Nga ILIR ÇUMANI
Regjisori dhe aktori i mirënjohur Mevlan Shanaj dhe skenaristja Natasha Lako, mbrëmë na surprizuan me një produksion fantastik mbi një vepër filmike të karakterit memuaristik, kushtuar njërit prej artistëve të rrallë e multidimensional në historinë e Filmit Shqiptar, aktorit, regjisorit, publicistit, shkrimtarit, piktorit, muzikantit, RIKARD LJARJA.
Pjesëmarrja i shumtë në celebrimin i këtij dokumentari kishte tejmbushur përtej kapaciteteve sallën e Kinema “Milenium” me kolegë – artistë pafund, miq e dashamirës të artistit të madh, i ndarë nga jeta 3 vjet më parë.
Kjo vepër filmike memuaristike, kushtuar aktorit dhe regjisorit të madh, ishte një dokumentar mjaft i kuruar në mënyrë skrupuloze, plotë sqimë, ku në çdo detaj pëcillte shumë emocione në të gjitha komponentët e tij.
Me një mjeshtëri të rrallë, përmes narrativës, gjuhës së pasur, mjeteve shprehëse dhe imazheve, intervistave pafund e detajeve të shfaqura në film, regjisori Shanaj rrekej të ndriçonte të gjitha aspektet nga jeta e Rikardit që në fillimet e tij artistike që nis në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, dhe deri në të gjitha sukseset që e shoqëruan dhe e formuan atë si një personalitet të madh dhe të padiskutueshëm duke zënë në vend meritor në Panteonin e Artit Shqiptar.
Regjisori dhe i gjithë stafi realizator kanë mëtuar përmes kësaj vepre filmike të skalisin mjeshtërisht dhe me vërtetësi të gjithë personalitetin e artistit, me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë ata i paraqesin publikut të gjithë dimensionin real artistik dhe njerëzor të Njeriut modest në madhështinë e tij, por edhe me një emër po aq të veçantë.
Faleminderit Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, për emocionet që na dhatë në një mbrëmje kaq të veçantë për një artist po aq të veçantë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.