Ushqyesit shëndetësore janë një domosdoshmëri në kushtet kur organizmi ka nevojë për vitaminat apo mineralet që i mungojnë. Nën rekomandimin e mjekut, konsumi i tyre merr vlerat e duhura, pasi asnjëherë nuk mund të dish nga mendja jote se cilat vitamina të bëjnë mirë.
E ftuar në emisionin e mëngjesit në RTSH, farmacistja Elda Tomçini ka apeluar mbi rëndësinë e vitaminave në organizmin e njeriut dhe pse disa kombinime nuk janë të shëndetshme.
“Në rastin e grave shtatzëna vitamina A nuk rekomandohet pasi është toksike në organizmin tonë dhe jep keqformime të fetusit. Është një preparat që përdoret për aknet dhe thuhet efektet anësore nuk rekomandohet te femrat dhe meshkujt që kanë në plan për shtatzëni dhe s’duhet marra 3-6 muaj para, por edhe më mbrapa.
Acidi Folik që njihet, duhen marrë 3 muaj para konceptimit të shtatzënisë. Folatet, vitamina B9 ndikon në rruazat e kuqe të gjakut dhe ADN, prandaj rekomandohet në momente që tentojmë të mbetemi shtatzënë për të eleminuar keqformime të fetusit. Shumë vitamina në doza të mëdha, duhet të kemi kujdes se depozitohen në organizëm, në mëlçi dhe japin efekte anësore, Vitamina D në sasi të madhe jep gur në veshka.
Vitamina D me K2 është shumë më efikase. Nuk lejon të depozitohet e të rrisë sasinë e kalciumit në enët e gjakut. Vitamina C me B12 nuk duhen kombinuar bashkë se vitamina C nuk lejon përthithen e B12. Vitamina B12 dhe D janë ndër vitaminat më të rëndësishme në organizëm”, u shpreh Tomçini.
Kjo e fundit sqaroi momentet e duhura të ditës dhe distancave kohore në të cilat duhen marrë suplementet.
“Njerëzit i marrin vitaminat por nuk janë të qartë kur duhet t’i marrin, në çfarë momenti të ditës, në çfarë distancë kohe?
Vitaminat duhet të merren me ushqim, Vitaminat e tretshme në ujë merren para ushqimit. Ndërsa vitaminat e tretshme në yndyrë rekomandohet të merren pas ushqimit.
Vitamina D, A, E dhe K janë vitamina të tretshme në yndyrë që të absorbohen, duhet që njerëzit të kenë ngrënë pak ushqim me yndyrë që të përthithen më mirë. Nëse dikush merr vitaminën D, rekomandojmë që të marrin pak bukë me vaj ulliri para dhe një vezë në mëngjes.
Grupi i vitaminave B, që janë grupi vitaminave të tretshme në ujë, i japin energji organizmit dhe për këtë energji kemi nevojë në mëngjes. Vitamina E merret në mbrëmje. Vitamina D në gjysmën e parë të ditës se mund të interferojë në gjumë. Vitamina C rekomandohet të merret gjatë gjithë harkut të ditës.
Vitamina B6 është shumë e mirë për relaksin e gjumit dhe rekomandohet të merret në pjesën e dytë të ditës”, tha ajo, teksa shtoi se janë 13 vitamina bazë për të cilat organizmi ynë ka nevojë. Nga këto janë 9 vitamina të tretshme në ujë dhe 4 vitamina të tretshme në yndyrë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.