Në përditshmërinë tonë të vrullshme, akti i të dhënit pa interes shpesh mbetet një gjest periferik, një impuls i butë që shuhet mes zhurmës së prioriteteve, detyrimeve dhe ankthit të përhershëm për të “mbaruar gjërat e ditës”. Por psikologjia na kujton se në thelb të natyrës njerëzore ekziston një prirje e lindur për altruizëm, një nevojë për të shtrirë dorën drejt tjetrit, jo për shpërblim, por si shprehje e vetë ekzistencës sonë të ndërlidhur.

Carl Rogers, një nga figurat themelore të psikologjisë humaniste, thekson se njeriu lulëzon kur ndjehet i pambrojtur dhe autentik në raport me të tjerët. Të japësh prej vetes, qoftë një fjalë e mirë, një dëgjim i vërtetë apo një moment vëmendjeje, është pikërisht ajo gjendje e pranisë së vërtetë që Rogers e quan “pranueshmëri e pakushtëzuar”, një akt që pasurohet nga vetë fakti se nuk pret kthim. Në këtë mënyrë, altruizmi nuk është sakrificë, por një shprehje e integritetit personal. Ndërkohë, psikologia sociale Alice Isen ka treguar në studimet e saj se aktet e vogla të mirësisë, edhe kur bëhen pa pritur asgjë në kthim, krijojnë një cikël pozitiv emocional si tek ai që jep, ashtu edhe tek ai që merr. Ajo e quan këtë “efekti i ndjenjës së mirë”, ku një vepër e vogël e dashamirësisë ndez një zinxhir ndryshimesh të vogla psikologjike që rrisin empatinë dhe përmirësojnë mirëqenien. Pra, dhënia e pakushtezuar, në mënyrë paradoksale, na ushqen brenda nesh diçka që nuk mund ta masim, por mund ta ndiejmë qartë.
Në anën tjetër, Erich Fromm, në librin e tij “Arti i të Dashuruarit”, e shpjegon dhënien jo si humbje, por si akt krijimi. Kur japim, qoftë kohë, energji, kujdes apo thjesht një prani të ndërtuar mbi mirëkuptim, ne bartim pjesë të asaj që jemi dhe krijojmë marrëdhënie me kuptim. Fromm thotë se dhënia, e lirë nga pritshmëritë, është forma më e lartë e maturisë emocionale, sepse vjen nga “mbushja e brendshme” dhe jo nga mungesa.
Por në realitet, sa shpesh ndalojmë vërtet? Sa shpesh e lëmë telefonin në tavolinë dhe shohim tjetrin në sy me sinqeritetin e dikujt që dëshiron të dëgjojë? Sa shpesh e lejojmë veten të jemi të disponueshëm pa frikë se dikush do të “na marrë kohën”, apo pa llogaritur se çfarë do të marrim në këmbim?
Psikologia pozitive, me autorë si Martin Seligman, na kujton se një nga faktorët kryesorë që mbështesin lumturinë e qëndrueshme është kontributi, ai lloj veprimi që del jashtë vetes dhe lidhet me mirëqenien e dikujt tjetër. Seligman thekson se njerëzit që angazhohen rregullisht në akte të vogla mirësie përjetojnë një rritje të ndjeshme të energjisë, të qëllimit dhe të kënaqësisë me jetën.
E megjithatë, dhënia e pastër, ajo që buron nga zemra dhe jo nga nevoja për të qenë i vlerësuar, kërkon një ndalim të shkurtër: një moment vetëdijeje. Një pyetje të thjeshtë: “Çfarë mund të ofroj unë tani?”
Jo për të ndryshuar botën, por për të përmirësuar paksa hapësirën e vogël ku ndodhem. Ndoshta të japësh pa pritur asgjë në këmbim nuk është një akt heroik. Është thjesht rikthimi tek njerëzorja, tek ajo pjesë e shpirtit tonë që, siç shprehet Viktor Frankl, gjen kuptim duke u orientuar drejt diçkaje më të madhe se vetja: qoftë kjo një njeri, një vepër, apo një moment i vogël i mirësisë.
Dhe në fund, çdo gjest i tillë na mëson se dhënia nuk është vakum. Ajo kthehet tek ne, jo në formën e shpërblimit, por në formën e qetësisë së brendshme: në ndjenjën se kemi qenë të pranishëm, të dobishëm, dhe për një çast, plotësisht njerëzorë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

