Marrëdhënie

January 19, 2018 | 7:55

Rrëfimi ekskluziv i 97-vjeçares Nezihat Stermasi: Jeta me Selmanin, njeriun e mirë dhe human

 

Gazetarja e “Vila 24”, Elda Hasanbelli dhe operatori Esmerid Murati kanë vizituar në një nga takimet për studion e mëngjesit në News24, shtëpinë e një prej ikonave të sportit në vitet ’30. E kush nuk e njeh legjendën e futbollit, Selman Stermasit. Por ky takim ka qenë edhe më i veçantë, pasi është ndarë në një bashkëbisedim më të ngrohtë si pjesë e rrëfimit të një jete në çift, me zonjën e të ndjerit, bashkëshorten e sportistit Nezihat Stermasi. Jeta me lojtarin e famshëm të të gjitha kohërave, ish-trajnerin e ekipit të bardhebluve dhe njeriun më human që ka njohur Tirana, ish-bashkëshortja e tij, edhe pse në moshën 97-vjeçare, ka arritur të përcjellë me shpirtin e jetuar si në atë kohë, dashurinë e madhe për njeriun me të cilin ndau jetën ku patën dhe një vajzë.

elda-dhe-nezihat

Gjendemi në një familje të ngrohtë tiranase, në sheshin “Avni Rustemi” në rrugën “Tefta Tashko” me një zonjë grua, me Nezihat Stermasi. Një marrëdhënie e vyer në jetën tuaj, me ish-bashkëshortin që nuk jeton, një figurë e rëndësishme siç ishte Selman Stermasi. Si e kujtoni ju atë dhe jetën që kaluat së bashku?

Nuk kam se ç’të them më mirë. Një jetë që më ka plotësuar për gjithçka. Kur hynte në portë vetëm emrin tim thërriste. E dëgjonte e gjithë mëhalla që thërriste Nexhin. I dilja e prisja përpara. Ai kishte kënaqësi që të thërriste shokë, sportistë që vinin nga anë e anës. Kjo dhomë kishte katër krevate. Vinin nga Korça, Shkodra etj.

Cilët ishin shokët e tij më të mirë?

Për mua ishin të gjithë të mirë. Naim Kryeziu, Riza Hysa, që janë ndarë nga kjo jetë. Ai i vlerësonte shumë, sepse ishin dhe sportistë shumë të mirë. Ata qëndruan në Itali ku luanin me skuadrat italiane. Ishin shumë mirënjohës duke na dërguar vazhdimisht letra, na pyetnin a kishim nevojë për ndonjë gjë.

Nezihat Stermasi, bashkëshortja e Selman Stermasit

Nezihat Stermasi, bashkëshortja e Selman Stermasit

Në momentin që ju u njohët me zotin Stermasi, sa vjeç ishit?

14-vjeçe, isha fëmijë, ndërsa ai rreth të 20-ve. Kur e kam njohur, ishte pak muaj para martese.

Si u takuat për herë të parë?

Ne shiheshim me raste, për festën e Bajramit, Vitit të Ri, vinte për vizitë me familjen.

Ju prezantuan, pra ishte martesë me shkuesi?

Ne kishim hyrje-dalje me familjet tona. Baba dhe nana ishim si një familje.

Selman Stermasi

Selman Stermasi

Çfarë pëlqyet ju tek ai djalë në atë kohë?

Unë pëlqeva mirësinë e tij, ishte shumë zemër mirë. Dilte në pazar, fuste ndonjë dollar në xhep dhe kur kthehej në shtëpi më kërkonte: A ke ndonjë 10-lekësh? Pse e prishe dollarin?, e pyesja. Pashë një fukara që nuk kishte bukë dhe ia dhashë atij. Nuk e mbante për vete. Kishte shok a të njohur që nuk ishin në gjendje, që ishin me fëmijë, ai i ndihmonte. Edhe kur merrte rrogën këtë bënte. Kur vinte në shtëpi as çerekun nuk sillte.

A mendoni ju që emri i tij tashmë edhe në kohët që jetojmë do të lakohej kaq shumë?

Atë e vlerësonin shumë të gjithë. Vinin nga jashtë me emrin e tij për gjithçka dinin për sportin. Ai jepte shumë kontribut për sportin. Vinin nga të gjitha qytetet dhe i strehonim në shtëpi. Nuk i mbante për interes njerëzit, por ishin konditat ndryshe atëherë, nuk kishte hotele. Kur ka vdekur Selmani është habitur Tirana me njerëzit që erdhën në varrim.

Si u ndje kur iu vu emri një stadiumi?

Shumë jam gëzuar, por më vinte keq se nuk ishte ai.

 

Përveç jetës njerëzore, të bamirësisë që bënte, të qenit miqësor me të gjithë, ai ishte një figurë që kishte dhënë kontribut për shoqërinë shqiptare. Çfarë e mundonte atë më shumë nga ana profesionale?

Nga kjo anë e pyetnin të gjithë për çdo gjë, si skuadra e Tiranës, ku kërkonin konsultim. Kishte kënaqësi të madhe kur fliste për sportin. Amon i thosha unë, rri me orë, po këto muhabete ke. Eee, më thoshte, e kam në shpirt.

Ti mërziteshe për këtë gjë?

Nuk mërzitesha kurrë. Ishte aq njeri i mirë, nuk më jepte rast.

Të ndihmonte nga ana familjare, për vajzën?

Më ndihmonte shumë. Vinte nga puna, shtronte tavolinën, më ndihmonte.

Si mendoni ju, me gjithë këtë kontribut që ka dhënë, a është vlerësuar sa duhet?

Tani po, në fillim jo. Kur luante Tirana, nuk kishte një biletë të shkonte. Nuk i vinte radha se ishte me pakicë. Kur i vinte radha ishte gëzim i madh. E larguan se ishte frymë e vjetër. Aq keq ndihej sa nuk ka. Ishte një rast kur erdhi Turqia të luante. Ishte ulur në divan e po shihte televizorin. Hyj brenda e i them: Çfarë ke? Ishte i mërzitur. Si nuk po më sjellin një biletë. Vinin sportistë te ne dhe pyesnin për biletë nëse kishte Selmani. I thosha unë: ai nuk ka për vete, ju vini kërkoni këtu. Ulej në divan e shihte televizorin. Por që t’i jepnin kënaqësi apo t’i sillnin një herë një biletë nuk kishte. Me ardhjen e demokracisë i vunë emrin stadiumit, me ceremoni të mëdha. Për çdo ndeshje që ishte, ne ishim në vend të parë. Kur ishte përpara që nuk kishte biletë, e gjeja me sy me lot. Çfarë ke, i thoja unë. Po plas, nuk po jam i zoti me gjet një biletë. Ishallah humbin, i thashë një dite. Mos më thuaj ashtu, ma ktheu, se është Shqipëria që luan. Ishte shqiptar mi nënë. E donte vendin e vet. Kur fitonte, vinin të gjithë dhe i thoshin: O Selo, fitum!

A kishte ai një dëshirë të madhe për sportin?

Ishte që të fitonte Tirana. Kur shkonte që bënin prova sportistët dhe u bënte ndonjë gabim, i merrte dhe i këshillonte.

Një bashkëshort me vlera kaq të mëdha sigurisht që ka pasur dhe një grua të fortë pas?

Kemi shkuar jashtëzakonisht mirë. Nuk di njëherë prej atij njeriu pse e ke bërë kështu  apo ashtu apo t’i kërkoja llogari. Unë kam humbur atë njeri që jo Tirana, por as Shqipëria nuk e ka pas. Edhe ata njerëz që kanë folur apo nuk kishin shumë simpati për të, ato i mbante më fort.

Kishte armiq?

Jo.

Merita paska qenë dhe e juaja?

Merreshim vesh të dy. E kam humbur atë njeri shumë shpejt.

ndeshje ndeshje1

selman

gazeta

flamuri-tirones titull

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top