Posta

October 21, 2017 | 7:45

POSTA / Vetëm e ndarë do jem e qetë nga ai, psikologia: drejtohuni tek psikologu për të bërë më të qartë tablonë e problemeve

iKam nevojë për ndihmë, jam në hall shpirtëror. Isha ndarë me burrin për disa kohë, por shkaku i fëmijëve, ndoshta edhe për mua, vendosa të bashkohem prapë me të. Një kohë shkuan gjërat mirë të themi, pastaj shpërtheu prapë situata, lëre më që nuk ka ndryshuar asgjë. Për secilën herë, fyerjet ndaj meje dhe familjes sime janë më të rënda (më fyen mua, nënë dhe motrat me fjalët më denigruese) dhe zakonisht kjo ndodh kur unë dhe fëmijët kalojmë një ditë të mirë, kur kënaqemi më së shumti pa praninë e tij. Edhe me fëmijët konfliktohet dhe mundohet t’i ndalojë të mos shkojnë edhe te gjyshja apo tezet. Dhe ajo që më pengon më së shumti është se po të duroj, kam frikë, dhe nuk jam në gjendje të marr një vendim të prerë. Edhe pse mendja më rri vetëm te ndarja dhe e di, jam e sigurtë që vetëm e ndarë do jem e qetë nga ai.

Përgjigje:

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. Sipas asaj çfarë keni shkruar ju, keni pak kohë që jeni rikthyer me bashkëshortin tuaj, për hir të fëmijëve, të kenë pranë rritjes së tyre dhe praninë e babait. Me sa po kuptoj, rikthimi juaj nuk ka qenë mbi baza komunikimi dhe motivesh si çift e më pas si prindër. Do kishte qenë e udhës që ju të kishit vendosur disa pika dhe kërkesa tuajat për këtë rikthim pas ndarjes, ashtu sikurse dhe bashkëshorti juaj. Në këtë formë ju do t’i qëndronit arsyeve dhe motiveve të rikthimit së bashku. Nuk di moshën e fëmijëve tuaj, por në raste të tilla vlen shumë dhe mendimi i fëmijëve për ndarje apo ribashkim. Pasi sado të vegjël të jenë ato, arrijnë të ndjenjë dhe kuptojnë ku ndihen më mirë, e të bëjnë zgjedhje. Ju citoni vazhdimisht se ai ju sulmon dhe ushtron presion psikologjik mbi ju dhe fëmijët njëkohësisht, dhe jo vetëm kaq, ju i ktheheni po në të njëjtën formë.

Pyetja ime është: A është e drejtë që fëmijët të rriten në një mjedis familjar ku ka dhunë, ankth, stres dhe dy prindër që vetëm zihen në forma të ashpra? Do të isha mbështetëse ndaj jush, nëse do të ishit prindër të kujdesshëm ndaj mirëqenies psiko-emocionale të fëmijës. Por në këtë rast, ju po i vështirësoni jetën jo vetëm vetes tuaj, por edhe fëmijëve, të cilët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi për ju të dy.

Me sa më keni rrëfyer në fillim, zënkat tuaja kanë më së shumti lidhje me familjen tënde, deri duke i thënë fëmijëve që të mos takojnë familjarët e tu. Sikur të përpiqeni të qartësoni situatat në lidhje me ketë temë, mund të sheshohen sherret e juaja. Sepse nëse askush nga ju nuk shtrohet të bisedojë dhe i ktheheni njëri-tjetrit me të njëjtën monedhë, situatat përkeqësohen.  Ama n.q.s në martesën tuaj kjo situatë ka qenë e pranishme që në fillimet e saja dhe ende vazhdon në pamundësi marrëveshjeje, atëherë ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë, por kur familja humbet qëllimin mirë është të gjendet qetësia e duhur për këdo. E dashur, të sugjeroj të drejtoheni tek një specialist psikolog për të marrë konsulencën e duhur dhe për të bërë më të qartë tablonë e problemeve dhe shqetësimeve tuaja.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com