Sjellim nëntë karrige për dhjetë fëmijë, dhe fëmijëve u themi se fitues është ai që merr karrigen, dhe kush mbetet pa karrige, është jashtë loje. Pastaj, ulim numrin e karrigeve çdo herë dhe çdo herë del një fëmijë. Derisa të mbetet një fëmijë dhe ai të shpallet fitues.
Fëmija mëson kulturën e vetes, bëhet egocentrik duke mbajtur fokusin tek vetja si i paprekshëm, dhe për të pasur sukses ai/ajo duhet t’i largojë të tjerët, t’i shtyjë, madje edhe të zaptojë karrigen e tjetrit pa mëshirë. Imagjinoni që kjo lojë të zhvillohet në një vend tjetër, p.sh: në Afrikë, ku kultura e tyre është drejt të qenit më të afërt me njëri-tjetrin, dhe nuk kanë egërsine e konkurrencës negative…
Arta Llana, psikologe klinike
Dhe ata, gjithashtu vijnë me nëntë karrige për dhjetë fëmijë, por me një ndryshim të madh. U themi fëmijëve që, nëse dikush nga ju mbetet pa karrige, të gjithë humbasin.
Të gjithë fëmijët do përpiqen të përqafojnë njëri-tjetrin në mënyrë që dhjetë fëmijë të ulen në nëntë karrige. Ata bëjnë përpjekje maksimale dhe sigurohen që të gjithë të jenë ulur. Dhe pastaj ulim numrin e karrigeve pasardhëse.
Fëmija mëson kulturën e: “Unë nuk mund të kem sukses pa ndihmën e të tjerëve për të pasur sukses”.
Unë mendoj se kjo është më shumë se një lojë, duke instaluar që në fëmijëri pjesë të personalitetit që do vazhdojë më pas si i rritur. Suksesi i punës në grup sjell rezultate fantastike dhe të bën më bashkëpunues dhe tolerant ndaj mendimit ndryshe. Por a mjafton kjo, dhe a mbulon çdo dinamikë që haset jashtë, apo i nisim fëmijët si delja mes ujqërve?!
A kemi menduar ndonjëherë që kur lëndohemi padrejtësisht nga një fyerje, pabesi, një mashtrim ose fenomeni bullizëm etj., kjo është si shkak i tjetrit që e quan sjellje normale, e madje mund të ndiejë kënaësi kur sillet në atë mënyrë…
Përse nuk mësohet në shkollë që secili të krijojë një mantel të fortë që të mos cenohet nga tjetri?
Përse edukohet që vuajtja është pjesë e jetës, ndërkohë që është e shmangshme?
Ndërsa në rastet kur nuk shmanget dhe hasim persona që lëndojnë, dëmtojnë, intrigojnë karshi të tjerëve, atëherële të mësohet të jetë lehtësisht e kuptueshme që ky është një model, si shumë të tjerë që do shohim në jetë.
Është i kuptueshëm impakti që ka kultura në personalitetin dhe në sjelljen tonë. Që këtej rrjedh edhe reagimi, sjellja, pritshmëritë në raportet ndërpersonale. Ka kaq shumë ndryshime në kulturën e vetëm një vendi brenda tij. Po në një shtet tjetër, ku janë të pranishme qindra kultura të vendeve të ndryshme, atëherë dhe ndërveprimi është më dinamik, më konkurrues dhe më i egër.
Përse nxitet krahasimi?
Shqetësimi im është: sa e vështirë është të rrisim fëmijë në një vend multikulturor, duke dashur njëkohësisht të ruhet edhe kultura e tyre por edhe të integrohen gjithashtu?
A jemi mjaftueshëm të përgatitur si prindër, që fëmija të jetë gati te përballet me pritshmëritë dinamike jashtë në një sistem multikulturor?
Sa i përgatisim fëmijët tanë që ata të jenë në dijeni se reagimi i tjetrit nuk është dështimi i tyre?
Sa i përgatisim ne fëmijët që modelet dhe vlerat që tjetri ka brendësuar mund të jenë normale për sjelljet e tij karshi teje, pavarësisht se të shkel apo të cënon?
Zhgënjimi ose mashtrimi nga dikush nuk nënkupton të qenit i paaftë, por kjo është faturë e tjetrit lidhur me atë që ai është ndertuar në vite si pjesë e kulturës ku është rritur, e kulturës që mbart familja, mjedisi, përveç shumë faktorëve të tjerë psikologjikë.
Dhe e fundit, ne rrisim fëmijë duke u nisur nga parimet tona, p.sh: si tek roli me karriget, ku i mësojmë të jenë të dashur, bashkëpunues, dhe të çmojnë tjetrin.
A është kjo mjaftueshëm që neve të quhemi prindër të mirë, ndërkohë që fëmija përballet me tjetër realitet jashtë, p.sh: me fëmijë që rriten nga prindër të cilët mashtrimin, intrigën, e kanë pjesë të rrugëtimit të tyre?
A mjafton vetëm t’i edukojmë apo edhe t’u tregojmë disa gjëra që i presin në arenën jashtë?
Personalisht, nuk do dëshiroja asnjë shkollim tjetër, nëse do isha vërtet një prind i shkëlqyer. Mbetem gjithmonë me dëshirën se shumë gjëra do t’i bëj ndryshe në të ardhmen.
Nëse në shkollë i jepet prioritet gjendjes emocionale, atëherë shoqëria do ishte vërtet në shina të tjera, por deri atëherë duket si ëndërr e largët.
E njëjta lojë, e njëjta situatë mund të edukojë ndryshe, në varësi të mesazhit që nxitet të përcillet. Mos u çudisni, kur shikoni të rritur që në thellësi kanë atë që u është mësuar në fëmijëri. Dikur si fëmijë por edhe më pas lëndohesha, dhe jepja shpirtin, dhe pyesja veten përse ndodhte diçka. Më pas, kuptova sa e lehtë paska qenë, dhe çfare humbje kohe! Të kuptosh por edhe të lësh tjetrin të ndihet lirshëm të nxjerrë nga vetja atë që ai ka brenda, qoftë kjo e mirë apo e keqe.
Por me një ndryshim të madh, që të mos lejosh që negativiteti i tjetrit të prishë paqen tënde të brendshme. Mjerimi është tek shpirti i tyre, ndaj të qëndrosh larg është shumë më mirë, se nuk të varfërojnë as shpirtin tënd.
Të gjitha këto më erdhën në mendje pasi kam parë aq shumë njerëz që kanë vuajtur kot dhe që kanë kaluar shqetësime të tepërta si në punë apo dhe në “shoqëri”. Por nëse jemi diku të përjashtuar, diku tjetër jemi aq shumë të mirëpritur dhe të dëshiruar.
Unë preferoj të jem brenda grupimit që i çmon vlerat dhe gatuan “gjellët” si unë, dhe nuk dëshiroj e as shqetësohem që të jem pjesë e grupit apo të “gatimeve” që nuk kapërdihen.
Dhe koha më e bukur që kam kaluar si animatorë socialë në Don Bosko, për mua mbetet me shtatë yje, një mjedis që nuk do e ndërroj kurrë me asgjë tjetër në botë dhe me asnjë lloj tjetër edukimi në vazhdim që do marr! Edhe pse kanë kaluar 21 vjet që atëherë, ata miq mbeten për mua të dashur njësoj. Një ditë duhet të kthehem dhe të falenderoj atë SHKOLLË dhe ata NJERËZ të mrekullueshëm!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.