FB

November 18, 2025 | 11:12

Reagimi ndaj instalacionit “Dielli i ditës tjetër” në mozaikun “Shqipëria”: Sociologia Entela Binjaku ngre zërin për mbështetjen reale të grave me kancer gjiri

 

Instalacioni i përkohshëm “Dielli i ditës tjetër”, vendosur në mozaikun “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, ka ndezur një debat publik. Vepra e fotografes Blerta Kambo, e konceptuar si një homazh për gratë që përballen me kancerin e gjirit, ka marrë vëmendje të madhe për simbolikën dhe mesazhin e saj. Por instalacioni ka sjellë edhe reagime kritike. Ndër zërat më të fortë është ai i sociologes Entela Binjaku, e cila zgjedh ta shohë çështjen nga këndvështrimi i përvojës njerëzore dhe nevojave reale të grave që luftojnë me këtë sëmundje. Binjaku thekson se, pavarësisht përparimeve mjekësore, kanceri i gjirit mbetet një realitet i vështirë dhe emocionalisht rraskapitës për gratë që përballen me të.

entela-binjaku

“Kancerin e gjirit e kam shumë frikë. Një herë, kur shkova të vizitohesha, kam qarë aq shumë para se të niste doktori vizitën. Kur më pyetën çfarë kisha, u thashë se kam frikë se pas vizitës do jem tjetër njeri. Sot kanceri i gjirit nuk është më ai gogoli që kemi ditur vite më parë, por edhe është. Po të isha e diagnostikuar me këtë sëmundje, dhe të nisja kimiot, ose po të bëja radioterapinë, do të doja shumë ngrohtësi, do doja të flija, do doja njerëzit të më jepnin zemër dhe të më mbanin mendjen e kokës, të mos më linin të jetoja e frikësuar, do doja të më donin edhe pa flokë, edhe pa thonj, edhe të verdhë, edhe të dobët, edhe të fikur, pa energji. Vetëm këto do të doja!

Televizorin nuk besoj se do ta hapja, në gjendjen time nuk besoj se do kisha nerva për FB, me siguri as fuqi për të parë kush më shumë më qan hallin. Kimiot të japin edhe shumë të përziera.

Paratë e shpenzuara për vinçin, për të montuar një parullë disa ditore, ata 20 punëtorë që i kishe punësuar për të ngritur kavot, fotografes që shkrepte çdo cm, do u thosha: më mirë me ato para më paguani një qendër këshillimi, më paguani ca seanca terapie, më ndihmon të gjej një grup mbështetës, më ndihmoni të gjej ilaçet në Shqipëri e jo të pres të mi blejnë kushërinjtë në vendet e BE-së.”

instalacioni

Debati i hapur nga instalacioni “Dielli i ditës tjetër” ka shpalosur dy realitete që shpesh ecin paralelisht: nga njëra anë arti si simbol i forcës dhe betejës, nga ana tjetër realiteti i grave që përballen përditë me frikën, ankthin, koston financiare dhe mungesën e mbështetjes së strukturuar. Në këtë mes, mesazhi i sociologes Entela Binjaku vjen si një thirrje për të mos harruar se, përtej simbolikës, nevojat më urgjente të grave me kancer gjiri nuk janë estetike, por humane, emocionale dhe jetike.

instalacioni1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top