Granulat e gomës sintetike, të prodhuara nga riciklimi i gomave të vjetra, mund të paraqesin rreziqe për mjedisin dhe potencialisht për shëndetin e njeriut. Kur ekspozohen ndaj diellit dhe kushteve atmosferike, këto materiale nuk janë inerte, por lëshojnë mikroplastikë dhe kimikate toksike që përhapen në tokë dhe ujëra.

Një studim i Universitetit Northeastern tregoi se degradimi i gomës prodhon qindra substanca kimike. Veçanërisht problematik është transformimi i antioksidantit 6PPD në 6PPD-kinonë, një substancë shumë toksike për organizmat ujorë, përgjegjëse për ngordhjen masive të peshqve në lumenj të ndotur. Edhe pse efektet e drejtpërdrejta te njerëzit nuk janë ende të konfirmuara, prania e këtyre ndotësve në mjedis është alarmante.
Eksperimentet laboratorike identifikuan mbi 570 kimikate të reja që çlirohen nga granulat e gomës nën rrezatim diellor. Midis tyre janë substanca potencialisht të rrezikshme për shëndetin, si 4-HDPA, e dyshuar për çrregullime hormonale dhe rritje të rrezikut të kancerit të gjirit, dhe 1,3-DMBA, një përbërje me efekte stimuluese të ngjashme me amfetaminat.
Këto gjetje nënvizojnë nevojën për studime të mëtejshme mbi ndikimin afatgjatë të katraneve sintetike, veçanërisht në ambientet ku fëmijët dhe sportistët janë të ekspozuar rregullisht. Si masë parandaluese, Bashkimi Evropian ka miratuar ndalimin gradual të përdorimit të granulatit të gomës në fushat sportive, me synimin e eliminimit të plotë deri në vitin 2031, për shkak të rolit të tij si burim i rëndësishëm i mikroplastikës dhe ndotjes kimike.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

