*Refije Rexha, Logopede dhe Terapiste ABA. Themeluese e klinikës “Time to Talk”. E diplomuar Bachelor dhe Master Shkencor në Logopedi. Çertifikuar për të ushtruar terapi sipas metodës ABA. Eksperiencë 5-vjeçare në treg. Trajnime në diagnoza logopedike si: “Çrregullimet e artikulimit”, “Ekzaminimi orofacial”, “Trajtimi i vështirësive fonologjike”. Trajnime të tjera: “Ndërhyrja e hershme në Autizëm”, “Interpretimi i vizatimeve të fëmijëve”, “Teoria e mendjes (si të mësojmë empatinë tek fëmijët në spektrin e Autizmit)”, PECS (komunikimi nëpërmjet këmbimit të figurave tek fëmijët minimalisht ose joverbalë).
Vonesa e fjalëve të para, shoqëruar me mungesë belbëzimesh, me ndërveprim social të kufizuar, me mungesë emocionesh apo shprehive të ngrohta emocionale, janë disa tregues, që duhet t’i adresoni tek një specialist përkatës, për të kuptuar shkaqet dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme! Refije Rexha, themeluese e klinikës “Time to Talk” rrëfen se si u bë iniciatore e hapjes së qendrës që ajo drejton, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve me vështirësi të ndryshme, të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese, zhvillimore, emocionale dhe sociale!
Klinika “Time to Talk” vendi ku mund të adresoni çdo shqetësim lidhur me zhvillimin e fëmijës tuaj! Me ekip multidisiplinar të përbërë nga mjekë, logopedë, psikologë dhe analistë sjellje, ofron vlerësime dhe terapi të personalizuar mbi nevojat që fëmija ka!
Si lindi dhe u zhvillua “Time to Talk”?
“Time to Talk” u krijua 3 vite më parë me pasion, dashuri dhe përkushtim, për të qenë vendi ku çdo fëmijë mund të ndihet i kuptuar, i dashur, i dëgjuar, i lirë, i lumtur! Mbi të gjitha, të sigurtë dhe të pranuar! Fillimisht aktiviteti i qendrës ishte i përqendruar në trajtimin e vonesës gjuhësore dhe elementëve të spektrit të autizmit! Sot “Time to Talk” është një familje e madhe e cila trajton larmishmëri diagnozash me metodat më bashkëkohore në treg! Stafi ynë, i përbërë nga logopedë dhe psikologë, është i liçensuar, i kualifikuar dhe i përkushtuar, për të mbështetur çdo hap të zhvillimit të fëmijës nga mosha 18 muajsh deri në adoleshencë!
Çfarë shërbimesh ofroni në klinikë dhe cilat janë vlerat e tyre?
Në klinikën “Time to Talk” përpiqemi të ofrojmë të gjitha shërbimet, duke u orientuar nga nevojat që fëmijët kanë. Kryesisht ofrojmë terapi ABA për rastet e diagnostikuar me autizëm, terapi logopedike për rastet me vështirësi gjuhësore dhe këshillim psikologjik për fëmijët me çrregullime psikologjike dhe emocionale. Tek ne, terapia përshtatet me fëmijën në varësi të vështirësive që hasim. Shpesh ato ndërthuren bashkë për të pasur një rezultat sa më efikas, si në rastin e belbëzimit, ku teknikat logopedike gërshetohen me këshillimin psikologjik, apo në rastin e autizmit, ku terapia ABA, ndërthuret me terapi grupi për të përmirësuar socializimin, por edhe me seanca që zhvillohen jashtë klinikës, në ambiente publike (pishinë, market, kopsht zoologjik, park), për të gjeneralizuar aftësitë e mësuara dhe për ta bërë terapinë sa më natyrale dhe argëtuese!
A është e mundur të korrim fitore në terrenin e nevojave që fëmijë të ndryshëm kanë? A keni shembuj suksesi?
Çdo fëmijë është unik dhe secili prej tyre ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar, pavarësisht nga vështirësitë fillestare që paraqiten. Për ne, çdo sukses, sado i vogël apo i madh qoftë, është një fitore e madhe! Trajtimi kërkon një qasje të personalizuar, që respekton ritmin dhe mënyrën se si secili prej tyre mëson. Në klinikën tonë, kemi pasur shumë shembuj suksesi, ku, përmes angazhimit dhe punës së bashku me prindërit, fëmijët kanë arritur të përmirësojnë dukshëm aftësitë e komunikimit, të kuptuarin, socializimin, ndërveprimin. Rasti që mund të veçoj është një nga vogëlushët tanë, i cili u paraqitet tek ne në moshën 3-vjeçare, me vështirësi në gjuhën e kuptuar dhe në atë të folur. Pas një periudhe trajtimi terapi ABA dhe logopedi, arrijmë të verbalizojmë fjalët e para, dhe kështu hap pas hapi, mësuam shumë gjëra, kapërcyem çdo sfidë bashkë. Sot ai është një djalosh i rritur që frekuenton suksesshëm klasën e parë, si çdo moshatar i tij! Lumturi e madhe për ne është të rrisim fëmijë të lumtur, që dhurojnë dhe marrin dashuri, që arrijnë të shprehin çdo emocion!
Cilat janë nevojat më të hasura?
Prej kohësh vonesa gjuhësore mbetet një nga vështirësitë më të hasura, e cila si element shqetësues tek prindërit ka mungesën e fjalëve të para, deri në 1 vjeç e gjysmë – 2 vjeç. Çrregullimet e artikulimit dhe ato fonologjike janë gjithashtu diagnoza prezente në klinikë. Kohët e fundit vihet re një rritje e rasteve me belbëzim (çrregullim i rrjedhshmërisë në të folurit). Nevojat që hasim më shpesh në lidhje me këshillimin psikologjik janë ato me natyrë kryesisht emocionale. Aftësitë sociale, përshtatja në shkollë, marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, bullizmi, njohja dhe identifikimi i emocioneve si dhe shfaqja e tyre në mënyrën e duhur.
Cilët janë sinjalet e alarmit tek vonesa gjuhësore? Kur duhet të shikojmë për një logoped?
Zhvillimi gjuhësor tek fëmijët është unik dhe secili fëmijë ka ritmin e tij! Është e rëndësishme që prindërit të jenë vigjilentë në vitet e para të jetës dhe të mos neglizhojnë asnjë shqetësim që lidhet me zhvillimin e fëmijës. Prindërit duhet të kërkojnë ndihmë nga një specialist nëse vënë re që fëmija nuk ka gugatje dhe belbëzime deri 9-muajsh, nuk përdor asnjë fjalë të deri në moshën 15-muajshe, kur kemi vështirë si për të imituar gjeste/tinguj/fjalë, nuk kombinojnë fjalë dyshe në moshën 2-vjeçare, vështirësi të vazhdueshme në të folur apo në të kuptuar edhe pas moshës 3-vjeçare. Të gjitha këto elementë mund të shoqërohen me një rënie interesi për të komunikuar.
Cila do ishte këshilla më e vlefshme që do t’i jepje çdo prindi si profesioniste?
Këshilla apo sugjerimi i parë që do i jepja çdo prindi është: Kaloni kohë cilësore dhe produktive me fëmijët! Është shumë e rëndësishme që përtej ngarkesës së ditës dhe ritmit të shpejtë të jetës, të gjeni kohë për një aktivitet, për një lojë, qoftë dhe për një bisedë ku mund të mësoni se si ishte dita e tyre. Kohë e dedikuar vetëm atyre, pa telefon, pa TV, pa angazhime të tjera. Kjo do ta forconte dukshëm lidhjen tuaj me njëri-tjetrin. Këshilla e radhës, bazuar nga shqetësimet e shumë prindërve, lidhet me influencën e rrjeteve sociale. Mos diagnostikoni fëmijët bazuar nga videot virale që mund t’ju shfaqen çdo ditë! Diagnoza kërkon punë nga një ekip i specializuar.
Zhvillimi i çdo fëmije është unik, gjithashtu e njëjta diagnozë mund të shfaqet ndryshe në individë të ndryshëm. E gjitha kjo shpesh ka krijuar ankth dhe stres të panevojshëm. Besojini profesionistëve zhvillimin e fëmijës tuaj!
Adresa: Rruga e Kavajës, Pallati Milo2000
Cel: 067 627 7065
Facebook: Klinikë Logopedie “Time to Talk”
Instagram: klinika_timetotalk
Ueb: www.timetotalk.site
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.