Qëllimi i prindërimit ndër vite ka qenë mirërritja e fëmijëve, plotësimi i nevojave të tyre bazike. Ishte “luks” të mendohej për edukimin e tyre psikosocial. Nuk njihej ky term. Injektimi i metodave psikosociale të mendimit, të formimit të fëmijëve nuk njiheshin. Profesioni i psikologut, siç e dimë, ka hyrë së fundmi në tregun tonë të punës.
Mes shumë paragjykimesh po kristalizohet si pjesë e jetës tonë. Individi i shëndetshëm ka nevojë për psikolog. Në qoftë se një prind e pranon këtë gjë për veten, do e pranojë edhe për fëmijën e tij. Detyra primare e psikologut parashkollor nuk duhet të shihet nga prindërit sesi të evidentojë fëmijët “me probleme” psikologjike, sociale, etj. Ai kujdeset të evidentojë pikat e forta dhe të dobëta të psikikës së fëmijës. Të punojë fort në zhvillimin e pikave të tyre të forta, si p.sh. talenti i tyre. Ose në përpunimin e pikave të tyre të dobëta për të marrë përfitimet e tyre.
Shëndeti mendor është i barabartë me atë fizik. Njësoj duhet të kujdesemi dhe t’i trajtojmë. Siç pyetet edukatorja apo mësuesja për ushqimin, për gjumin, të pyetet edhe psikologu i institucionit parashkollor për zhvillimin psikosocial të fëmijës. “Si shkoi loja sot?” mund të jetë një pyetje klasike. Bashkërendimi i punës në trinomin: prind-mësuespsikolog na jep individ te shëndetshëm për shoqërinë e së nesërmes. Secili ka rëndësinë e tij të padiskutueshme dhe të pazëvendësueshme. Psikologu është bashkëpunëtori më i mirë i çdo prindi dhe mësuesi. Mirë është të organizohen takime të përbashkëta me iniciativë të vetë prindit. Fatkeqësisht, mesa duket, rëndësia e psikologut mbi fëmijën nuk merret në konsideratë nga prindërit. Druhen nga psikoza “fëmija im s’është me të meta që ta shohë psikologu”. Psikologu është një vlerë e shtuar në mirërritjen e fëmijës!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.