FB

November 15, 2021 | 8:28

Roli i mësuesit dhe psikologut shkollor hallkë e rëndësishme për lehtësimin e situatave psikologjike të nxënësve

Nga Blerina Mërtiri, arsimtare

 

 

Në një periudhë kaq delikate dhe të gjatë si pandemia, roli i psikologut është bërë një hallkë e rëndësishme. Veçanërisht për grupmoshat shkollore, fëmijët, të cilët të gjendur të papërgatitur në këtë valë të re ndryshimesh sociale, hasën gjithashtu vështirësi. Rendi i ri shoqëror, i cili na gjeti të papërgatitur të gjithëve, tek fëmijët pati ndikimin e vet. Fëmijë të mbyllur, të kushtëzuar drejt një qasjeje të panatyrshme për rrjedhën e normalitetit, e për pasojë, vështirësi edhe në kushtet e reja të mësimdhënies, e po kaq, me rikthimin në shkolla pas një periudhe të gjatë mësimi online.

0Në këto kushte, edhe pse mësimi ka rifilluar në tradicionalitetin e vet, sërish masat shtrënguese që nga dezinfektimi i ambientit përreth, mbajtja e maskës dhe larja e shpeshtë e duarve i mbajnë ca nën presion fëmijët, disa prej të cilëve nuk e kanë të lehtë në aspektin psikoemocional. Prandaj, nuk duhet të zbehur roli i psikologut, përkundrazi, duhet të forcohet edhe më tej, si një formë lehtësimi për mbarëvajtjen studimore dhe psikologjike të fëmijëve.

 

Mësuesi dhe psikologu shkollor vërtet kanë funksione të ndryshme në shkollë, por synojnë një qëllim të përbashkët, plotësues dhe bashkëpunues, në ndihmën psikologjike dhe edukimin qytetar të gjithë fëmijëve të shkollës në çdo lloj situate.

Objekti kryesor i punës së mësuesit ka qenë dhe është i fokusuar në shumë pika kyçe, të cilat kanë të bëjnë me njohjen e karakteristikave psikologjike dhe të personalitetit te fëmijëve, njohjen e zhvillimit të tyre, mënyrën e trajtimit të problemeve me sjelljen si dhe me problemet e të nxënit gjatë procesit mësimor. Kjo përgjegjësi vjen duke u shtuar nga viti në vit pasi dhe nxënësit rriten, dhe ky proces duhet ndjekur me vëmendje sepse ndikon në formimin e tyre, si në edukatën qytetare, ashtu edhe për rritjen e ecurisë së tyre gjatë procesit mësimor.

Objekti kryesor i punës së psikologut shkollor ka qenë dhe është lidhur me njohjen e problemeve psikologjike të nxënësve, njohjen e zhvillimit intelektual të tyre, identifikimin e nxënësve të talentuar, identifikimin e paaftësive fizike të tyre. Psikologu shkollor siguron ndihmë dhe shërbime psikologjike, konsultime, si dhe ndihmon grupet e interesit që nga stafi i shkollës, prindërit dhe nxënësit për të gjetur rrugët më të lehta dhe të favorshme për zgjidhjen e çështjeve apo problematikave të ndryshme. Nisur nga kjo, bashkëveprimi mes palëve bëhet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, duke kërkuar më tepër bashkëpunim midis mësuesve, psikologëve shkollorë por edhe prindërve, pasi nxënës të ndryshëm shfaqin dhe përjetojnë sjellje të ndryshme.

02Pra, për të realizuar sa më mirë funksionimin e detyrës së tyre, është gjithmonë nevojë dhe domosdoshmëri që mësues dhe psikologë shkollorë të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë, të shkëmbejnë informacione të vazhdueshme, të ndërtojnë strategji, të ofrojnë shërbime mbështetëse dhe cilësi në shërbimet që u ofrojnë nxënësve, në mënyrë që periudha shkollore e tyre të kalojë me sa më pak probleme dhe ngarkesa psikologjike për nxënësit dhe familjet e tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top