Dëshmi

September 1, 2021 | 8:18

Rrëfimi prekës i gazetares afgane në Tiranë: Lamë gjithçka! Si arritëm të hynim në aeroportin e Kabulit…

29 vjeç, pedagoge e gazetarisë në universitetin e Heratit dhe gazetare. Afgania Ozra Aziz, kishte vetëm pak orë kohë të shpëtonte jetën e saj, të dy djemve të vegjël, bashkëshortit, dhe motrës edhe ajo gazetare. Kur talebanët morën edhe qytetin e fundit afgan, Kabulin, kompania amerikane për të cilën kishte punuar disa kohë, i telefonoi duke thënë se i kishin siguruar një makinë me të cilën do udhëtonin të sigurt drejt aeroportit “Hamid Karzai”.

Nga Aurora Golemi

Ishte ajo natë, brenda së cilës Ozra humbi gjithçka, shtëpinë, punën, nënën, babain, vëllain, të cilët i la pas. Nga dritarja e avionit mes lotëve dallonte bashkëkombasit që kishin rrethuar dëshpërimisht aeroportin, në përpjekje për të shpëtuar jetën nga terrori i talebanëve.

Për News24 Ozra tregon momentin kur e kuptoi se nuk do të kthehej më kurrë në Afganistan.

“Talebanët i pashë përreth Kabulit. Ti nuk do ta besosh këtë që të them, por kur i pashë rrugëve i thashë vetes: Po Ozra, tani është çasti që duhet të ikësh. Këtu nuk të ka mbetur më gjë të bësh”,- thotë gjatë intervistës Ozra Haziz për gazetaren e News24, Aurora Golemi.

Ozra Aziz, të falënderoj që zgjodhe të flasësh për televizionin News24, para së gjithash mirëserdhe në Shqipëri, a ndihesh e sigurt dhe në paqe këtu…?

Ju falënderoj. Po. Ndihem e sigurt këtu, shqiptarët janë kaq të dashur me ne, ndihemi mirë në këtë qytet mire. Këtë ndjesi kemi dashur ta kishim, po ndihem e sigurt këtu…

Ti me the se erdhe këtu për hir të dy djemve të tu…

Po për ata, por edhe se unë kam punuar pedagoge dhe gazetare në disa media të ndryshme në Afganistan. Jeta ime ishte në rrezik dhe përveç kësaj në Afganistan nuk kisha asnjë të ardhme për shkak të talebanëve. Na u desh të linim gjithçka, duhet të iknim për të shpëtuar jetët tona. Bashkëshorti im ka punuar për 14 vite gazetar në media dhe më pas në administratë. Jeta jonë ishte në rrezik të madh. Për shkak të punës sonë ne duhet të iknim.

Jeni me bashkëshortin, dy djemtë e vegjël, motrën tënde dhe kë tjetër?

Mora vetëm familjen time pasi unë dhe motra ime kemi punuar me një kompani interneti. Kjo kompani na solli ne këtu. Por unë lashë në atdhe babin, nënën, një motër tjetër dhe vëllain tim, bashkëshorti im la familjen e tij gjithashtu. Si ta them… nuk morëm me vete asnjë gjë, i lamë të gjitha aty. Lashë shtëpinë time, punën, nënën, babain, jam kaq e shqetësuar për ta.

Besoj e ke shumë të vështirë…

Ne ndihemi të sigurt këtu, por si ta them, unë nuk jam e lumtur kur atdheu im po lëngon, kur familja ime atje është në rrezik të përhershëm, ata rrezikojnë kokën për shkakun tim, për shkak të punës që ka bërë motra ime, edhe motra ime ka punuar reportere, kështu që jeta e nënës, babait e motrës dhe e vëllait tim është në rrezik. Si mund të ndihem unë kur gjithë vendi po lëngon në këto momente? Si mund të më qeshi buza në këtë situatë?

Çfarë të thonë prindërit në Afganistan?

Nuk është se u besoj fjalëve të tyre, ja sot ndodhi një shpërthim i ri atje, kur i marr në telefon më thonë: Po jemi mirë, jemi brenda në shtëpi. Babai im nuk shkon më në punë, thotë mirë jam brenda, por si do ta shtyjnë jetën mbyllur për të qenë të sigurt. Jetë është kjo? I marr në telefon u them ku është motra vëllai. Ja në shtëpi jemi të gjithë, por ata duhet të vazhdojnë jetën, duhet të ikin në punë, ça do bëjnë mbyllur…

Si arrite të hipësh në bordin e avionit? Kush të ndihmoi?

Kompania amerikane për të cilën punuam, kishte lidhje me organizatën “Gratë reporterë”. Kam qenë drejtuese atje për 5 muaj isha dhe lidere e grupit për ta. Kompania ime kishte akses për ta na nxjerrë nga Afganistani. Unë jam këtu sepse kompania që kisha punuar na shpëtoi jetët. Ata na transportuan në aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, më pas udhëtuam drejt Abu Dabit, e më pas mbërritëm këtu në Tiranë. Vetëm se ishin ata, ne arritëm të udhëtonim të sigurt.

Pra ju udhëtuat nga aeroporti i Kabulit fillimisht?

Po ne ishim atë kohë në Kabul, por ne jetonim në qytetin e Heratit, që është afër Kabulit. Kur pati trazira ata na telefonuar për të udhëtuar drejt Kabulit. E më pas na sollën këtu.

Por si u futët brenda aeroportit?

Amerikanët arritën ta menaxhonin, na morën me makina drejt aeroportit dhe vetëm se e kishin planifikuar udhëtimin në këtë mënyrë, ne mundëm të shpëtonim. Ata na lajmëruan që mos të shkonim vetë në aeroport. Unë nuk mund të shkoja dot vetëm drejt aeroportit, kam dy djem të mitur, kisha shumë frikë mos u ndodhte ndonjë gjë e keqe. U jam mirënjohëse pasi vetëm prej tyre ne mundëm të udhëtonim të sigurt.

A pe talebanë përreth aeroportit? A ishte e frikësuar për jetën tënde dhe për jetën e fëmijëve?

Talebanët i pashë përreth gjithë Kabulit. Ti nuk do ta besosh por kur i pashë ata rrugëve i thashë vetes: Po Ozra, tani është çasti që duhet të ikësh! Se tani asgjë nuk të ka mbetur më!

Ti je kolegia ime, je gazetare, motra juaj gjithashtu është reportere, vetë ke dhënë leksione për gazetarinë. A ishe e terrorizuar nga talebanët? Unë vetë nuk mund ta imagjinoj të punoja reportere në këto momente në Afganistan…

Po e vërtetë, ndoshta shumë persona si doktorët mund të vijojnë punën e tyre atje, ose mësuesit, ata kanë thënë se do lejojnë që gratë të vijojnë punën. Por për mua, profesioni që ushtroja mbaroi përfundimisht. E di pse? Se ata nuk të lënë dhe as besojnë në të drejtën e shprehjes, ata nuk i duan gratë si puna ime të punojnë në këtë profesion. Ata, talebanët, nuk duan tashmë as që meshkujt të punojnë si gazetarë, pra si unë mund të vijoja të ushtroja profesionin tim atje? Unë kam dhënë mësim në klasa të përbashkëta ku kisha djem dhe vajza që mësonin bashkë. Tani talebanët thonë që klasat duhet të ndahen pra vajzat në një klasë dhe djemtë në klasë më vete. Si mund t’ju jepja leksione unë studentëve për demokracinë, për lirinë e shprehjes. Më thuaj çfarë tu mësoja në auditore? Ja për shkak të kësaj, mendoj se puna ime s’kishte më kuptim, prandaj mu desh të ikja! Gjithashtu mendoj se nëse talebanët besojnë se gratë dhe vajzat duhet të punojnë, ata fillimisht duhet të na pranojnë ne si profesioniste.

Ne duam të kuptojmë më tepër se çfarë ndodhi! Çfarë ndodhi me njerëzit që kërkonin zhvillim, apo me forcat e armatosura afgane që nuk u ngritën për të mbrojtur atë që ishte arritur në këto 20 vitet e fundit?

Nuk dua të jap opinion nga pikëpamja politike apo diçka të tillë. Por di të them që për shkak të shumë faktorëve situata u agravua. Natën e parë kur talibanet morën Kabulin unë isha pikërisht në kryeqytet dhe nuk arrija ta besoja dot. Jo i thoja vetës! Reagimi i bashkëshortit ishte: Jooo! Si mund të ndodhte kjo!? Talebanët morën Kabulin? S’ka mundësi! Fatkeqësisht ndodhi! Unë ndoshta jam në gjendje ta shpjegoi si u katandisëm kështu. Njerëzit kishin frikë. Ushtria afgane nuk na mbrojti. E për ketë morali i ushtrisë nuk ishte fare, u zhduk. Ne besonim kaq fortë te ushtria jonë. Besonim se në këto 20 vite kishim ndërtuar shtetin tonë. Afganistani është vendi im, unë do bëj gjithçka për atdheun tim. Në këto 20 vite, kurrë nuk kisha menduar se do të arratisesha në dhe të huaj. Asnjë vend tjetër nuk mund të bëhet atdheu yt! Në asnjë vend tjetër të huaj nuk do ta gjesh shtëpinë. E ëmbla shtëpi i themi ne! Brenda një nate çdo gjë u shkatërrua!

Si u ndjeve kur ishe brenda atij avioni? E kam fjalën ti kurrë nuk do kthehesh më tek jeta që kishe?

Qava…kur po fluturonim mbi aeroportin “Hamid Karzai” po qaja me dënese, sepse çdo njeri që kishte mbetur atje poshtë në aeroport ishte bashkëkombas i imi. Po qaja për ta. Por edhe për ato pamje që kisha parë në rrjetet sociale. Gjithmonë lotoja kur i shikoja. Ne ishim të frikësuar për jetët tona. Ata donin të arratiseshin dhe të strehoheshin për të mbrojtur jetët e tyre. Ne jemi këtu, o Zot i madh! Jemi në një vend të sigurt e të mirë tani. Por kjo nuk mjafton aspak! Do më duhen vite të harroj atë që pashë me sytë e mi, atë që ndodhi.

Ne e njohim Afganistanin edhe nga librat e autorit Hosein Kaled, a janë talebanët siç ai i përshkruan apo më keq. A kanë ndryshuar këta talebanë nga talebanët që sundonin vite më parë? Kemi dëgjuar në media që kanë thënë se kanë ndryshuar, që nuk janë të njëjtët si 20 apo 30 vite më parë…

Do më duhet t’iu besoj fjalëve të tyre se kanë ndryshuar dhe ndoshta kanë ndryshuar. Por ata nuk sillen si një grupim i vetëm, nuk kanë një sistem të tillë që kur dikush thotë ne jemi të tillë, do jemi të gjithë në një mendje. Talebanët nuk janë njerëz të edukuar, të shkolluar, pra unë nuk u besoj fare deklaratave të tyre. Ne e njohim historinë, e dimë çfarë makabritetesh kanë bërë në të kaluarën. Ata tani thonë se kanë ndryshuar, se do pranojnë gratë që punojnë, por unë nuk iu besoj fare.

Thanë që do lejonin vajzat të shkollohen…

Ndoshta i lejojnë në qytetet e mëdha do i lejojnë vajzat të shkollohen, por në zonat rurale dhe shumë të thella vajzat dhe gratë as i dinë fare të drejtat e tyre në radhë të parë. Më thuaj si do i kërkojnë e mbrojnë këto të drejta?

Ke kontakte me kolegët e tu? A i ndjek lajmet përmes rrjeteve sociale? Kam parë një gazetar që jepte lajmet ndërkohë pas tij në studio po qëndronin talebanë të armatosur në studio?

Po e vërtetë, ja ky është realiteti i tyre. Çfarë mund të them më tepër…Talebanët nuk i duan njerëzit, ata duan tu fusin tmerrin në çdo kohë. Mendoj se talebanët duhet të jetojnë të paktën 20 vjet nëpër qytete që të mësojnë si jetohet si njeri i civilizuar, të mësojnë si të sillen nëpër qytetet moderne. Unë mendoj se ata si kanë parë më sy ndonjëherë qytetet moderne, ata as që dinë si të sillen në zonat urbane. Duhet të edukohen fillimisht, është një proces kaq i gjatë. Ta thashë më parë, për këtë shkak mu desh të ikja.

Ju tani jeni në Tiranë, çfarë ju kanë thënë do transferoheni në një qytet tjetër?

Ky vendim i takon kompanisë sime, e cila menaxhon gjithçka, kështu që ata ndoshta janë duke planifikuar që të na vendosin në një vend ku të kemi dhe ne një jetë normale. Nesër do na thonë nëse do lëvizim nga këtu.

Pra destinacioni juaj final ku është? Dëshironi që të qëndroni në Shqipëri?

Jo, destinacioni ynë final janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi kompania ime është amerikane. Duhet që të siguroj një jetë më të mirë për djemtë e mi tani e tutje. Njëri është 5 vjeç tjetri është vetëm 2 vjeç e gjysmë. Unë jam këtu sot për shkak të tyre. Unë dua që ata të rriten në paqe, dua që të rriten në një vend të qetë paqësor. Unë vetë jam 29 vjeç.

Ëndrrat dhe shpresat e tua janë në SHBA apo jo?

Në këto momente unë duhet ta nis jetën nga zeroja. Çdo gjë u shkërmoq, duhet ta nis çdo gjë nga fillimi. Ja p.sh anglishtja ime nuk është në nivele shumë të mira, duhet ta përmirësoj atë fillimisht, të gjej një punë, ndoshta si gazetare nëse do gjeja një punë të tillë. Por e di, ëndrra ime e madhe në këto momente është të vendoset paqja në Afganistan. Nëse familja ime atje nuk është e sigurt, çfarë shpresash dhe ëndrrash do kem unë? Afganistanit duhet t’i kthehet paqja. Vetëm pasi të ndodhë kjo ne do të jemi prapë të lumtur. Do nisim të kemi ëndrra për një të ardhme më të mirë.

Ozra shpreson se jetën do ta ndërtojë nga fillimi në Shtetet e Bashkura të Amerikës me familjen. Por thotë se kurrë nuk do të jetë e lumtur nëse atdheu i saj, Afganistani nuk do të gjejë paqe e siguri. Ajo së bashku me familjen po kalojnë ditët e para në Tiranë, një qytet që iu duk mikpritës e ku i duhet të projektojë ëndrrat për një jetë, krejt të ndryshme nga ajo që la pas në Afganistanin e saj

 

Burimi / BW

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top