A duhet të kthehemi me ish-in? Qofshin hormonet, vetmia apo ndonjë komedi-romantike, të gjithë mund të kemi marrë njëherë celularin në dorë për t’i shkruar ish-it. Nëse një marrëdhënie nuk zgjati herën e parë, a do të funksiononte një mundësi e dytë? Nga ana tjetër, ka çifte që janë rikthyer, kanë rregulluar krisjet dhe është formuar një strukturë më e qëndrueshme.
Në statistika, në një anketë ku morën pjesë 1000 persona, 7 në 10 beqarë u përgjigjën se ishin kthyer te partnerët e së kaluarës pasi nuk kishin gjetur më mirë. Në një rast të tillë, ekspertja e marrëdhënieve, Sarah Louise Rayan rendit për “Metro” 6 sinjalet e gjelbra që mund të konsideroni për të marrë vendimin e rikthimit me një partner të dikurshëm.
Kontakt i vazhdueshëm
“Nëse ju dhe ish-i mbani vazhdimisht kontakte me njëri-tjetrin, pavarësisht se me kë po dilni dhe e gjeni veten të tërhequr ndaj njëri-tjetrit edhe nëse keni nisur një kapitull të ri, mund të jetë një sinjal. Nëse nuk ndiheni aq të lidhur pas njerëzve të tjerë që lidheni, kushtojini vëmendje”.
Keni pranuar gabimet
“Nëse të dy keni pranuar gabimet tuaja dhe keni marrë mësimet se çfarë nuk shkoi si duhet në lidhjen tuaj, mund të jetë një tregues se jeni të aftë të ndërtoni diçka. Një e ardhme mund të jetë aty”.
Nuk imagjinoni momente të rëndësishme pa ata
Sarah nënvizon se të qenit në dijeni të synimeve të njëri-tjetrit për të ardhmen është e rëndësishme. Kjo ju ndihmon të dini se cilët doni të shihni përkrah jush në vitet në vazhdim. “Nëse vërtet nuk i përfytyroni dot momentet e rëndësishme të jetës pa atë person, ky perceptim është thelbësor”.
E shihni njëri-tjetrin si të barabartë
“Është mirë të ktheheni bashkë nëse e shihni njëri-tjetrin si të barabartë, e respektoni dhe mundeni vërtet dhe sinqerisht të tejkaloni vështirësitë e së shkuarës. Këto bllokime mund të nisin nga gjithçka, nga moskuptimi i komunikimit e deri te mosbesimi emocional apo seksual. Duhet të keni kthyer një faqe tërësisht të re dhe të keni lënë pas atë që nuk ju funksionoi”.
Ka ende një shkëndijë
“Duhet të ndiheni të emocionuar për mundësinë e një të ardhmeje së bashku dhe çfarë ajo ka rezervuar për ju si çift. Duhet të sjellë gëzim, shpresë dhe ngacmime. Marrëdhëniet që i rezistojnë kohës janë të mbushura me miqësi e respekt. Nëse e keni këtë, është një shenjë e sigurt se ka themele për hapa të tjerë”.
Jeni rritur
“Nëse ndiheni se jeni pjekur dhe keni investuar në rritjen tuaj të brendshme, mund ta nisni procesin. Sigurohuni të keni kufijtë tuaj, qëndroni të hapur dhe jini të sinqertë e vazhdoni”, përfundon ekspertja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.