janë në punë. Tani është edhe periudha pë të bërë zgjedhjen e duhur dhe studiuar programet e institucioneve parashkollore. Çfarë e bën kopshtin “Kopshti I Lumtur” të jetë një model brezash?
Kopshti ynë po bën gati 17 vjet që është në treg dhe tashmë ka krijuar historinë dhe emrin e tij. Unë mendoj se ka njerëz që dinë të punojnë shumë mirë, dhe nga ata që flasin apo reklamojnë punën e tyre shumë mirë. Unë bëj pjesë në grupin e parë. Di të them vetëm që marrëdhënia ime me prindërit zgjat shumë në vite, ka raste edhe 10 vjet. Kjo gjë është një tregues shumë i mirë dhe më bën mua falënderuese.
Çfarë keni menduar ndryshe nga programi veror, marrë parasysh se kurrikula nuk ka ngarkesë mësimore, por vetëm argëtuese?
Asgjë s’na gjen të papërgatitur, e aq më tepër vera. Prej disa vitesh funksionon “Summer kindergarten” dhe është një platformë argëtimesh dhe kënaqësish pa fund, dhe që ofrohet vetëm për fëmijët e kopshtit dhe pa asnjë kosto shtesë. Janë aq të shumta aktivitetet, sa vetëm ata që na njohin e dinë mirë këtë!
Cilat janë kriteret e pranimit, duke qenë se masat prej pandemisë u shtuan për të forcuar sigurinë shëndetësore?
Kemi qenë dhe vijojmë të mbetemi zbatues rigorozë të masave të pandemisë, të nxjerra dhe miratuar nga shteti që në krye të herës, tani shpresojmë shumë që situata të përmirësohet!
Si funksionon regjistrimi, prezantimi me kopshtin? A ka një ditë të veçantë për të vegjlit që vijnë për herë të parë?
Ka procedura të specifikuara të regjistrimit apo të njohjes së prindërve të rinj me kopshtin. Sa për të vegjlit që vijnë në kopsht apo çerdhe për herë të parë, mund të them pa frikë dhe me bindje të plotë që në kopshtin tonë ata përshtaten më shpejt se kudo gjetkë. Kjo për shkak të stafit të mrekullueshëm dhe me një eksperiencë të madhe, dhe që vijnë dhe njohin më së miri botën fëminore.
Çfarë garanton “Princi i Lumtur” për të rritur dhe edukuar fëmijë të lumtur?
Garantojmë lumturinë e fëmijëve e rrjedhimisht edhe të nënave! Motoja jonë që në hapje ka qenë “Fëmijë të Lumtur, nëna të qeta”. Sigurisht që edhe programi mësimor është shumë i rëndësishëm, por mbi të gjitha dëshiroj me gjithë zemër që këta fëmijë të bëhen qytetarë të lumtur, të drejtë dhe të vërtetë në të ardhmen, pavarësisht profesionit apo shkollimit që do kenë.
Sa krenare ndihesh në këtë përvojë?
Ndihem aq krenare sa nuk e përshkruaj dot. Ndihem e realizuar, e plotësuar. E qetë sepse ndikoj sadopak në mirërritjen dhe mirëedukimin e brezit më të vogël, por që do ketë peshën më të madhe, që do jetë pikërisht e ardhmja jonë. Mos harroni që vitet e para të jetës së njeriut janë ato vendimtaret. Dhe kjo më lumturon dhe më bën të ndihem një grua e realizuar dhe e plotësuar. Faleminderit Zot!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.