Të jeni gjithmonë të lumtur e të kënaqur nuk është e thjeshtë, por sipas ekspertëve, për funksionimin e mirë të një martese mjafton të ndjekim disa rregulla të thjeshta. Siç e dimë, martesa është një bashkim që bazohet tek ekuilibri, por fatkeqësisht, në ditët e sotme ky ekuilibër dobësohet kaq shumë, saqë marrëdhënia shkatërrohet. Por ka nga ato çifte, që pas 10-15 vitesh martesë ia kanë dalë të qëndrojnë bashkë, të lumtur e të kënaqur. Po cili është çelësi për një martesë të lumtur? Kemi përzgjedhur disa këshilla për të bërë që martesa juaj të zgjasë sa vetë jeta…
Jini vetvetja në fillim të marrëdhënies
Nëse e filloni marrëdhënien me një prezantim jo real të vetes, çfarë do të ndodhë kur e vërteta të dalë në pah? Jini vetvetja që ditën e parë, në mënyrë që partneri t’ju pranojë dhe t’ju dashurojë për atë që jeni, jo për atë që beson se jeni.
Falni
Falja është fjala më e rëndësishme për një martesë të mirë. Keni ndërtuar marrëdhënien bazuar te besimi. Mos supozoni se partneri i bën gjërat me qëllimin e vetëm për t’ju mërzitur. Ndoshta vetëm nuk e kupton se gjërat që bën ju bezdisin. Bëjini të ditur se çfarë ju bezdis, pa menduar keq për të. Kur të sqaroheni, lërini kohë partnerit që të korigjojë veten.
Mos u inatosni për vogëlima
Pyesni veten, a ia vlen të grindeni për çikërrima? Ka vepruar gabim apo ju do e bënit ndryshe? Le të ketë diferenca mes jush pa i kthyer në çështje të rëndësishme. Nëse diçka ju bezdis me të vërtetë, flisni pa e akuzuar dhe dilni në krye të bashkëbisedimit pa u grindur.
Ndani përgjegjësitë
Nëse të dy punoni 80 orë në javë, përse duhet të jeni ju ajo që duhet edhe të gatuani edhe të pastroni? Gjeni së bashku punë që të dyve ju shkojnë për shtat, për shembull larja e enëve apo hedhja e mbeturinave në kosh. Gjeni mënyra për të krijuar një rutinë ku të përfshiheni të dy në punët e shtëpisë. Nëse ju lani enët, partneri i fshin. Kjo gjë do të evitojë sindromën “e shtëpiakes që dërdëllit” nëpër shtëpi. Kini parasysh se së bashku duhet të jetoni për gjithë jetën (deri sa vdekja t’ju ndajë), ndaj kursejeni veten për të ardhmen. Nuk do të përmbyset bota, nëse nuk i lan të gjitha rrobat brenda një dite.
Gjeni kohë për të ndenjur bashkë
Të paktën një herë në javë gjeni kohë për t’u ulur së bashku dhe për të kaluar kohë cilësore me njëri-tjetrin. Edhe nëse janë vetëm 10 minuta, para se të shkoni në shtrat, flisni, përkëdheluni dhe bëjini shoqëri njëri-tjetrit.
Mësoni nga gabimet tuaja
Kur kërkoni falje, tregoni edhe se ndiheni të keqardhur. Kjo tregon se nuk do ta bëni më të njëjtin gabim. Të kërkoni falje e më pas të bëni sërish të njëjtën sjellje të gabuar, i tregon partnerit se nuk ju ka ardhur edhe aq keq. Me kalimin e kohës kjo gjë ul besimin e tij.
Mos mbani sekrete dhe evitoni dyshimin se ju tradhton
Është shumë e rëndësishme të jeni transparentë me partnerin, sepse tregon besimin që secili prej jush ka për tjetrin edhe në gjërat më të vogla. Nëse mbani sekrete, herët a vonë do të dalin në pah dhe do të jenë një problem për martesën tuaj. Ruajeni lidhjen të pastër dhe të hapur për të parandaluar dyshimet dhe xhelozinë. Mos i bëni gjërat për të marrë një reagim nga partneri. Nëse dikush në zyrë këmbëngul duke ju joshur, tregojini eprorit dhe kërkoni që ta lëvizin nga zyra juaj. Nëse ruani një aspekt të pastër dhe komunikim të ndershëm me partnerin, do të ketë besim te ju, atëherë kur do të keni realisht nevojë.
Përgatituni për momentet e vështira
Do të jeni më pak të stresuar nëse punoni së bashku për të planifikuar financat. Kurseni lekë të paktën deri sa të keni një fond të sigurt dhe të jeni të përgatitur për momentet ku gjërat nuk do të ecin fjollë. Në këtë mënyrë jeta do të jetë më e lehtë.
Shëtisni së bashku
Ushtrimet fizike nuk bëjnë mirë vetëm për shëndetin fizik, por edhe për atë të trurit, pasi gjaku shkon deri në tru dhe ju bën të mendoni më me kthjelltësi. Panorama dhe aroma e natyrës do t’ju çlodhin. Me mendjen e boshatisur nga stresi dhe me dashurinë e partnerit do të krijohet atmosfera e duhur për të qenë të pahur e të ndershëm me njëri-tjetrin për të biseduar çfarëdolloj gjëje.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.