Lifestyle

March 5, 2016 | 10:27

Rezarta Reçi: Maskat e mia në shtëpi

Rezarta Reçi, gazetare. Prej vitesh, ideatore dhe drejtuese e emisionit kulturor në News 24, “Arratia e Peshkut të Kuq”.

Maskat e shtëpisë për pamje të freskët!

 Në ditë të ndryshme përdor maska të ndryshme. Përbërësit e tyre janë me patjetër qumështi ose ajka e vërtetë e tij, vaji u ullirit së bashku me limonin, kastraveci ose ndonjëherë kombinimi i frutave të ndryshme të stinës.

Do të doja ta filloja rrëfimin tim me ndjesitë që kam përjetuar kur isha fëmijë. Kemi qenë një shtëpi ku mbretëronte seksi femër dhe gjithmonë, kur babai mungonte, dëgjoja ca pëshpërima të gjyshes dhe mamit tim. Më pas, në shtëpi fillonte të ndjehej një erë e keqe të cilën akoma e kam në hundë. Mamaja ime vendoste një maskë, (po e quaj tani, me erë të keqe), por që ia pëlqente shumë fytyra. Me kalimin e viteve mësova se ajo maskë përgatitej nga gjyshja ime, e cila kishte në përbërje edhe squfurin, shkaku i erës së padurueshme. Mësova që fytyra e mamasë sime pastrohej kështu nga pushi dhe qelizat e vdekura dhe realisht pasi shpëlahej mirë, ishte një fytyrë që llamburiste. Gjyshja u largua nga kjo jetë së bashku me sekretin e bërjes së maskës, duke më lënë mua dhe motrave idenë dhe dëshirën për t’u kujdesur për veten, për lëkurën tonë, për fytyrën tonë e më tej. Më pas, me kalimin e viteve dhe për shkak edhe të profesionit tim që shpesh kërkon një truk më të rëndë e njëkohësisht më profesional, kujdesi për trajtimin e fytyrës është shtuar. Mamaja, vajza, motrat, mbesat …dhe vetë natyrisht jemi një skuadër që ndikojmë shumë te njëra-tjetra edhe në këtë drejtim, ka shkëmbim eksperiencash, mendimesh, recetash e pse jo dhe kalim kohe i përbashkët e me të qeshura, duke u marrë me veten. Koha ikën më shpejt kur i shërben të bukurës. Sekretet e mia të vockla të trajtimit të fytyrës lidhen vetëm me përdorimin e elementëve natyralë. Ujë i bollshëm dhe sapun Dove në përbërje të të cilit është kastraveci, mënyra më e mirë për të pastruar fytyrën pasi kam hequr gjurmët e trukut. Ndërsa po shkruaj këto rreshta, po mendoj se sekreti më i madh i gjithë kësaj historie është të gjesh kohë për veten për t’u ndjerë mirë dhe bukur në aspektin fizik. Secila prej nesh besoj, duke e dashur veten fort, duhet t’i shërbejë asaj me dashuri. E teksa shpëlaj fytyrën me ujë të bollshëm e të freskët në mendje më sulmojnë njëherësh se kujt recetave do t’i drejtohem. Në ditë të ndryshme, përdor maska të ndryshme, gjithmonë në kushtet e shtëpisë dhe përbërësit e tyre janë me patjetër qumështi ose ajka e vërtetë e tij, vaji u ullirit së bashku me limonin, kastraveci ose ndonjëherë kombinimi i frutave të ndryshme të stinës. Portokalli, pjeshka, qershia, banania e ndonjë frutë tjetër i pa shpikur nga unë, të bëjnë që në ato minuta, kur jam duke trajtuar veten, të bredh me mendje në plantacione natyrale të kultivimit të tyre duke falënderuar Natyrën për larminë, shumëllojshmërinë, dobishmërinë, aromat dhe efektin pozitiv në gjendjen time të brendshme shpirtërore. Janë shumë komplekse të gjitha këto dhe që përjetohen njëkohshëm duke të bërë të ndjehesh mirë dhe e gëzuar në shpirt kur jam para pasqyrës. Dhe kryefjala është ngrënia e tyre me bollëk kombinuar dhe me zarzavatet. Të paktën ndikimin e ngrënies së pjeshkave me shumicë dhe ndikimin e saj në lëkurën e fytyrës e kam provuar më së miri. Nuk pretendoj të shmang rendjen e kohës dhe stopimin e daljes së rrudhave, por pretendoj të mbetem e freskët dhe tërheqëse me pamjen time duke i shërbyer vetes. E në të gjitha këto faza që zhvendosen sipas stinëve kryemendimi im është: Buzëqeshi vetes, të tjerëve, buzëqeshi të jetuarit, sfido lotët, stresin dhe mërzinë sepse nuk kam kohë të merrem me gjëra aspak të bukura, nuk dua ta plak veten para kohe, përkundrazi dua të jetoj me mendje dhe pamje të freskët!

1

Botuar në revistën Psikologjia, Korrik 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top