Në fokus

May 26, 2016 | 9:08

Rexhina Nano: Forca dhe dobësia ime

1Kur e takova për herë të parë, fillimdhjetorin e vitit të shkuar, në zyrën e saj në ambasadën shqiptare në Paris, zbulova një grua mikpritëse. Me gjeste të buta dhe një të folur të qetë, në të vërtetë Rexhina Nano më dha përshtypjen e dikujt që nuk e ka shumë përzemër protagonizmin. Nuk dukej shumë e mikluar nga ideja e një interviste. Dhe në të vërtetë s’duhet të ketë qenë asnjëherë. Tek e fundit nuk e kemi parë edhe aq në faqe revistash e gazetash. Po libri? “Të jetosh kohën”, i botuar dy vjet të shkuara në të vërtetë ishte një zbardhje e jetës së ish gruas së Fatos Nanos qysh nga fëmijëra me të gjitha detajet e saj, me ngjarjet e ëmbla dhe të hidhura që fati i caktoi për rrisk. Por kjo është tjetërçka. Sërish ajo mbetet një grua që nuk e ka përzemër protagonizimin. Tek e fundit ashtu është ndërtuar; gjërat e veta, ato që e joshin dhe e bëjnë të ndihet mirë i ka brenda ose krejt afër vetes. I mjaton të tërheqë një libër në bibliotekë dhe përfshihet në botën e saj; të ngreje receptorin e të tharrasë për një çaj jeshil të bijën për të shijuar disa çaste relaksuese; të tërheqë ndenjësen e skrivanisë dhe të marrë lapsin për të shkruar diçka që do të ketë mes të tjerash edhe një efekt terapeutik… Dhe çdo gjë është në rregull kësisoj. Më shumë se e jashtmja i pëlqen brendia, më shumë se fasada i pëlqen çfarë mbështjell ajo, më shumë se trupi, shpirti… Del, i ndjek ngjarjet kulturore në Paris apo Tiranë qoftë, udhëton… por më së shmuti i pëlqen shtëpia. Ndihet mirë me miq gazmorë por më së shumti preferon të bëjë përzgjedhje të kujdesshme apo t’i lerë lërë mundësi unëve brenda saj të rrijnë me njëri -tjetrin… E pra, nuk i pëlqen protagonizmi. Mandej, në bisedat e herëpasherëshme kuptova se Rexhina Nano është një natyrë emo – cionale por jo vetëm. E brishtë dhe e thyeshme si pasionet apo ëndrrat që dikur i kishte të thekshme… e sakaq racionale si profesioni që edhe pse s’e zgjodhi vetë iu bë natyrë e dytë e ndoshta edhe i mësoi pikërisht racionalizmin. Apo ndoshta përvoja është gjithsesi një faktor në funksion të racionalizmmit… Analizon jetën e saj me një qartësi dhe llogjikë të ftohtë. E pranon ashtu siç i ka ardhur, edhe pse jo në çdo çast rezultat zgjedhjesh vetjake. Por llogjika përzihet me momentet e ndjeshmërisë së lartë mjaft shpesh… …Takimi tjetër, në një ditë të nxehtë gushti, tashmë në Tiranë, ma solli sërish në mendje përshtypjen e parë, për gruan e ëmbël dhe të shoqërueshme… Disi distancuese? Ka të ng – jarë. Tek e fundit duhet të jetë efekti i koracës që çdo njeriu me ndjeshmëri të lartë i duhet të mbajë për t’u mbrojtur… Protagonizmi s’ka vend në një situatë të tillë. E megjithatë ka pranuar të jetë kësaj here protagoniste në “Divanin e rrëfimit” në “Psikologji”.

2Një grua e fortë. Kjo është çfarë duket në pamje të parë… ajo që ju transmetoni. Por, brishtësia (apo dobësia) jo gjithnjë rrezatohet… Cila jeni ju së brendshmi?

Unë vetë nuk arrij ta njoh atë çfarë transmetoj, por mund të pranoj se si për gjithkënd tjetër, edhe për mua, ky përcaktim është vetëm e dukshmja që arrin deri te ju. Mund të dukem një grua e fortë, dhe unë veten të tillë e konsideroj, por brenda meje kanë vendin e tyre të gjitha ndjesitë e brendshme që përbëjnë edhe tiparet e mia njerëzore: edhe forca, edhe brishtësia qëndrojnë bashkë tek unë. Bile mund të them se brishtësia, që arrin të shfaqet me të gjitha format e shprehjes së saj, është tipari që ma bën jetën më të vështirë. Pa nivelin e saj të lartë tek unë, ndoshta do të kisha një jetë lehtësisht të konsumueshme në kohë dhe në përmbajtje. Mendja ime kërkon gjithnjë të shtjellojë në detaje ngjarje apo veprime jo vetëm madhore, por edhe të jetës së përditshme. Megjithatë, kjo edhe pse ma vështirëson jetën, më ndihmon të ndihem më pas, e plotfuqishme ndaj vetes. Duke qenë se jam e prirur gjithnjë nga pozitiviteti, çasti i paqtimit është i padiskutueshëm.

Cila jeni ju në raport me të tjerët? Shoqëria juaj, mjedisi pjesë e të cilit jeni, si mund të përshkruhet?

Më pëlqen shoqëria gazmore dhe i vlerësoj shumë ata që kanë aftësinë për të qenë strumbullari i dëfrimit, por ndihem më mirë pranë njerëzve që janë të plotësuar në përmbajtjen e tyre dhe në ambiente që reflektojnë njohuri të gjithanshme. Ndonëse jam e vëmendshme ndaj kujtdo me të cilin jeta më afron të kem të bëj, mbetem gjithnjë larg bisedave të tipit “people” që nuk kanë asnjëherë përmbajtje të vërtetë. I jap vlerë gjithçkaje që kalon në sitin tim të njohjes e të vlerësimit të përgjithshëm. Kjo nuk do të thotë që më mungon toleranca e pranimit të mendimit ndryshe, por përkufizimet thelbësore për gjithçka tek unë marrin formën e plotë pas këtij vlerësimi. Shoqëria ime nuk është e shumtë në numër, ajo është seleksionuar ndër vite edhe nga faktorë të tjerë që nuk varen nga ne, por gjithsesi përgjithësisht ka qenë dhe mbetet cilësore.

Le të kthehemi te ju… te tiparet e karakterit tuaj… për t’ju njohur më shumë…

Vazhdoj të mbetem njeri sistematik, një tipar që me sa duket, me kalimin e viteve, nuk ka humbur, përkundrazi i ka shtuar fushat e veprimit të tij. Vazhdoj të sistemoj gjithnjë jo vetëm ambientin ku jetoj e punoj- nuk largohem nga shtëpia pa rregulluar shtratin ku fle, apo nuk shkoj të fle pa sistemuar gjithçka në shtëpi (filxhani i kafesë së mëngjesit është i vetmi që pret të lahet kur kthehem nga puna)- por sistemoj edhe mendimet, gjykimin, veprimin, sistemoj edhe njerëzit që njoh rishtazi, sikurse sistemoj literaturën që më duket e vlefshme për sot e për nesër. Një pjesë e librave të përzgjedhur, apo skedarë shënimesh të ndryshme, janë arshivuar për vitet kur do të dal në pension. Jeta ime mori rrjedhë tjetër pas vitit 2000, kështu që më është dashur ta sistemoj atë sipas nevojave që koha më ka kërkuar të përmbush ndaj fëmijëve dhe vetes; edhe këtu ka bërë punën e vet të qenit sistematike, duke përcaktuar një zgjidhje të problemeve jetësore të ndara në etapa të ndryshme kohore. Së brendshmi, tipari dallues i imi mbetet ndjeshmëria e lartë, që shfaqet e njëjtë në ngjarje ireale, si dhe në ngjarje të vërteta. Më kujtohet kur fëmijët ishin të vegjël, gjithnjë pasi vinim ata në gjumë, nisnim “jetën e natës”: shihnim filmat amerikanë që jepnin stacionet sllave, atëherë të ndaluara, por që arrinim t’i bënim të dukshme me mjete primitive. Pas mbarimit të një filmi dramatik, ndjeva se një herpes në buzë më kish dalë dhe meqenëse përjetimi im kish qenë mbresëlënës përgjatë atyre dy orëve, më pas filmat nisën të ndahen në dy kategori: “filma me puçra” dhe “filma pa puçra”- shprehje që mbetën në përdorim familjar për një kohë të gjatë. Përjetimi im vazhdon të jetë i njëjtë edhe sot. Ndjeshmëria e lartë i prodhon lehtë të gjitha ndjesitë, e me mua bashkëjeton edhe frika. Nuk e mohoj se shpesh kam ndjerë (ndjej akoma) frikë të çdo lloji. Frika është pjesë e jetës, dhe duhet pranuar si e tillë. Për mua është edhe bukur të kesh frikë- me të janë të lidhura edhe ndjenja të tjera që na shoqërojnë në jetë, të dashuruarit, të miqësuarit, xhelozitë, urrejtjet; me të është i lidhur mendimi, veprimi, vendimi; me të është e lidhur forca e gjithkujt, jo forca fizike, por forca e brendshme, që të vë në lëvizje të tërën, të zgjon veprimin, të bën të konsumosh çdo ndjenjë gëzimi apo dhembjeje e ta përdorësh më pas atë për të ushqyer jetën në të gjithë dimensionin e saj. Nuk besoj se në këtë pikë jam e vetme- mendoj se kjo është karakteristikë më së shumti femërore. Ngjarjet e vështira në jetë, përveç gjurmës së dhembjes, lënë pas edhe mësime me të cilat është mirë të mos ndahesh. Për mua ato mbeten një shtysë për të kapërcyer momente kur ndihesh e dobët në përballje me të sotmen, të cilat shfaqen tek unë e më bëjnë të plotësoj filozofinë e jetës.

Meqë jemi te forca dhe dobësia: përballë një vështirësie, si i gjeni armët për të luftuar? Cilat janë armët tuaja më tipike?

Tek unë qetësia ka vendin e parë. Kur ke qetësinë, je në gjendje të kesh reagimin e duhur në çdo moment e për çdo ndodhi, sado e rëndë të jetë ajo, je zotëruese e plotë e çdo situate, ke siguri në vetvete – pa qetësinë e duhur nuk ka as mendim të kthjellët, as veprim apo kundërveprim efikas. Eshtë e rëndësishme të njohësh e të pranosh jetën njerëzore me gjithçka që ajo përmban, jo thjesht të pranuarit teorik: se të lindësh, do të thotë të dish edhe se do të vdesësh, por të njohësh se përgjatë vijës së saj kohore, jeta të vë përballë sfidash që nuk i parashikon dot, të cilat për çdo rast, që t’i përballosh, kërkojnë të jesh zotëruese e vetvetes, të kesh qetësinë të zgjedhësh veprimin e duhur përballë sfidës. Qetësia të jep mundësinë e analizës, të reflektimit, të vlerësimit real të jetës në të gjithë përmbajtjen e saj, dhe kjo kërkon një formim të caktuar, një edukim të shëndoshë, që arrihet sigurisht pas një eksperience të gjerë. Kur zotëron vetveten, arrin të kesh dhe autoritetin, edhe ky shumë i nevojshëm në përballjen e sfidave. Të gëzosh autoritetin e një mjedisi të caktuar shoqëror, do të thotë se ke përballuar mirë edhe sfidat, se gëzon respektin e këtij mjedisi, dhe kjo të lehtëson aplikimin e filozofisë tënde në jetë, ta bën atë të pranueshme, jetëgjatë.

Fitoni gjithnjë? Pajtoheni dhe përshtateni, apo vazhdoni me këmbëngulje drejt fitores? Një shprehje psikologësh thotë “lufto ose ik”, por nuk funksionon gjithnjë, sepse në raste të caktuara as nuk gjenden armët e duhura për të luftuar dhe as nuk mund të ikësh…

Qenia njerëzore është një labirint zbulimesh për psikologët. Shprehjet apo thëniet e tyre janë fryt i vëzhgimeve dhe analizave të reagimeve të saj në etapa të ndryshme jetësore, sa gjithkush kur i lexon, i pranon si të tijat. Por, kur bëhet fjalë për një jetë konkrete, për shumëllojshmërinë e ngjarjeve brenda saj, për vetë kompleksitetin e veçantitë e këtyre ngjarjeve (edhe të karaktereve njerëzore sigurisht), nuk do të mund të përdorja fjalën humbje apo fitore. Jeta njerëzore nuk mund të shihet bardhë e zi, sikurse veprimi njerëzor nuk mund të gjykohet përmes të njëjtit parametër. Fitorja dhe humbja në një jetë njerëzore nuk mund të kenë atë përkufizim strikt klasik në përmbajtjen e tyre, sikurse edhe kufiri me të cilin mundohemi t’i ndajmë nga njëratjetra. Në adoleshencë lëkundesha mes dëshirave për t’u bërë këngëtare, pastaj aktore, më pas gazetare apo shkrimtare. Përfundova ekonomiste, shumë ndryshe nga ç’kisha thurur për të ardhmen time. Përveç faktit që njeriu që zgjodha të lidh jetën kish karakteristikat e preferuara, më pas jo gjithçka në jetë e ndërtova ashtu siç i shkonte botëkuptimit e dëshirave të mia, por e përshtata atë me kushtet që diktonte koha, me një mentalitet të caktuar të shoqërisë që asokohe e quanim “të re” si dhe me mundësitë e kufizuara të një sistemi të centralizuar të zhvillimit të vendit në të gjitha fushat.

Pra… u pajtuat…

Kjo nuk do të thotë se u pajtova… porse u përshtata, përshtatje e cila bëhet pjesë e gjithkujt kur njeh se koha për ndryshime të nevojshme do të mund të jetë e gjatë. Të përshtatesh, por të mos pajtohesh me gjithçka që shkon kundër principeve të zgjedhura në jetë, mbetet për mua thelbësore. Tek unë bashkëjetojnë mirë përshtatja dhe pajtimi pa ngatërruar fushat e veprimit të njëra- tjetrës. Vlerësoj filozofinë e pranimit të bashkëjetesës, tolerancës e mirëkuptimit.

Që do të thotë… nëse bëni një bilanc të jetës suaj të deritanishme?

Gjithkush, përgjatë jetës së tij, herë pas here bën një bilanc të mbështetur mbi parametra të vendosur sipas një hierarkie vlerash. Bilanci i jetës sime mbetet pozitiv, pa humbje vlerash. Këto vlera nuk fitohen duke ikur, por duke qëndruar për t’i mbrojtur. Unë besoj se këtë e kam arritur. Gjithçka varet nga filozofia që njeriu bën të tijën në jetë, prej së cilës nxjerr mësimet e duhura dhe mundohet t’i bëjë ato përmbajtjen e një filozofie të re për fëmijët e tij, në kuptim më të gjerë -të brezit të ardhshëm. Mentaliteti i fëmijëve tanë ka në përmbajtjen e tij gjithçka që prindërit e tyre nuk arritën ta kishin vetë, por që e ushqejnë tek ta nëpërmjet përpjekjeve për ndryshimin e përgjithshëm, në mënyra indirekte apo direkte të shprehura mes veprimesh konkrete, pozitive apo negative qofshin.

Divorci është një vështirësi me të cilën jeta ju ka vënë përballë… Çfarë ju dhembi më shumë nga divorci juaj, zhgënjimi apo pranimi i të mbeturit vetëm?

Pas gjithçkaje që thashë deri tani, çfarë do të doje të dëgjoje, që ndihem keq, që ndihem e humbur, e pavlerësuar, apo se mbylla një epokë jetësore pa mirënjohje? Jo, aspak. Ndihem e plotësuar si femër, si grua, si nënë. Jeta ime është gjithnjë e vlerësuar dhe e arrirë në përmbajtjen e saj. Divorci nuk mund të ndryshojë asgjë në përmbajtjen e jetës tende, kur ajo është bazuar në një lidhje që ka pasur brenda dashurinë reciproke dhe forcën e njëjtë të mendimit e veprimit. Për mua divorci mbetet një vijë që ndan jetët tona më dysh, por pa ndryshuar as përmbajtjen dhe as vlerësimin e përgjithshëm. Sigurisht, divorci është njëra nga ngjarjet e hidhura që i bashkohet shumë të tjerave të jetës sime. Eshtë një ngjarje që shkaktoi shumë dhembje. Konsumimi i plotë i një ngjarjeje të tillë kërkon një kohë të caktuar, përgjatë së cilës zhgënjimi apo pranimi i të mbeturit vetëm nuk janë të vetmet ndjesi, apo parësoret, krahasuar me gjithçka përballesh deri në ndarjen përfundimtare. Në raste të veçanta të dyja ndjesitë mbeten tek shumëkush për një kohë të gjatë ndoshta edhe përfundimisht, por kjo gjithnjë në përputhje me rrethanat specifike që bëjnë divorcin. Personalisht, sot tek unë nuk janë këto ndjesi që mbeten, e që të arrish të kesh tënden një arsye të vërtetë që shkakton divorcin, të duhet një mendje e qetë dhe e kthjellët, dhe të njohësh e të pranosh se asgjë nuk mund të vazhdojë si më parë, kur kupton se në një lidhje të fortë mes dy njerëzve diçka është këputur. Si për çdo dhembje, edhe në këtë rast ke nevojë ta shfresh atë me derdhje loti. E unë kam derdhur lot shumë, për këtë rast edhe për humbjet e jetëve të familjes sime, e pse jo?! Të qarit të lehtëson shpirtin dhe ta zbraz qenien edhe nga negativitetet që akumulohen. Bile të qash nuk është gjithnjë dobësi. Për çdo rast të qarit pasqyron një tipar njerëzor, por është edhe një pasqyrë e një shpirti të pasur me butësi e mirësi. Për çdo rast, tek një qenie e formuar mirë qëndrojnë bashkë edhe e qara, edhe stoicizmi. Dhe për mua kjo është forcë: Të dish të qash e të jesh edhe stoike, por jo në mënyrë artificiale, stoike realisht në përmbajtje, gjë që të kërkon të pranosh vazhdimësinë e jetës mbi të njëjtat principe në përmbushje të detyrimeve të tua, e të jesh në gjendje t’i përballosh ato njëlloj si dhe më parë. Sigurisht, pa ia lejuar vetes të ndryshosh vlerësimin për jetën tënde bashkëshortore të përfunduar, megjithëse pa dëshirën tënde.

Çfarë mendoni ju në lidhje me shpërblimin apo mirënjohjen ndaj sakrificave të një gruaje në një marrëdhënie?

Sakrificat tuaja nuk qenë nga ato që mund të mos llogariten, aspak të parëndësishme…. Vetë pyetja të tërheq në ndjesitë e egra që ngjallen në raste të tilla, nga vuajtje që i gjykojmë si të pamerituara. Për një kohë të caktuar edhe unë kam ndjerë brenda vetes një lëmsh ndjesish negative, që nuk të lënë të mbash brenda vetes vetëm vuajtjen, por të kesh inate, urrejtje herë-herë, të mendosh për shpërblime apo mosmirënjohje… Për mua deri këtu gjithçka është njerëzore, sepse njeriu ka nevojë të shfryjë gjithçka i prodhon dhembja brenda vetes, por duhet të arrijë gjithnjë ta zotërojë arsyeshëm atë, të mos lërë dhembjen të ngacmojë veprimin, por të presë logjikën që të bëjë veprimin. Veprimet njerëzore, vendimet që merren në jetë, duhen parë në një kontekst të gjerë, social, ekonomik, e pse jo edhe në atë politik. Nuk është divorci ai që ndan mirënjohjen nga mosmirënjohja, apo që i bën ato ekzistente ashtu përnjëherësh. Në një marrëdhënie bashkëshortore ato janë gjithnjë të njohura nga bashkëshortët. Për mua do të ishte e papranueshme që për hir të mirënjohjes të pranohej bashkëjetesa kur ajo, në përmbajtjen e vërtetë, nis të mos ekzistojë. Ky do të ishte veprimi që nis të prekë personalitetin tënd, e kjo bëhet pastaj një arsye madhore shkatërruese në kuptimin më të gjerë, personal e social. Pa hyrë në hollësi konkrete të divorcit tim, unë vetë jam e prirur të njoh më shumë vlerat e një bashkëjetese, edhe pse ajo nuk ekziston më. E ndonëse u kthehem sakrificave që jeta më bëri dhuratë, më duhet t’ju kujtoj se në një pjesë të madhe ato qenë të tilla si për mua dhe fëmijët e mi, ashtu edhe për bashkëshortin tim. Ndaj, tek unë nuk bëjnë dot vend mendime që lidhen me mosmirënjohjen apo shpërblimin e pamerituar. Duke njohur forcën e maturisë në familjen time, megjithëse sot ajo nuk është më e plotë, nuk gaboj kur vazhdoj të bëj vlerësimin tim se: divorci nuk ka prekur asgjë nga vlerësimet tona të përbashkëta. Kjo më bën ta mbaj të pandryshueshme njohjen e vlerave dhe respektin për të shkuarën time.

Ju vendosët pas divorcit të rrëfenit jetën vetjake publikisht: a mund të thuhet se ka funksionuar si terapi? Si ndihet dikush pasi e ka bërë publike jetën e vet?

Libri im është shkruar përgjatë vitit 2007 dhe mbart ngjarjet e zhvilluara deri në fund të vitit 1997. Epilogu i tij mban të shënuar datën dhjetor 2007. Kush e ka lexuar librin, e kupton se epilogu i përket një kohe të re, i përket së tashmes. Me këtë dua të them se nuk kam shkruar për të përmbushur nevojën për terapi. Edhe vetë përmbajtja e librit nuk besoj se të lejon ta mendosh këtë. Por është e vërtetë se efekti çlirues që ndjen pas përfundimit të një libri është shumë i veçantë. Është një ndjesi e krahasueshme me atë pas dhënies së një provimi universitar, ose me lehtësinë që gruaja ndjen pas lindjes së fëmijës.

E kishit menduar më parë idenë e librit? Do ta kishit shkruar gjithsesi, nëse ndarja e padëshiruar nuk do të ishte fakt në rastin tuaj?

Libri është një vendim i marrë shumë herët. Starton me kohën e burgosjes së Fatosit, kohë që ne të gjithë e përjetuam me emocione të veçanta, për vetë ngjarjet historike që koha prodhoi. Pavarësisht se libri u shkrua pas divorcit, në përmbajtjen e tij asgjë nuk është ndryshuar nga ajo e paracaktuar, përveç faktit që, e detyruar nga kushtet që më solli divorci, e solla në formë autobiografie. Kjo mënyrë e të shkruarit më detyroi të mos prek shumë çështje madhore, ngjarje politike që kanë ngjallur polemika të shumta të paqena. Kjo do të më bënte të hyja në ngjarje që do të kërkonin një libër të dytë, e kështu nuk do të arrija të jepja edhe përmbajtjen e duhur autobiografike, edhe qëllimin bazë të librit të mbështetur në dy shtylla: dramën sociale dhe dramën politike, që mbetet e vetme në historinë e zhvillimeve politike shqiptare të pas viteve `90-të. Një pjesë e mirë e librit i është kushtuar burgosjes së liderit të së majtës në Shqipërinë e post-komunizmit. Eshtë një pjesë me një përmbajtje të gjerë dokumentesh politike mbi përpjekjet e bëra jo vetëm për lirimin e një qenie njerëzore të burgosur padrejtësisht, por që sjell përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet një mentaliteti të egër të shprehur nga veprime politike të formacioneve politike kundërshtare, që në kushtet e hapjes së një vendi të mbyllur si Shqipëria është arritur gjithnjë me vështirësi.

Zgjedhja e titullit “Të jetosh kohën” duhet të ketë një domethënie…

Pasi kisha përfunduar së shkruari më shumë se gjysmën e librit, ndërsa kisha strukturuar prej kohësh përbërjen e kapitujve të tij, nuk kisha akoma një ide të qartë për titullin. Ai erdhi natyrshëm tek unë. I papritur, por jo i panjohur për thelbin e tij. E vendosa menjëherë sapo kisha mbaruar së lexuari njërën nga revistat e mia të preferuara, “Mehr Licht”. Një nga shkrimet e përkthyera ishte i Carlos Fuentes, i cili përveç të tjerave sillte mjeshtërisht mendimin e tij filozofik se ç’do të thotë “Të jetosh kohën” dhe domosdoshmërinë e pranimit të asaj filozofie, e cila lidhet me tërësinë e zhvillimit në përgjithësi… Një nga shprehjet e tij… “nuk mund të ketë të tashme të gjallë me një të shkuar të vdekur”, pas tërë shtjellimit filozofik mbeti tek unë si titulli më i goditur, i cili përputhej me përmbajtjen e shkruar dhe qëllimin e librit, por edhe me filozofinë e vazhdimësisë në përgjithësi, që nuk mund të ekzistojë pa një mbrojtje të së shkuarës tënde në përmbajtje. Mund të duket dobësi të flasësh për një të shkuar që sot rezulton e këputur nga e sotmja, por nuk mund të marr papritur pozicionin e fshehjes së vetvetes, sikurse bën struci, dhe nga ana tjetër do të ishte një handikap intelektual të bëja të kundërtën.

Keni thënë në libër gjëra me të vërtetë të guximshme. Dhe tek njëra syresh dua që të ndalemi. Mësuat për lidhjen e vajzës suaj me drogën… Pse e morët vendimin për ta shkruar?

Ajo është një nga ngjarjet dramatike që preku familjen time si shumë të tjera asokohe, një fenomen që vazhdon akoma edhe sot të godasë shoqërinë në përgjithësi, brezin e ri në veçanti. Pa të më bëhej e pamundur realizimi i plotë jo vetëm i jetës sime, por edhe i dramës sociale shqiptare. Për më tepër, kur ulesh e shkruan për jetën tënde, nuk mund të fshehësh asgjë, përndryshe nuk ke përmbajtjen e duhur që t’i japë një vlerë sado të paktë shoqërisë. Në prekjen e kësaj drame shoqërore kam pasur një ndihmë të veçantë nga vetë ime bijë, e cila e solli më konkrete përgjithësimin e fenomenit të drogës nëpërmjet shembujsh të tjerë. Më bëri të kapërcej tej dhembjes sime prej nëne e të shoh më gjerë, për të thënë se viktimat e drogës nuk duhen përbuzur, nuk duhen paragjykuar… Një pjesëz poezie e futur në libër, është shkruar nga njëri prej personazheve që publiku e njohu më pas nëpërmjet emisionit të “Big Brother”-it, Adi, i cili mesa mbaj mend gëzoi simpatinë e një mase të gjerë shikuesish për nga natyra e përmbajtur dhe mendimi i thellë që reflektoi.

Si mund ta përshkruani ju jetën që bëni sot?

Prej më shumë se një vit e gjysmë jetoj në Paris, për shkak të detyrës si këshilltare ekonomike, pranë ambasadës shqiptare. Kuptohet jam edhe pranë vajzës. Nuk jetojmë bashkë sepse, pas mbarimit të studimeve, ajo ka fituar pavarësinë e saj ekonomike, ka nisur të ngjisë shkallët e perfeksionimit profesional, e ndoshta edhe të përgatitet për kohën kur do të krijojë familjen e saj. Koha e punës zë pjesën më të madhe të ditës. Kështu, një ditë në javë na mbetet të dyjave ta kemi jetën tonë familjare. Për mua është fat i madh të shfrytëzoj këtë kohë pranë saj, ndërkohë që jam larg vendit tim, ku jeton e punon im bir. Ai ka nisur bashkëjetesën me Lindën, e cila mesa duket do të jetë edhe nusja ime e ardhshme. Me pak fjalë, pres të bëhem vjehrrë realisht -sipas mënyrës tradicionale shqiptare, e për këtë rast them se jo vetëm djali im ka pasur fat, por edhe unë mund të gëzoj pak nga i njëjti fat, që do të më bëjë vjehrrë të një vajze si Linda.

Si funksionon marrëdhënia nuse–vjehrrë në rastin tuaj?

Kur jam në Tiranë, një ditë në javë e caktuar të drekoj me Lindën, më është e vyer. Kur ajo shtyhet nga arsye që nuk varen prej nesh, tek unë krijohet një boshllëk në vazhdimësinë e marrëdhënies. Sa kohë jam larg tyre, ardhjet e tyre këtu më plotësojnë përmbajtjen e jetës. Mendoj se të dyja palët në këtë rast e kërkojmë këtë marrëdhënie që nuk na prek e as na dikton mënyrën e jetesës, por ruan pavarësinë e saj – për mua kjo është një bashkëjetesë më frytdhënëse nga ajo që të mban lidhur në një kulm çatie. Kështu unë si prind jam pranë problematikës në jetën e tyre, sikurse ata besoj se çmojnë ngrohtësinë prindërore dhe shfrytëzojnë eksperiencat që jeta na ka dhuruar.

Ndoshta keni filluar ta përfytyroni veten gjyshe…

Mezi pres të bëhem gjyshe, dhe kjo do të ma mbushë jetën më shumë dhe më ndryshe. Do të ma pasurojë me ndjenja të panjohura dashurie, do të më kërkojë të jem e plotësuar në pozicionin e gjyshes, e ndoshta do të mund të përjetoj me nipërit e mbesat e mia atë që nuk kam mundur ta përjetoj me fëmijët e mi. Kjo nuk do të thotë se do të zë vendin e nënës, por do të jem një mendje e zemër e shtuar për fëmijët e tyre.

Me projekte dhe dëshira të mira… Megjithatë jetoni vetëm. Ju bezdis kjo gjë?

Jetoj vetëm sikurse një shumicë e brezit tim, që ka arritur kohën kur fëmijët u janë rritur e kanë ndërtuar familjet e tyre. Dhe kjo është një nga vlerat e çdo jete njerëzore, një nga përmbushjet e detyrimeve prindërore jo vetëm natyrore, sepse fëmijët më mbeten vlerat më të çmuara të sjella në këtë jetë, që me gjithë kalvarin e vështirësive me të cilat janë përballur, kanë arritur të ruajnë vlerësimin e të qenit një vetvete e respektuar. Sigurisht, në momente të caktuara e ndjej mungesën e zhurmës familjare të mësuar që në vogëlinë time të hershme, hyrje-daljet e shumta apo pëshpërimat e fëmijëve me njëri-tjetrin, më mungojnë edhe rebelimet që natyrshëm shfaqen në çdo familje. Por, jam e ndërgjegjshme për mënyrën që deri diku kam zgjedhur vetë për të jetuar, ku gjithçka më shkon mirë me respektimin e pavarësisë së ndërtimit të jetesës së fëmijëve të mi, dhe anasjelltas. Kjo mënyrë jetese është bërë sot pjesë e mentalitetit të shoqërisë së sotme, e cila krijon një harmoni të qëndrueshme jo vetëm familjare, por edhe shoqërore.

A mendoni ndonjëherë se do të kishit pasur një jetë ndryshe?

Sot kam një jetë të ndryshme nga ajo e një epoke tjetër, mund ta quaj epokë, sepse flasim për një periudhë kur sapo kisha mbushur 50 vjeç kur jeta ime mori rrjedhë tjetër. Të them që nuk ndihem e vetmuar për asnjë çast, do të gënjeja. Por kam bërë timen një mënyrë jetese që ma mbush jo vetëm kohën, por edhe më rrit cilësinë e të jetuarit. Nuk i referohem faktit që për sa kohë jetoj në një qytet si Parisi, mundësitë e një jete cilësore të pasur me evente kulturore janë të shumta. Jam e prirur ta shoh mbushjen cilësore të kohës kudo ku e bëj jetën. Pjesën më të madhe të saj e zë kryerja e detyrës profesionale, e cila shtrihet deri në orën 17 apo 18 të mbasdites. Koha që mbetet është sigurisht e mbushur me kryerje detyrimesh të rëndomta të domosdoshme.

Në përditshmërinë tuaj, jeni natyrë aktive apo pasive?

Përgjithësisht më pëlqen një jetë e qetë. Nuk vrapoj pas një eventi që më ndryshon papritur normalitetin e jetës që bëj. Por kjo nuk do të thotë se nuk e mbush atë me të tilla. Përzgjedh gjithçka që më duket e vlefshme, një film, spektakël, emisionet televizive me tema të ndryshme politike apo sociale. Nuk bëj një jetë të varfër sociale, por ajo në përgjithësi është e përcaktuar në kohë nga unë vete, apo dhe sipas detyrimeve reciproke shoqërore që krijohen. Kohën më të madhe e zënë librat. Gjithashtu edhe të shkruarit, që kur bëhet bashkë me të dëgjuarit e muzikës, krijon tek unë çastet më të bukura e më të arrira në përmbajtjen e asaj që shkruaj. Eshtë sigurisht një fenomen i njohur nga të gjithë efekti magjik i muzikës në krijimin e emocioneve të veçanta që prodhon, apo ngacmimi i thellë që i bën qenies për të nxjerrë gjërat më me vlerë brenda vetes. Të njëjtin efekt bën edhe leximi i poezisë, të cilën kam nisur ta preferoj ndoshta edhe më shumë e ndikuar nga rrethi shoqëror aktual. Dhe kam ndjerë të njëjtin efekt që bën muzika, ndoshta edhe më efikas e më konkret në atë çfarë të jep të njohësh. Ndonëse më pëlqejnë udhëtimet, që të mundësojnë njohjen e evolucionit dhe kulturës njerëzore, të të jetuarit e të të menduarit në përgjithësi, ato nuk janë të shumta. Ndoshta, edhe siç kuptohet, jam njeri që më pëlqen shumë shtëpia.

Intervistoi: Arta Marku

Psikologji Janar 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top