U bënë disa vite tashmë që për të zënë një vend në një nga kopshtet a çerdhet publike, është njëjtë si të konkurrosh në universitet. Gjasat për të zënë një vend, janë tejet të ulëta. Me rritjen e kërkesës dhe përmirësimin e shërbimit, mundësia sa vjen e ngushtohet vit pas viti.
Besarta Basha
Edhe ata që dikur i dërgonin të vegjlit e tyre në institucionet private për një shërbim më të specializuar, kanë hequr dorë prej tyre duke rendur drejt shtetërorit. Kjo ka rritur kërkesën duke e çuar raportin deri në 15 a 20-fish më tepër nga sa ofrojnë ato.
Në momentin që shqyrton aplikimet, Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë e Tiranës ka një listë prioritare me fëmijë që vijnë kryesisht nga familje në nevojë. Përqindja e ulët e vendeve që mbeten, mbulon fëmijët e tjerë, me kushtin kryesor që të dy prindërit t’i ketë në punë.
APLIKIMET
Prindërit që i kanë fëmijët në çerdhe, e kanë punën më të thjeshtëzuar. Ata mund të kalojnë automatikisht në kopsht. Prej dy vitesh, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka reduktuar punën e kopshteve duke ia hequr këtë hallkë dhe thjeshtëzuar procedurën e mbledhjes së dokumenteve dhe kohën për prindërit.
Ndërsa pjesa tjetër, që regjistrohen për herë të parë, e kanë paksa të vështirë për mundësinë e një përgjigjeje pozitive.
Sidoqoftë, ata duhet të bëjnë gati një listë dokumentesh (sipas tabelës përbri shkrimit) për t’i dorëzuar në kopshtin ku dëshirojnë ta regjistrojnë të voglin/ën e tyre.
Gazeta mëson se dy javët e para të shtatorit, nga data 1-15, do të kryhet aplikimi, ndërsa kërkesat do të marrin përgjigje në kohë rekord. Ndryshe nga kopshtet, çerdhet e kanë zgjidhur me kohë këtë pjesë duke mbyllur regjistrimet në qershor.
Me gjasë, në shtator do të rihapet një minisezon aplikimesh me qëllim për të mbushur vendet që mbeten të lira nga ata që ndërrojnë mendje apo nuk duan ta frekuentojnë.
KUSH KA PRIORITET
Janë nëntë kategori të familjeve në nevojë, që përveçse janë të parët që pranohen në listën e aplikimeve, e përfitojnë shërbimin pa kurrfarë pagese.
Bëhet fjalë për fëmijët jetimë, ata me aftësi të kufizuara, fëmijët që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, fëmijët e familjeve monoprindërore (zakonisht nëna kryefamiljare), por me kushtin që paga të jetë nën nivelin e asaj minimale ose fëmija të jetojë vetëm me njërin prind, fëmijët e minoriteteve si dhe ato që janë në kujdestari.
Për të gjitha këto kategori, ka një listë dokumentesh që duhet të dorëzojnë përveç atyre të listuara përbri. Ato kërkojnë të dokumentojnë statusin përkatës për të përfituar shërbimin.
Burimi / Panorama Online
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.