Vdekja e një të afërmi, sëmundja terminale (një kancer apo një sëmundje gjaku) e një familjari, një aksident që të ndryshon jetën, një tradhti, një ndarje, humbja e një pune, turpërimi publik, dikush që nuk martohet kurrë apo dikush i martuar që nuk mund të bëjë fëmijë, dikush që përfundon në rrugë se humbi gjithçka apo dikush që ka gjithçka e dëshiron vdekjen se jeta e tij nuk ka kuptim, dikush mes varfërisë apo dikush mes denigrimit… dhe rastet janë pa fund.
Por kush mund të më thotë se cila vuajtje është më e madhe?
Secili prej rasteve më sipër ka vuajtjen e tij dhe përjeton dhimbje të madhe. Një adoleshent/e, jo në pak raste e përjeton humbjen e dashurisë së parë me një përjetim shumë të fortë emocional, që me shumë gjasa mund t’i ndikojë në mënyrën sesi do t’i krijojë marrëdhëniet në të ardhmen, nëse adoleshenti/tja pyeten sesi ndjehen – raportojnë vuajtjen më të madhe që kanë përjetuar, e disa raportojnë se më mirë të vdesin se të jetojnë me atë dhimbje shpirtërore. Por, nëse pyetet një baba që sapo ka mësuar se fëmija e tij 5-vjeçar ka një sëmundje të pashërueshme, halli i këtyre adoleshentëve nuk do u duket aspak një shqetësim, duke e konsideruar një çështje që merr zgjidhje.
Humbja e prindit kur je në moshë të vogël është gjithashtu një nga përjetimet më traumatike për një fëmijë, por mendoni sa traumatike është për një prind humbja e fëmijës apo një sëmundje terminale e tij. Të mos flasim pastaj për zhgënjimet nga intrigat, tradhtitë apo përjetimet emocionale të vuajtjeve nga një braktisje apo aksident i papritur. Mendoni dhe faktin se ka njerëz që përjetojnë njëherësh në jetën e tyre disa prej këtyre ngjarjeve traumatike. Kush e ka vuajtjen më të madhe?
Vuan më shumë ai që ka përjetuar shumë ngjarje traumatike gjatë jetës apo ai që ka kaluar vetë një traumë dhe i ka ndryshuar gjithë rrjedhën e jetës?
Unë mendoj se nuk ka të bëjë as sasia, as lloji i ngjarjes së ndodhur. Mendoj se askush nuk mund të thotë se vuajtja ime është më e madhe. Çdo qenie njerëzore ka vuajtjet dhe dhimbjet e tij në ekzistencën jetësore. Për çdokënd vuajtja personale apo vuajtjet perceptohen si më të rëndat të ndodhura ndonjëherë. Asnjëri nga ne nuk mund të gjykojë dhimbjen dhe vuajtjen e dikujt në termat më e madhe apo më e vogël. Çdo ngjarje traumatike e madhe apo e vogël e ndodhur, mund të jetë një vuajtje e madhe për një individ, ndonëse nga dikush mund të perceptohet pa rëndësi. Vetëm shpirti i individit e di vuajtjen që përjeton.
Tashmë asnjë vuajtje nuk është e panjohur. Kanë qenë dhe janë pjesë e jetës.
Dikush më tha: Kam vuajtur shumë.
I thashë: S’ka njeri që nuk ka vuajtur.
Më tha: Sa kam vuajtur unë, nuk ka vuajtur njeri…
Më tej nuk dija si t’i përgjigjesha.
Sot i them:
-Shpirtrat më të fortë janë ato që kanë kaluar mes shumë vuajtjeve. (K. Gibran)
-Më mirë të vuash se të mos ndjesh asgjë ( O.Fallaci)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.