POLITIKA & ARTI
Në njëfarë mënyre njëra ndihmon tjetrën sepse në çdo përvojë që të kesh në jetë pastaj kjo të jep lëndë për ta përdorur në letërsi që nuk mund të them se janë e njëjta gjë, por disi bëjnë funksionin e njëra-tjetrës. Duke qenë një njeri i kultivuar nga ana letrare ke mundësi të japësh një gjë më tepër në politikë nga ç’jep një njeri që nuk merret me këto. Politikën unë jam munduar ta shikoj gjithnjë ashtu siç e ka thënë Aristoteli njëherë e përgjithmonë. Një art për marrëveshje qytetare për një qeverisje të përbashkët. Domethënë që nëpërmjet politikës të merremi vesh se si duhet të zgjidhen problemet e një vendi. Për fat të keq nuk rezulton që të aplikohet gjithnjë ky kriter në politikë. Politikën e kryejnë njerëz të rastit, aventurierë, llafazanë kokë bosh të cilët përpiqen të përfitojnë sidomos kur janë situata tranzicioni që nuk hyjnë në fuqi traditat politike të një vendi por rastësia, dhe kjo domosdo i sjell një dëm të madh politikës. Duke u lënë hapësirë njerëzve që nuk janë të prirë për atë ose që nuk nisen nga qëllimi i mirëfilltë i politikës. E shikojnë atë si një mjet për të bërë karrierë për të bërë për veten e tyre, si një rrugë për të siguruar përfitime personale në kohën më të shkurtër dhe në mënyrë abuzive. Politika këtu nuk ecën në vijë horizontale. Kanë ndodhur ngjarje që me të vërtetë kanë prishur ekuilibrat politikë. Ato krijohen dhe shpërbëhen pastaj sipas ngjarjeve që zhvillohen. Në përgjithësi politika ka kaluar nëpër një rrugë konfuzioni në Shqipëri dhe për të qenë i drejtë më duhet të them se gjatë 20 vjetëve asnjëherë nuk kam qenë në gjendje të them sot atë që do të ndodhë nesër dhe mungesa e qartësisë është ajo që të bën të vuash më shumë. Të mos shikosh qartë se ç’do të ndodhë dhe ç’do të bëhet. Kjo ka qenë historia e politikës sipas meje. Unë kam tentuar të jap njëfarë kontributi. Ngandonjëherë ia kam arritur të qetësoj gjakrat. Ishte një periudhë kur duhet të merrje iniciativën për të krijuar ato që quhen tryeza politike që këtu kanë rezultuar shumë të lodhshme dhe që ngandonjëherë ia kanë dalë. Të ulin tensionet por dhe shumë herë kanë dështuar. Dhe unë e kam provuar këtë rrugë. E shoh si një rrugë të mundimit por jo edhe krejt të kotë sepse kemi kaluar disa situata ku gjendja dhe mund të degradonte. Dhe të kalonim nga përdorimi i mendjes në përdorimin e duarve, të hynim në konflikte direkte mes palëve dhe unë gjithnjë kësaj i jam ruajtur dhe jam munduar t’i shërbej. Që të evitohen konfliktet. Sepse duke qenë popull mesdhetar dhe me temperament të nxehtë e kemi shuam të lehtë pastaj t’ia hedhim shfarosjes së njëri-tjetrit. Mos ndalemi më. Për fat të mirë kjo është evituar. Ka kaluar vendi situata shumë të rënda. Njerëzit hiqnin keq për kafshatën e bukës në ’91, themelet e shtetit u tronditën rëndë në ’97 ku njerëzit u çuan të shkatërronin çdo gjë që e kishte emrin pronë publike. Kam parë në fshatra që kanë prishur shkolla, burimet e ujit, fshatin vet, një lloj marrëzie kolektive e verbër që me të vërtetë kishte nisur të asgjësonte çdo gjë që ishte pronë e përbashkët. Këtë e kemi paguar shumë rëndë. ’97 ka qenë si të kalonte këtej Lufta e Dytë Botërore. Me pasoja edhe më të rënda.
Arti për këdo është ajo bota e brendshme e tij që shfaqet pastaj në veprat që arrin të bëjë. Unë kam filluar të shkruaj vonë. Kur i kisha kaluar të tridhjetë vjetët dhe krejt rastësisht pa pasur bindjen se jam shkrimtar apo duhet të bëhem shkrimtar. Unë kam pasur një jetë të mbushur me ngjarje. Kam bërë punë nga më të ndryshmet gjatë jetës sime tashmë të gjatë. Një ditë më tha gruaja: habitem se sa zanate ke bërë në jetën tënde. Kam jetuar sipas asaj që më ka dalë përpara, për një periudhë të gjatë kohe ka pasur detyrime të rënda familjare që duhet t’i përballoja unë vetë, ndaj ajo që kam shikuar është si të bëj për të mbijetuar unë dhe të përballoj detyrimet që kam. Gjithë kohës e kam ndjerë veten të lidhur me letërsinë dhe me artin në tërësi. Duhet të them se muzika ose piktura më pëlqejnë po aq sa letërsia, veçse jam njeriu më i stonuar në muzikë, kam një anomali dhe jam i paaftë të bëj qoftë edhe vizatimin që mund të bëjë një nxënës në shkollën fillore. Kam pyetur për këtë. Një violinist i famshëm italian që erdhi këtu para ca kohe, një njeri i shkëlqyer, i thashë si ndodh kjo ku mua më duhet 20 vjet për të mësuar një këngë, ai më tha sepse nuk je ushtruar që në fëmijëri, nuk ke kënduar kur ke qenë dy vjeç, atëherë merret edukata që ta bësh veshin tënd të ndjeshëm.
TV & GAZETA
Është fare e qartë se si kur t’u hiqen sot shqiptarëve televizioni dhe gazetat do të bridhnin rrugëve si njerëz të ç’orientuar. Por në të njëjtën kohë dimë që nuk marrin nga gazetat apo televizionet atë që iu duhet. Njëherë për sa u takon lajmeve. Është fare e qartë se shqiptari menjëherë e identifikon një masmedia se kujt i përket, kujt i shërben dhe doemos që e shikojnë më një lloj rezerve gjërat por në kohën që jetojmë këto janë bërë mjete të pandashme të jetës së përditshme të njeriut, janë bërë një lloj burimi që ushqen vazhdimisht trurin e tyre për mirë a për keq dhe unë vete me shpresë që masmedia ka ecur shumë përpara gjatë kësaj kohe. 20 vjet më parë kishim vetëm televizionin shtetëror që të mund të çmendte me propagandën e vet. Që atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime, kemi televizione të fuqishme, gazetarë që me të vërtetë kanë krijuar kulturën e të shkruarit dhe të dhënit të lajmeve por jemi ende larg asaj që do të kërkonte një botë apo një shoqëri e kulturuar. Gjithmonë të marrin informacion në kohën më të shkurtër dhe mënyrën më të këndshme. Ajo që të bashkosh të dobishmen me të bukurën drejt kësaj them se duhet të ecin njerëzit që merren me masmedian dhe që komunikojnë me qytetarët.
MARTESA & BASHKËJETESA
Unë jam njeri tradicional. Shumëkush mund të më quante disi jashtë kohës, sepse unë e shikoj familjen si strehën e fundit ku njeriu duhet të fusë kokën. Ose të vetmen strehë të shëndetshme. Unë kam një familje të mirë. Ne pothuaj mblidhemi çdo natë bashkë, çdo të dielë doemos hamë drekë bashkë të gjithë. Krijuar tashmë këtë traditë dhe kur mungon njeri duket sikur nuk ndihemi mirë. Dikush është me shërbim. Është e natyrshme. Tani me kalimin e kohës unë e ndjej këtë gjithnjë e më tepër dhe ndihem mirë vërtet që arrij ta fusë këtë frymë edhe të të tjerët, te nipërit fjala vjen. Të duan të jenë të lidhur sa më shumë me njëri-tjetrin, jo të arrijmë në atë pikë sa familja të transformohet në një lloj ishulli që të izolon nga shoqëria. Nuk duhet me qenë aq posesiv, aq imponues nga të tjerët, për shembull të merresh vetëm me mua. Kjo do të ishte tepër e dëmshme. Këtu njeriu duhet të përpiqet të gjejë një pikë ekuilibri.
PRINDI & FËMIJA
Mund të them se rasti im është disi i rrallë. Sepse unë kam dy vajza për të cilat nuk më kanë krijuar ndonjëherë problem. Për fat të mirë as nga ana shëndetësore dhe nga ana e edukatës dhe zhvillimit të tyre kanë qenë të dyja të shkëlqyera në shkollë, me medalje ari, etj. Nga kjo anë kam qenë njeriu më me fat. Tani ajo që ndjej unë dhe që me të vërtetë nuk dua t’ua them atyre është që lidhja jonë është aq e fortë sa që nuk e di se ç’do të ndodhë kur të vijë momenti i ndarjes sepse siç ka thënë Shekspiri: “Jeta më në fund është një vdekje e vazhdueshme e prindërve”. Tani kjo me të vërtetë ka filluar të më rëndojë. Por çdo gjë e gjen një ujdi në jetë kështu që nuk është për të preokupuar dhe aq. Po them që kemi lidhjet më të forta që mund të ekzistojnë nëpërmjet prindit dhe fëmijës. Unë kam një problem tjetër, pa i thirrur kujt apo imponuar, kam një lloj autoriteti të tillë në familje sa këto vajzat e mia kur duan të zgjidhin ndonjë gjë më bijtë e tyre u thonë se do t’u themi gjyshit. Dhe unë jam ai lloj gjykatësi suprem që duhet të vendosë për gjërat. Unë përpiqem të mos u rëndohem të tjerëve, për mbi të gjitha kjo jeta e gjatë që kam që në fëmijëri kam jetuar ndërmjet njerëzve, kam arritur ta njoh disi jetën dhe botën dhe kjo më çon në atë që të jem tolerant ndaj gabimeve dhe fajeve të të tjerëve. Deri atje ku nuk cenohet nderi i tyre. Domethënë të përcaktoj me mendjen time disa kufij ku duhet të ndërhyj dhe ku jo, që të mund të ndërhyj.
ALI PASHË TEPELENA & SKËNDERBEU
Kanë pasure një përhapje të gjerë. Këtu në Shqipëri “Skënderbeu” është botuar katër herë 40 mijë kopje. Ka qenë një kohë kur librat shkonin shumë. Tani të botosh një libër dhe të arrish të shesësh 500 kopje quhet një gjë e suksesshme. Kanë ndryshuar gjërat. “Ali Pashë Tepelena” gjithashtu është botuar 3-4 herë. Janë botuar dhe në Kosovë. Mund të them që kanë qenë libra që kanë pasur sukses dhe që kanë zënë vend. Për mua libri më i vështirë ka qenë “Skënderbeu”. E ka thënë këtë Alia Aliaj, kritik që unë e çmoj shumë. “Është vështirë të mbash një libër në të cilën përshkruhen 25 beteja, të tërheqësh interesin e lexuesit deri në fund me një libër që ka korniza të tilla. Meqenëse të tëra luftërat bëheshin me kalë dhe shpatë tani duket se ajo lëndë më tërhoqi aq tepër sa arrita ti jap secilës betejë ngjyrimet e veta, çdo ngjarje të thotë diçka, të jetë një kontribut në këtë histori prandaj mund të them se pak a shumë jam i kënaqur me këta dy libra, gjë që më ndodh rrallë sepse unë gjithnjë e rishikoj me një sy kritik sot atë që kam shkruar dje. Shpeshherë çuditem me veten. Me gjërat e bukura që mund të kem thënë por dhe me naivitetet që mund të kem shkruar. Unë jam një kritik i fortë i vetvetes.
LUFTA & PAQJA
Lufta është një përvojë unike në jetën e njeriut. Dhe luftën mund ta kuptojë mirë vetëm ai që ka qenë pjesëtar aktiv dhe them se për luftën mund të shkruajë vetëm ai që ka qenë në luftë. Kjo nuk u heq të drejtën të tjerëve të merren me luftërat por është e vërtetë ajo që thonë disa shkrimtarë: Ai që do të shkruajë vërtetë për luftën duhet të lexojë “Sevastopolin” e Tolstoit. Ai ka qenë vetë në atë luftë dhe e ka përshkruar në një mënyrë artistike me të vërtetë të paarritshme e ka përjetuar, kështu që lufta doemos ka lënë mbresa të forta te unë. Nuk mund t’i gjejë njeriu në rrethana të tjera. Sepse atje duhet të përballosh rrezikun e vdekjes, duhet të shikosh se ç’brumë ke, sa je i zoti të përballosh kërcënimet, sfidat, mundimin fizik që është dhe pjesa më e rëndë e luftës, jo vetëm aksioni. Ai është një fragment i saj. Sa i takon paqes, me të vërtetë ka pasur periudha të atilla që mund t’i quaj të bukura, ta ndjeje veten si një mëz që bredh lirisht nëpër lëndina ashtu si ka pasur dhe raste kur përpjek kokën gjithandej dhe sheh që gjërat nuk je si i ke përfytyruar apo dashur dje. Çdo individ ka historinë e tij. Asnjë nuk mund të thotë se ka jetën e tjetrit por janë ngjarje që janë të përbashkëta dhe secili i përjeton sipas brumit të vet. Për disa muaj në ’45 jam ndjerë mirë, pastaj në ’46 filluan telashet, në ’47 më përjashtuan nga ushtria si element të padëshiruar dhe që atje filloi ajo që mund të quhej lufta ime me pushtetin. Që nuk ishte një paqe që ecte vaj, jo një bredhje në lëndina por ecja në një rrugë të ashpër.
Bisedoi: Orjona Tresa
Botuar në numrin 37 të revistës “Psikologjia”, viti 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.