Rutina, ky fenomen natyror, është shumë i rëndësishëm për ekzistencën e të gjitha specieve, përfshi këtu edhe njeriun. Mbijetesa e çdo gjallese është e varur nga cilësia e rutinës. Me rutinë kuptojmë veprimet e përsëritura në mënyrë të rregullt për të nxitur e zhvilluar ato mekanizma që sigurojnë mbijetesën, si p.sh, frymëmarrja, nuhatja, ushqyerja dhe higjiena e çdo specie.
Nga Lira Gjika
Cilësia e rutinës ndikon në cilësinë zhvillimit të reflekseve të vetëmbrojtjes dhe ekzistencës, të cilat kthen nga veprime të mësuara në veprime të pavullnetshme, pra që kryhen pa u kujtuar. Te njeriu, ky proces shumë i rëndësishëm i natyrës, ka arritur një zhvillim e nivel akoma më të avancuar, pasi është gërshetuar me kuptimin, element shumë i rëndësishëm në njerëzore dhe ka krijuar ritet dhe ritualin.
Ritet nuk janë gjë tjetër, vetëm se rutina e ndërthurur me njerëzoren, pra çdo veprimi i jepet kuptim dhe vlerë. P.sh një rutinë e kthyer nga njeriu në rit, është festimi i ditëlindjes, si dhe festa të ndryshme si fetare dhe ato laike. Ritet janë veprime simbolike, ato operojnë me simbolin dhe bëjnë pjesë në themel të njerëzores. Për të ndërtuar njerëzoren, e cila është një fenomen progresiv dhe kulturor, duhet njohur, respektuar dhe vepruar nëpërmjet rregullave të rutinës dhe ritualit.
Jo rastësisht të gjithë specialistët e psihës së fëmijës, insistojnë në zbatimin me kujdes të një programi ditor të mirëpërcaktuar, ku ndryshimet të shmangen sa më shumë të jetë e mundur. Këto dy procese që ndryshe quhen edhe 2-R.R (rutinë ritual) ndikojnë direkt në psihën e njeriut, duke filluar nga pavetëdija e deri te ndikimi i fuqishëm që kanë në vetëdije, ndërtohen në fëmijëri. Këto dy fenomene, njëri natyror dhe tjetri njerëzor, duhen marrë seriozisht në konsideratë, nga prindërit dhe edukatorët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.