Tirana ka një tjetër destinacion të përhershëm turistik. Bëhet fjalë Bunk’Art, vendstrehimin antibërthamor që shërbente si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm, e ndërtuar nga qeveria komuniste, në fillim të viteve 70, dhe që tashmë është shndërruar në një ekspozitë muzeale të përhershme. Pas eksperimentimit të bërë me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit, Bunk’Art vjen më i plotë me informacione, materiale dhe dëshmi të disa periudhave historike, nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë duke synuar të kthehet në një pikë turistike unikale në rajon.
Çelja e këtij muzeu u bë gjatë një takimi me operatorët turistik në vend, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e këtij muzeu shkon për shtat me politikat dhe filozofinë e Bashkisë së Tiranës për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit si dhe nxitjen e turizmit, si pjesë e zhvillimit ekonomik vendor të Tiranës.
“Bunk’Art-i është një mikro-kozmos i asaj që ndodhi gjatë luftës së ftohtë në Shqipëri. Më vjen mirë që ky atraksion turistik, i cili besoj se duhet vizituar dhe duhet promovuar pa asnjë kompleks, është një aset shumë i rëndësishëm për turizmin në Tiranë, e sidomos për Bashkinë e Tiranës, që gjithashtu gjeneron të ardhura nga vaktet që konsumohen nga taksa e hotelit që paguhet nga çdo turist i huaj që vjen në Tiranë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Tirana duhet t’i kushtojë vëmendje atyre potencialeve që ka për të thithur turistët dhe nuk duhet të konkurrojë me vendet fqinje me gjëra që nuk i ka apo nuk i ofron dot.
“Do flasim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes për pjesën e muzeut të armëve, për të cilin mund të gjendet një mënyrë se si të deklasifikohet hyrja aty, të kthehet në një territor vetëm për turistët, pa prekur pjesët sensitive për çështje të ushtrisë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me Ministrinë e Kulturës, për pjesën e aksesueshme të Kinostudios, arkivat dhe disa kapanone tëvtjera që janë realisht interesante”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se pjesë e projekteve të Bashkisë së Tiranës është edhe hapja për vizitorët edhe e vilës së ish diktatorit, Enver Hoxha.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.